Ndërlidhjet

Kurti refuzon gjyqin


Albin Kurti, lider i Lëvizjes "Vetëvendosje"
Albin Kurti, lider i Lëvizjes "Vetëvendosje"

Seanca gjyqësore kundër Albin Kurtit, lider i Lëvizjes “Vetëvendosje”, u shty për të katërtën herë. Duke e cilësuar si proces të montuar politik, Kurti as të martën nuk u paraqit në gjyq, derisa avokati Avni Gjakova, kërkoi që trupi gjykues të ketë vetëm përbërje vendore.


Procesi gjyqësor kundër liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, u shty për datën 15 prill, meqë Kurti as në seancën e së martës nuk u paraqit në sallën e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

Kjo ishte hera e katërt që shtyhet seanca gjyqësore ndaj Kurtit. Sipas një aktakuze të ngritur nga EULEX-i, thuhet se, “Kurti akuzohet për pjesëmarrje në turmë dhe se ka kryer veprën penale; pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare dhe për thirrje për rezistencë. Këto tri vepra pretendohet se janë kryer gjatë demonstratave që u zhvilluan më 10 shkurt 2007 në Prishtinë”.

Por, Albin Kurti jo vetëm se nuk u paraqit në gjyq, por vazhdon ta cilësojë këtë si një proces të montuar politik ndaj tij, nga ana e EULEX-it.

“Kundërvënia ime politike, për dallim prej tyre, ka për qëllim drejtësinë, ndërkaq gjyqi i tyre politik ka për qëllim interesat e tyre politike, e që janë mbajtja e Kosovës në një këso protektorati evropian, me ç’rast trashen lidhjet dhe shtohet varësia e Kosovës nga Serbia”.

“Sa më shumë që vendorët - duke filluar nga avokatët dhe politikanët - bashkëpunojnë me EULEX-in, aq më kollaj do ta ketë EULEX-i të bashkëpunojë me Serbinë”,
tha Kurti.

Sipas detyrës zyrtare, seanca i caktoi Kurtit si avokat mbrojtës Avni Gjakovën, i cili kërkoi që trupi gjykues të jetë në përbërje vendore, gjë që, sipas tij, do të bënte që ndoshta Kurti të merrte pjesë në seancën gjyqësore të shtyrë për të enjten.

“Ky propozim me kompetencë dërgohet në Asamblenë e Gjykatësve të EULEX-it. Besoj se ata do ta aprovojnë. Ky angazhim bëhet në kuadër të gjetjes të së vërtetës dhe e vërteta, sipas mendimit tim, është se me aq sa e kam lexuar lëndën, Albin Kurti duhet të lirohet”,
theksoi avokati Gjakova.

Në anën tjetër, Kurti e cilësoi emërimin e avokatit Gjakova në shërbim të përpjekjeve të EULEX-it për ta burgosur atë dhe jo në shërbim të mbrojtjes së tij.

“Angazhimi i avokatit në këtë proces është kundër meje. Ai është në shërbim të panelit gjyqësor, në shërbim të prokurorisë dhe ka shërbyer për ta legjitimuar këtë aktakuzë kundër meje dhe të njëjtën kohë ka lehtësuar angazhim më të egër në të ardhmen, të policisë për arrestimin tim”,
u shpreh Kurti.

Përndryshe, gjykatësi ndërkombëtar, Ferdinando de Mongot, dha urdhër që të sigurohen të gjitha mundësitë që të enjten, më 15 prill, në orën 11, ta ketë përpara në bankën e të akuzuarit liderin e “Vetëvendosjes”, Albin Kurti.

Ky i fundit e përjashtoi çdo mundësi që t’i përgjigjet gjyqit të EULEX-it, çka ka lënë si alternativë të vetme arrestimin eventual.

Kurti, i cili mbajti një konferencë me gazetarë në selinë e “Vetëvendosjes”, tha se ai nuk ishte fshehur dhe as nuk do të fshihet, pasi që tërë kohën është në Kosovë dhe si zakonisht çdo ditë has edhe në policë, por askush nuk i ka kumtuar atij ndonjë urdhër për arrest.

Për rastin Kurti diskutoi edhe Kuvendi i Kosovës, por nuk nxori asnjë përfundim. Ndërkaq një peticion kundër gjykimit të tij i organizuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës ka rezultuar me mbledhjen e mbi 175 mijë nënshkrimeve që dalin në mbrojtje të Kurtit.
XS
SM
MD
LG