Ndërlidhjet

Privatizimi i kompanive publike


Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë publikoi rezultatet e një studimi, lidhur me pikëpamjet e komunitetit të biznesit privat mbi procesin e privatizimit. Sipas këtij studimi, kompanitë private vlerësojnë se ndërmarrjet publike duhet t’i nënshtrohen procesit të privatizimit sa më shpejt, gjë që, sipas tyre, do të ndikonte në rritjen e efikasitetit të tyre dhe në uljen e nivelit të korrupsionit.



"Përshpejtimi i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike do të ndikojë dukshëm në rritjen e efikasitetit të tyre, do të minimizojë rolin e Qeverisë në ekonomi, si dhe do të rrisë normën e punësimit. Kjo veçanërisht është e rëndësishme kur merret parasysh se performanca e kompanive publike ndikon dukshëm në aktivitetin e bizneseve private".

Këto rekomandime kanë dalë nga një hulumtim që ka bërë Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me disa ndërmarrje private.

Lekë Musa, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, tha se argument tjetër që mbështet nevojën e këtij procesi është se privatizimi i ndërmarrjeve publike do të ndikojë në reduktimin e nivelit të korrupsionit, sidomos përmes zvogëlimit të aktiviteteve të prokurimit publik, ku edhe duket të jetë më e shprehur kjo dukuri.

“Ne mendojmë se procesi i privatizimit bën transformimin e aseteve publike në duart e sektorit privat dhe me këtë, efekti më i rëndësishëm është se rritet efikasiteti, resurset ekonomike barten në ato aspekte apo në ato drejtime ekonomike, ku shfrytëzohen më me efikasitet, pastaj edhe hapësira për korrupsion zvogëlohet dukshëm”, tha Musa.

Daglas Tod, këshilltar ekonomik në Programin për Zhvillim të Shteteve të Bashkuara në Kosovë - USAID, vlerësoi se Kosova duhet t’i privatizojë sa më shpejt ndërmarrjet publike. Kjo, sipas tij, duhet të ndodhë për arsye se në Kosovë mungojnë instrumentet e duhura të politikës makroekonomike.

“Kosova nuk ka bankë qendrore, siç është një bankë normale qendrore. Nuk ka mundësi që t’i kontrollojë normat e këmbimit, nuk ka mundësi të prodhojë para, nuk mund të vendosë për normat e interesit. E vetmja politikë makroekonomike në Kosovë është ajo fiskale”, tha Tod.

Prandaj, shtoi ai, Kosova duhet t’i privatizojë të gjitha shërbimet publike, në mënyrë që të përmirësohet efikasiteti dhe produktiviteti. Për një gjë të tillë, sipas tij, ekzistojnë dy arsye: e para që Kosova të përgatisë politika fiskale sa më fleksibile dhe, e dyta, që autoritetet kompetente të përdorin çdo instrument që mundëson mbylljen e boshllëqeve të zhvillimit ekonomik.

Edhe përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës mbështesin procesin e privatizimit të kompanive më të mëdha publike.

Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm në Odën Ekonomike, duke e konsideruar si sfidë privatizimin e këtyre ndërmarrjeve, tha se argument kryesor pro privatizimit është efekti i tij në zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, tha ai, privatizimi është edhe instrument kryesor për tërheqjen e investitorëve të huaj.

...mirëpo, sa përputhet ky argument apo këto argumente me realitetin në Kosovë? Këtu kemi një pikëpyetje të madhe, për vetë faktin se, me gjithë hulumtimet që kemi kohë pas kohe, ende nuk kemi një studim gjithëpërfshirës se çka ka gjeneruar apo çfarë efektesh ka sjellë privatizimi në Kosovë”, u shpreh Rukiqi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës tashmë ka marrë vendim për privatizimin e Post-Telekomit të Kosovës, të Korporatës Energjetike, si dhe për dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
XS
SM
MD
LG