Ndërlidhjet

Opozita inkurajon EULEX-in


Prishtinë
Prishtinë

Partitë opozitare në Kosovë mbështesin veprimet e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, dhe të organeve tjera përgjegjëse, për trajtimin e të gjitha rasteve të dyshuara për korrupsion apo keqpërdorim të parasë publike.



Opozita inkurajoi EULEX-in dhe organet e drejtësisë që të veprojnë energjikisht ndaj secilit rast të dyshuar për korrupsion apo keqpërdorime të tjera financiare.

Duke mos dashur të ndërlidhen vetëm me zhvillimet e djeshme, kur EULEX-i bastisi Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit si dhe lokacione të tjera në Prishtinë, ndër to edhe shtëpinë ku banon ministri Fatmir Limaj, zyrtarë të opozitës thanë se nuk i pëlqejnë spektaklet, por veprimet kundër secilit rast të dyshuar për korrupsion apo keqmenaxhim.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Ramë Manaj tha se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe se institucionet do të vazhdojnë t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre si deri më tani.

“Institucionet i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës dhe natyrisht që janë të thirrura që t’i ushtrojnë ato përgjegjësi. Askush s’mund të vihet mbi ligjin. Duhet t’i lëmë institucionet që ta kryejnë punën e tyre dhe të shohim se cilat do të jenë përfundimet”, tha Manaj.

Në anën tjetër, deputetët opozitarë inkurajojnë organet përgjegjëse që të veprojnë energjikisht kundër veprimeve korruptive.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se ligji duhet të vlejë për të gjithë, pavarësisht se për kë bëhet fjalë, duke i mbështetur edhe ndërhyrjet e EULEX-it për raste ku dyshohet se ka afera korruptive.

“Ne konsiderojmë se para drejtësisë dhe ligjit, të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm. Prandaj, një veprim i tillë i EULEX-it është mënyrë e veprimit e bashkësisë ndërkombëtare, përmes misionit që ka në Kosovë, dhe konsiderojmë se është obligim që të gjithë të përgjigjen para drejtësisë”.

“Po ashtu, ne kemi theksuar edhe më herët se shumë raporte që kanë ekzistuar, ndërkombëtare e vendore, tregojnë për një gjendje të rëndë korrupsioni në Kosovë”
, tha Isufi.

Në raport me ligjin dhe drejtësinë nuk duhet të ketë imunitet, tha nënkryetari dhe deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli. Sipas tij, të gjitha raportet e auditimit tregojnë se ka dyshime për korrupsion në dikastere të shumta dhe se çështjet duhet të trajtohen deri në fund.

“EULEX-i e ka mandatin e përcaktuar edhe me ligjet e Kosovës dhe, në këtë drejtim, ky mision funksionon brenda kornizës ligjore. Në këtë vend duhet të fillojë lufta kundër korrupsionit”.

“Ne nuk mund të paragjykojmë se cili dhe kush është i përfshirë në korrupsion, por, thjesht, korrupsioni ka filluar t’i ngufasë institucionet e vendit dhe është koha e fundit të fillojë lufta kundër kësaj dukurie”,
u shpreh Makolli.

Hetimi i tenderëve duhet të përfshijë periudhën prej vitit 2006 e këndej, tha Besa Gaxherri, deputete dhe nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Dardanisë.

Ajo tha se dëshiron të besojë që veprimet e djeshme të EULEX-it të mos jenë vetëm një spektakël, por ta kenë qëllim sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorime të parasë publike.

“Unë uroj që EULEX-i nuk na ka dhuruar spektakël, por vërtet ka filluar të punojë dhe vërtet do të na i sjellë përpara drejtësisë ata persona, grupe të interesit, që e zhvatin çdo ditë Kosovën, përfitojnë në emër të saj. Dhe, është shumë mirë sikur të hetohet edhe 2006-ta, sepse këtu kanë filluar shumë herët të shtresohen këto keqpërdorime, keqmenaxhime”,
deklaroi Gaxherri.

Ndryshe, opozita, analistët, si dhe raportet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare në vazhdimësi i kanë trajtuar fenomenet negative, si: korrupsioni dhe keqmenexhimi i parasë publike, si një dukuri në rritje, që nuk është luftuar nga institucionet vendore. Ndërsa, zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, kohët e fundit, në disa raste kanë paralajmëruar se do të ketë edhe masa konkrete kundër këtyre dukurive.
XS
SM
MD
LG