Ndërlidhjet

Rreziku në punë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Në Kosovë është shënuar Dita ndërkombëtare në përkujtim të personave që kanë humbur jetën në vendin e punës. Me këtë rast, përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, edhe pse nuk kanë dhënë statistika se sa është numri i këtyre viktimave, kanë thënë se ky fenomen është shqetësues për institucionet dhe shoqërinë kosovare në përgjithësi.



Në Kosovë, shumë punëtorë janë të rrezikuar, madje ka dhe nga ata që kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, është thënë sot në Ditën ndërkombëtare përkujtimore për punëtorët, të cilët kanë vdekur në vendin e punës.

Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kanë thënë se të drejtat e punëtorëve në Kosovë shkelen në mënyrë drastike.

Haxhi Arifaj, udhëheqës i kësaj sindikate, ka thënë se punëtorët në shumë raste janë të rrezikuar, për shkak të mungesës së infrastrukturës ligjore.

“Ligji i punës, si ligj, garanton të drejtat e punëtorëve, por, njëkohësisht, ky ligj sanksionon ata, të cilët nuk i respektojnë të drejtat e tyre. Në mospasje të këtij ligji, punëtoria kosovare është në një gjendje mjaft të palakmueshme, në një mënyrë edhe e diskriminuar, për shkak se kujdesi ndaj punëtorëve në vendin e tyre të punës, pa këtë ligj, cenohet jashtë mase”, ka thënë Arifaj.

Edhe pse BSPK-ja nuk ka statistika se sa punëtorë në Kosovë kanë humbur jetën në vendin e punës, sipas saj, punëtorët më të rrezikuar janë ata që punojnë në sektorin privat, respektivisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Ndryshe, dje, një 30-vjeçar, nga komuna e Klinës, ka gjetur vdekjen në vendin e punës në një ndërmarrje private.

Prej ndërmarrjeve publike, Korporata Energjetike e Kosovës njihet si një nga institucionet, ku punëtorët janë më të rrezikuar. Prej pasluftës, në këtë kompani, në orar të punës kanë humbur jetën më shumë se 25 persona, përderisa 30 për qind e punëtorëve janë lënduar.

Për këtë çështje, Besa Luzha, nga Fondacioni Gjerman “Friedrich Ebert Stiftung”, ka thënë se sindikatat duhet të angazhohen më tepër në identifikimin e rasteve dhe, njëherësh, sipas saj, të bëhet presion tek autoritetet kompetente që ta rregullojnë infrastrukturën ligjore lidhur me këtë çështje.

"Ajo çka është më rëndësi, se rrethanat kanë ndryshuar në kohët e tashme, (është se) sindikatat duhet të jenë më të fuqishme dhe më bashkëpunuese me punëdhënësit, në mënyrë që të gjejnë një formë më të mirë të sigurimit të kushteve më të mira për punë”.

“Të bëhet presioni më i madh për aprovimin e Ligjit të punës, për Ligjin për mbrojtjen e sigurisë në punë, për Ligjin e sigurimeve shëndetësore, për pensionet dhe të gjitha masat e tjera që duhet t’i kenë punëtorët”
, është shprehur Luzha.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, disa herë, ka ngritur shqetësimet e punëtorëve kosovarë tek autoritetet kompetente, ka deklaruar Haxhi Arifaj, nga BSPK-ja.

“BSPK-ja vazhdimisht do ta ngrejë zërin, që kjo punëtori dhe ky shtet i ri të funksionojnë në bazë të ligjeve dhe të mos ketë njerëz mbi ligjin, sepse duke mos i pasur këto ligje dhe duke mos i respektuar ato që i parasheh ligji, faktikisht po bëhet diskriminim ndaj punëtorëve. Te ne, pas përfundimit të luftës, kanë ndodhur shumë raste të vdekjeve në vendin e punës
”, ka thënë Arifaj.

Që nga viti 1996, 28 prilli njihet si Dita botërore përkujtimore për punëtorët që kanë vdekur, janë lënduar apo sëmurë në vendet e tyre të punës.
XS
SM
MD
LG