Ndërlidhjet

Maqedoni: Negociatat për integrim, së shpejti


Gjatë presidencës spanjolle me BE-në, Maqedonia mund ta marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në, tha shefi i diplomacisë spanjolle, Migel Angel Moratinos, gjatë qëndrimit të tij në Shkup. Moratinos tha gjithashtu se Greqia dhe Maqedonia duhet ta zgjidhin çështjen e emrit sa më shpejt që të jetë e mundur.



Besoj se deri në fund të kryesimit të Spanjës me Bashkimin Evropian, Maqedonia do ta marrë datën për fillimin e negociatave për integrimin e vendit në BE, deklaroi në Shkup shefi i diplomacisë spanjolle, Migel Angel Moratinos, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Antonio Milloshovski.

Moratinos, optimizmin e tij e bazon në përpjekjet, siç tha ai, maksimale të palës maqedonase dhe asaj greke për t’i tejkaluar dallimet rreth kontestit të emrit.

“Tërë energjinë, vendosmërinë, si dhe kapacitetet tona do t`i vëmë në funksion të fillimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe unë jam i bindur se deri në fund të kryesimit të Spanjës, ky proces do të përfundojë me epilog pozitiv për Maqedoninë”, deklaroi Moratinos.

Ai, me këtë rast, theksoi rëndësinë e harmonizimit të legjislaturës së Maqedonisë me atë evropiane, si dhe realizimin e reformave.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Antonio Milloshovski, tha se në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për Maqedoninë dhe Greqinë janë dhe takimet e intensifikuara së fundmi mes lidershipit të të dyja vendeve fqinje.

“Kompromisi mund të arrihet nëse zgjidhja e ofruar do të jetë e pranueshme njëlloj për të dyja palët. Mendoj se në këtë moment është me rëndësi që të punojmë bashkërisht në këtë drejtim”,
tha shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshovski.

Ai kërkoi nga autoritetet greke që përmes mediave, të mos liferojnë emra si zgjidhje të mundshme, për përdorim të brendshëm ose të jashtëm, ngase një qasje e këtillë, tha Milloshovski, dëmton procesin e zgjidhjes së kontestit disavjeçar mes dy vendeve fqinje për çështjen e emrit.

Pos bisedimeve me homologun e tij, Milloshovski, Moratinos, gjatë qëndrimit në Shkup, realizoi takime edhe me presidentin e shtetit, Gjorgje Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski, zëvendëskryeministrin Vasko Naumovski, me ç`rast është diskutuar për përparimin e vendit në realizimin e reformave të nevojshme për integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike.
XS
SM
MD
LG