Ndërlidhjet

Shtohet numri i të kthyerve


Familje e kthyer serbe (foto arkiv)
Familje e kthyer serbe (foto arkiv)

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, është shtuar numri i serbëve të kthyer, u tha në një konferencë në Çagllavicë. Shqetësim parësor për të kthyerit tani, thuhet se paraqet mirëqenia e tyre socio - ekonomike.



Kthimi i personave të zhvendosur ka shënuar rritje që nga shpallja e pavarësisë e këndej, është thënë në një konferencë të organizuar në Çagllavicë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues ndërkombëtarë, si dhe ata të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Ambasadori britanik në Prishtinë, Endi Sparks, tha se shpallja e pavarësisë ishte një akt i koordinuar i ndërkombëtarëve dhe kosovarëve, që nënkuptonte një Kosovë shumetnike, në të cilën do të respektoheshin të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe e drejta e secilit për t’u kthyer dhe jetuar në pronën dhe shtëpinë e vet.

“Është instaluar qartë me Planin e Ahtisarit, se kjo është një Kosovë shumetnike, të cilën ne e ndihmuam dhe në të cilën do të ketë vend për serbët, që kanë jetuar tradicionalisht në Kosovë, që ta vazhdojnë jetën e tyre këtu”, tha ambasadori Sparks.

Duke iu referuar disa problemeve me të kthyerit në komunën e Klinës dhe të Istogut, Sparks tha se siguria nuk paraqet më problemin kryesor, sa paraqet problem mirëqenia socio-ekonomike e të kthyerve. Kurse, pasojat e konfliktit të viteve 1998-2000 me siguri se reflektohen edhe në këtë proces, theksoi ai.

Ndërkohë, shef i UNHCR-së në Kosovë, Herman Sturvold, tha se shifrat flasin në favor të kthimeve që nga shpallja e pavarësisë e këndej.

Fillimisht, ai tha se UNHCR-ja, si agjenci e Kombeve të Bashkuara, që mbetet neutrale ndaj statusit, kishte dilema se si do të reflektonte pavarësia në kthimet. Por tani, ai tha se numri i të kthyerve po shtohet.

“Kishim një numër të vogël të të kthyerve në vitin 2008. Ky numër u rrit për 70 për qind në vitin 2009, përderisa këtë vit, deri më tash, kemi rreth 500 veta që janë kthyer”, tha Herman Sturvold.

Një shtytje përpara procesit të kthimeve mund t’i japë edhe përmirësimi i raporteve Kosovë – Serbi, tha në anën tjetër Eva Kitzler, këshilltare në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ndërkaq, ambasadori britanik, Endi Sparks, tha se një kthesë në marrëdhëniet Prishtinë – Beograd mund të ndodhë pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Kur GJND-ja ta japë mendimin e vet në lidhje me pavarësinë e Kosovës, do të ketë më shumë mundësi për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, madje edhe nëse Serbia nuk do të jetë e gatshme ta njohë Kosovën në të ardhmen e afërt”, tha Sparks.

Përmirësimi i raporteve ndërshtetërore, sipas tij, padyshim që do të ndikojë edhe në një siguri më të madhe të personave të zhvendosur, që të rikthehen dhe të jetojnë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG