Ndërlidhjet

Bujqit rrethojnë Qeverinë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Organizuar nga Federata e Sindikatës së Bujqve të Kosovës, fermerët kosovarë, në shenjë pakënaqësie me politikat agrare qeveritare, kanë bllokuar të shtunën për një orë pjesë të qendrës së Prishtinës rreth ndërtesës së Qeverisë, duke përdorur traktorët.


Të pakënaqur me politikat agrare, bujqit kosovarë kanë organizuar të shtunën një protestë, duke bllokuar për një orë pjesë të qendrës së Prishtinës, përreth Ministrisë së Bujqësisë dhe ndërtesës kryesore të Qeverisë.

Federata e Sindikatës së Bujqve të Kosovës, përmes kësaj proteste, ka shprehur pakënaqësi me politikat agrare, si dhe i ka drejtuar kërkesa Qeverisë për zgjidhjen e problemeve të shumta në bujqësi.

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës së Sindikatës së Bujqve të Kosovës, ka thënë se protesta mbahet për shkak të gjendjes shumë të vështirë të bujqve, duke paraqitur para masës edhe një listë prej 16 kërkesash, të cilat i drejtohen Qeverisë.

“Nga Qeveria kërkojmë të ndajë më shumë buxhet për sektorin e bujqësisë. Kemi kërkuar që të subvencionohet bujqësia kosovare, gjegjësisht të subvencionohet çdo hektar toke e mbjellë me kultura bujqësore”.

“Kemi kërkuar kredi për bujqësinë kosovare. Nuk po kërkojmë që Qeveria të na i falë mjetet, por të na japë kredi, siç japin të gjitha shtetet tjera, siç mendojnë qeveritë tjera për popullin e vet”
, ka theksuar Tahiri.

Bujqit kanë kërkuar nga autoritetet të ndikojnë në ndalimin e uzurpimit të tokave bujqësore, të cilat po përdoren për destinacione tjera tregtare.

Me kërkesat e tyre, është solidarizuar edhe Lëvizja “Vetëvendosje”. Lideri i saj, Albin Kurti, ka thënë se bujqësia është lënë krejt anash në prioritetet e Qeverisë, çka, sipas tij, bie ndesh me përcaktimet e shprehura qeveritare për politika moderne evropiane.

“Në Kosovë ka nevojë që t’i ndryshohet karakteri shtetit, në mënyrë që shteti të jetë jo në funksion të tregtarëve që sjellin mallra të huaja, por në funksion të prodhuesve që prodhojnë mallra vendore, e këtu para së gjithash është prodhimi bujqësor”.

“Gjysma e buxhetit të Bashkimit Evropian shkon për subvencionimin e bujqve, ndërkaq në Kosovë kjo është vetëm 1 për qind”,
ka thënë Kurti.

Kërkesat nga Federata e Sindikatës së Bujqve të Kosovës i janë dorëzuar edhe Ministrisë së Bujqësisë. I sapoemëruari në postin e ministrit të Bujqësisë, Blerand Stavileci, ka premtuar shqyrtimin e këtyre kërkesave dhe angazhimin e tij për dialog me bujqit deri në zgjidhjen e problemeve.

“Kërkesat e tyre ne do t’i shqyrtojmë dhe marrim parasysh edhe përmes bashkëbisedimit dhe dialogut. Mirëpo, duhet ditur se mundësitë dhe nevojat nuk janë proporcionale”.

“Pra, nevojat dhe kërkesat e tyre janë gjithnjë në rritje, ndërkaq mundësitë buxhetore nuk e kanë të njëjtin trend të rritjes. Por, ne, në bashkëpunim me të gjitha palët e interesit me institucionet vendore e ndërkombëtare, do të shikojmë rrugë dhe mundësi alternative për t’i zgjidhur këto probleme”
, ka deklaruar Stavileci.

Ndryshe, në mesin e shumë kërkesave, bujqit kërkojnë të ketë dhe sigurim të produkteve bujqësore, themelim të një instituti shtetëror, i cili do të bëjë analizat e tokave bujqësore në Kosovë, si dhe të ndalohet importi jolojal nga Serbia.

Kërkesat e tyre janë mbështetur edhe nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila përmes një komunikate kërkon që të ndalet diskriminimi ndaj bujqve dhe fton Qeverinë që sa më shpejt të ndërhyjë në korrigjimin e politikave bujqësore.
XS
SM
MD
LG