Ndërlidhjet

Thaçi: Udhërrëfyesi gjatë verës


Qeveria e Kosovës është optimiste për procesin e euro-integrimeve. Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova do ta marrë udhërrëfyesin zyrtar për liberalizmin e vizave me Bashkimin Evropian gjatë verës. Në anën tjetër, njohësit e integrimeve evropiane thanë se Kosova ka shumë sfida para vetes në rrugën e saj për në BE.



Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës deklaruan sot se Kosova po shënon progres në drejtim të integrimit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Integrimeve Evropiane, Besim Beqaj, thanë se ka ardhur koha që Kosova të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave. Këto komente, ata i bënë në konferencën “Kosova - Procesi në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”.

Kryeministri Thaçi tha se gjatë kësaj vere, Kosova do ta marrë udhërrëfyesin zyrtar për liberalizimin e vizave. Ai u zotua se Kosova do t’i bëjë të gjitha përgatitjet në këtë aspekt, për të mos pasur vonesa.

Kryeministri Hashim Thaçi
“Së shpejti, kjo mbështetje do të dëshmohet qartë, kur Kosova do ta marrë udhërrëfyesin nga Komisioni Evropian, gjatë verës - udhërrëfyesin zyrtar për liberalizimin e vizave. Përparimi në këtë aspekt do të bëhet edhe më i prekshëm për qytetarin me lëshimin e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës. Gjithashtu edhe në këtë drejtim jemi të vendosur që të mos vonohemi për asnjë moment”,
theksoi Thaçi.

Kryeministri kosovar tha se me themelimin dhe funksionalizimin e shpejtë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një hap kyç të rolit koordinues të saj në procesin e integrimeve, si në nivelin politik, ashtu edhe në atë teknik.

“Në prill të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim të themelojë Ministrinë e Integrimeve Evropiane, me çka kemi demonstruar përkushtimin e qartë politik për intensifikimin e procesit të integrimit evropian”.

“Ky avancim institucional përkon me avancimin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, i cili ka rezultuar nga studimi i fizibilitetit për Kosovën”,
u shpreh kryeministri Thaçi.

Thaçi tha se Bashkimi Evropian ka treguar vullnetin e tij për ta trajtuar Kosovën njëjtë sikurse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë në procesin e integrimit evropian.

Ndërkaq, Renzo Davidi, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Këshillit të Evropës, i vlerësoi pozitivisht përpjekjet e institucioneve në drejtim të integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, hartimi i mirë i politikave mund të arrihet vetëm nëse e tërë shoqëria konsultohet.

“Dikush mund të mendojë se gjërat më të vështira apo dilemat janë në fund të negociatave të procesit të anëtarësimit, por kjo nuk është e vërtetë. Në të vërtetë, duhet që në fillim të vendoset për prioritetet. Dhe, të vendosësh herët, ato mund të kenë ndikim pozitiv menjëherë, apo negativ nese janë zgjedhur prioritetet negative”.

“Jemi në fazën kur publikimi i raportit të progresit përbën ngjarjen kryesore në diskutimet publike, se ku qëndron Kosova në metodat e saj reformuese. Kjo është një gjë pozitive dhe shenjë tjetër e afrimit të Kosovës me BE-në. Këtë e kemi parë edhe në shtetet tjera në rajon. Raporti i progresit është vetëm një nga elementet në zhvillimin e Kosovës”
, tha Davidi.

Ministri Besim Beqaj
Në anën tjetër, Besim Beqaj, ministër i Integrimeve Evropiane, përmendi tri çështje, në të cilat, tha ai, ministria po punon me intensitet të shtuar, sa u përket proceseve integruese.

“Ministria për Integrime i ka tri çështje prioritare në tryezë. Është koordinimi i imputit për raportin e progresit, të cilin jemi duke e bërë. Prioritet i dytë janë marrëdhëniet tregtare, ku është shënuar një progres. Dhe, çështja e tretë është funksionalizimi i të gjitha angazhimeve qeveritare, të cilat janë enorme në drejtim të përgatitjes së vendit për liberalizimin e vizave”,
tha Beqaj.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Venera Hajrullahu, njohëse e integrimeve evropiane, tha se Kosova deri te integrimi në BE ka shumë sfida para vetes.

“Ajo që dëgjuam deri tani ishte një numërim i të arriturave. Jam e sigurt se në të ardhmen do të ndalemi shumë më tepër që t’i diskutojmë ato sfida të shumta, të cilat i sjell ky proces”,
tha Hajrullahu.

Lexoni edhe këtë: Optimizëm për liberalizim vizash
XS
SM
MD
LG