Ndërlidhjet

Kahet e zgjedhjeve paralele serbe


Dalja e serbëve në zgjedhjet е 30 majit në veri të Kosovës, të organizuara nga Beogradi, do të hapë probleme për vetë serbët, por edhe për proceset që duhet të jenë realitet në këtë pjesë, thonë disa politikanë serbë të Kosovës.







Dalja e serbëve në zgjedhjet e paralajmëruara lokale të 30 majit në veri të Kosovës, do të hapë probleme për vetë serbët, por edhe për proceset, të cilat duhet të jenë realitet në këtë pjesë të Kosovës, vlerëson Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica.

Ajo thotë se pjesëmarrja e mundshme e serbëve në këto zgjedhje, të cilat i organizon Beogradi, paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Dalja e serbëve në zgjedhje është thyerje e Rezolutës 1244, në të cilën ne thirremi për çdo ditë. Kjo për mua është problematike, sepse nëse një gjë e tillë është në kundërshtim me rezolutën, atëherë ne vetë, në mënyrë të vetëdijshme, po hyjmë në problem”.

“Ndryshe, një pjesë e qytetit është me sistemin serb, ndërkaq pjesa tjetër është me sistemin e Kosovës. Mendoj se kjo paraqet probleme për proceset që duhet të jenë realitet në veri të Kosovës dhe kjo nënkupton një formë të lidhjeve institucionale me Prishtinën, por gjithsesi edhe me Beogradin”
, thotë Trajkoviq.

Ajo shton se pjesëmarrja e të gjitha partive politike të Beogradit në zgjedhjet e fundmajit në veriun e Kosovës, lë hapsirë për të kuptuar se Beogradi është i interesuar t’i konstituojë komunat në këtë pjesë të Kosovës dhe të mbajë ndikimin e tij.

Trajkoviq shpreson që serbët do të jenë mjaft të pjekur dhe të përgjegjshëm, të shkojnë në rrugën e demokratizimit e realitetit dhe të dalin edhe në zgjedhjet e organizuara nga Kosova për veriun e Mitrovicës.

Por, Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës, vlerëson se pavarësisht faktit që misioni evropian, EULEX, dhe ai i Kombeve të Bashkuara, UNIMK, nuk pajtohen me mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, të organizuara nga Beogradi, ato do të jenë të pranueshme për të dyja këto misione.

“A nuk kanë qenë edhe zgjedhjet lokale të vitit 2008, të organizuara nga Beogradi, po ashtu jolegale? Dhe, ky fakt nuk ndryshoi asgjë... Serbët e formuan pushtetin e tyre në komunat ku jetojnë dhe mendoj se kjo nuk krijoi kurrfarë problemesh as me EULEX-in e as me UNMIK-un”.

“Nëse Qeveria në Prishtinë ka shpallur dhe organizuar zgjedhjet jashtë UNMIK-ut, atëherë do të thotë se shqiptarët bëjnë diçka që nuk është në frymën e Rezolutës 1244 dhe kanë shpallur edhe shtetin e tyre. Pse diçka e tillë, për zgjedhjet, do t’iu kundërshtohej serbëve?”,
shprehet Jakshiq.

Në anën tjetër, organizimin e zgjedhjeve lokale në veriun e Kosovës, Trajkoviq e sheh si hap të përgatitjes së Beogradit për ndarjen e kësaj pjese ose fitimin e një autonomie për veriun.

Ajo thotë se me Planin e Ahtisarit nuk vihet në pikëpyetje një formë e statusit special për veriun e Kosovës. Sipas saj, këtë e paralajmëron edhe vendosja e përfaqësuesit evropian për veriun e Kosovës, i cili e promovon perspektivën evropiane për këtë pjesë të Kosovës.

“Është e dukshme që Beogradi po bën disa hapa, të cilët, sipas vlerësimit të tyre maksimal dhe të asaj që e dëshirojnë, duhet të çojnë drejt ndarjes. Ndërkaq, minimalisht mund të çojnë drejt autonomisë”,
thotë Trajkoviq.

Ndryshe vlerëson Jakshiq, i cili thotë se zgjedhjet lokale në veri nuk janë hapa drejt ndarjes së veriut të Kosovës.

“Nuk janë hapa të tillë, sepse duhet pasur parasysh se zgjedhjet e 30 majit njëkohësisht janë paralajmëruar edhe për komunën e Novobërdës. Kjo vetvetiu flet se nuk ka asgjë të bëjë me atë që, në ndonjë mënyrë, Kosova të ndahet ose që serbët e veriut të Kosovës të bëjnë për veten çfarëdo lloj forme të autonomisë”, deklaron Jakshiq.

Lexoni edhe këto: Zgjedhjet serbe - përgjigje kundër strategjisë (!)
Zgjedhjet serbe në veri sfidojnë institucionet
Partitë serbe zhvillojnë fushatë
XS
SM
MD
LG