Ndërlidhjet

Prishtina pret ndihmën e OKB-së për veriun


Ndërtesa e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork
Ndërtesa e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork

Qeveria e Kosovës i ka cilësuar si reale shqetësimet e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Mun, për veriun dhe ka ftuar OKB-në që t’i ndihmojë autoritetet vendore në zbatimin e strategjisë për integrimin e pjesës veriore.



Autoritetet në Prishtinë e konsiderojnë raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban ki Mun, për Kosovën, si real. Kurse, shqetësimet e sekretarit Ban për veriun i Kosovës, Prishtina i sheh si shqetësime të përbashkëta, si të faktorit vendor, ashtu edhe atij ndërkombëtar.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Kosova do ta mirëpresë mbështetjen ndërkombëtare për normalizimin e gjendjes në veri, përfshirë edhe ndihmën e Kombeve të Bashkuara për zbatimin e strategjisë për integrimin e kësaj pjese.

Natyrisht që brenga për veriun është brengë e të gjithë neve, por besoj se strategjia për veriun është zhvillim demokratik në atë pjesë të Kosovës dhe aty presim ta kemi ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe të OKB-së”, u shpreh Kuçi.

Kreu i OKB-së i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëjë kujdes në zbatimin e strategjisë për veriun e Kosovës.

“Jam i shqetësuar nga mundësia e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, po qe se autoritetet e Prishtinës nuk e zbatojnë strategjinë e tyre në mënyrë transparente, në dialog me komunitetet lokale dhe me palët e tjera relevante”, thuhet në raportin e sekretarit Ban.

Aty përsëritet se UNMIK-u nuk është konsultuar fare gjatë miratimit të kësaj strategjie.

Ndërkohë, subjekti opozitar, Aleanca Kosova e Re, prezantoi sot përmbajtjen e një takimi që kryetari i saj, Behxhet Pacolli, thuhet se ka zhvilluar me sekretarin Ban ki Mun.

Zëdhënësi i AKR-së, Arbër Geci, tha se pjesë e diskutimeve ishte edhe gjendja në veri të Kosovës, ku, krahas strategjisë për veriun, Pacolli kishte propozuar që kjo pjesë të shpallet zonë e lirë ekonomike.

“Behxhet Pacolli ka prezantuar te zoti Ban ki Mun idenë për shpalljen e veriut të Kosovës si zonë të lirë ekonomike, duke dhënë fakte se, me zhvillim ekonomik, mund të përafrohen edhe ndasitë ndëretnike, që ekzistojnë tashmë në këtë pjesë të vendit”.

“Kjo ide ka ngjallur interesim të veçantë te zotit Ban ki Mun dhe natyrisht ai ka kërkuar një përkushtim më të madh në zhvillimin ekonomik të Kosovës”
, tha Geci.

Në raportin e sekretarit Ban ki Mun thuhet se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë “mbetet në një pozicion unik”, për të lehtësuar dialogun mes bashkësive etnike.

Ban ki Mun u bën thirrje autoriteteve në Prishtinë dhe atyre në Beograd që t’i mbështesin përpjekjet e UNMIK-ut për vendosjen e dialogut etnik në Kosovë. Dokumenti nënvizon se “qëndrueshmëria afatgjate dhe zhvillimi i Kosovës e rajonit lidhen me një proces të suksesshëm pajtimi mes bashkësive”.

Po ashtu, raporti nënvizon se në Kosovë nuk ka pasur rritje të numrit të incidenteve ndëretnike krahasuar me raportin e para tre muajve.
XS
SM
MD
LG