Ndërlidhjet

Përkrahje për autostradën


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike, përkrahin realizimin e projektit për ndërtimin e autostradës Vërmicë- Merdare, por kërkojnë nga Qeveria transparencë në menaxhimin e mjeteve. Ata, madje, shprehin shqetësimin se mosdhënia e detajeve, se nga do të kalojë traseja, lë hapësirë për dyshim.


Aleanca Kosovare e Biznesit e përkrah projektin për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdare dhe njëherësh kërkon nga Qeveria e Kosovës të jetë transparente në menaxhimin e mjeteve për ndërtimin e kësaj autostrade.

Agim Shahini, udhëheqës i kësaj aleance, thotë se ndërtimi i autostradës është projekti më i rëndësishëm në historinë e Kosovës.

Ai vlerëson se ky projekt do të ndikojë hovshëm në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe integrimit të Kosovës në rrjedhat dhe mekanizmat ndërkombëtar.

“Ky projekt përkrahet me sinqeritetin më të madh nga AKB-ja, veçanërisht duke pasur parasysh se në ndërtimin e kësaj autostrade do të angazhohet çdo resurs material dhe njerëzor ‘Made in Kosova’, me 40 për qind”.

“Kushtëzimi i kompanisë “Bechtel & Enka” nga Qeveria dhe Ministria e Transportit, ka bërë hapin më të madh deri më tani, për të mbështetur prodhimtarinë vendore”
, thotë Shahini.

Megjithatë, përfaqësues të komunitetit të biznesit, shprehin shqetësimin se pas nënshkrimit të kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit amerikano-turk “Bechtel & Enka”, nuk janë dhënë shumë detaje rreth projektit, madje as në cilin drejtim do të kalojë traseja.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, thonë se mosdhënia e detajeve, lë hapësirë për dyshime. Milazim Abazi, lidhur me këtë, shprehet:

“Qeveria duhet të jetë më transparente, në rend të parë, lidhur me trasenë. Kështu që, nëse ne nuk e bëjmë tunelin dhe nuk i lidhim të gjitha viset e Kosovës, në rrugën më të shkurtër për në portet shqiptare, ne nuk kemi bërë asgjë”.


“Prandaj, unë mendoj se traseja duhet të qartësohet mirë, të dihen saktë përmasat dhe parallogaritë, të dihet vlera dhe shqiptarët kudo që janë, do ta përkrahin këtë projekt, sepse është projekti më madhor në historinë e kombit shqiptar”
, vlerëson Abazi.

Edhe Agim Shahini kërkon që projekti të jetë transparent dhe të menaxhohet në mënyrë efektive, duke i dhënë kështu Kosovës, siç shprehet ai, zgjidhjen më të mirë, më të lirë dhe më të shkurtër për portet shqiptare dhe transitin për Serbinë e më gjerë.

Shahini, ndërkaq, shpjegon edhe format e financimit të këtij projekti.

“Për financimin e këtij projekti ekzistojnë disa forma financiare, siç janë: koncesioni, ( e që mendoj se jemi vonuar), krijimi i projektit si shoqëri aksionare - ku aksionarë do të ishin Qeveria e Kosovës, agjencitë financiare të ndryshme, Trusti Pensional, bizneset, qytetarët por edhe Tradingu”
, sqaron Shahini.

Qeveria e Kosovës, tashmë, ka bërë të ditur se autostrada Vërmicë - Merdare, do të fillojë të ndërtohet më 25 prill të këtij viti, ndërsa do të realizohet brenda 36 muajsh. Për realizimin e këtij projekti nevojiten rreth 700 milionë euro.
XS
SM
MD
LG