Ndërlidhjet

Optimizëm për liberalizim vizash


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Zyrtarë të Qeverisë u kanë kërkuar deputetëve që të procedojnë më shpejt pakon e ligjeve, që kërkohet për integrimet evropiane. Ndërkaq, është njoftuar se pasaportat biometrike do të jepen deri në fund të vitit.


Pak ditë para se Komisioni Evropian të nisë së përpiluari raportin e progresit për Kosovën, zyrtarë të Qeverisë i kanë kërkuar Kuvendit që ta miratojë më shpejt pakon ligjore, e cila kërkohet nga BE-ja para anëtarësimit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në raportimin e tij para Komisionit Parlamentar për Integrim, ka thënë se kompletimi i tërë infrastrukturës ligjore është pothuaj kah fundi.

Ndërkaq, Rexhepi ka bërë të ditur se së shpejti Kosova do të nënshkruajë marrëveshje për riatdhesim me disa shtete evropiane.

“Sa i përket marrëveshjeve për ripranim, deri më tash i kemi kryer me pesë shtete. Më 8 qershor do ta nënshkruajmë me Danimarkën. Me 4-5 shtete është gati në fazën përfundimtare, si me Norvegjinë, Austrinë, Suedinë e Hungarinë”.


“T’ju informoj se nuk është e domosdoshme që të nënshkruhet me çdo shtet të BE-së, por me shumicën prej tyre. Arsyeja pse shkojmë në këtë rrugë më të vështirë është, pasi që nuk jemi të pranuar nga 5 shtetet e BE-së”
, ka thënë Rexhepi.

Në këtë kuadër, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrim, Zylfije Hundozi, ka kërkuar të dijë nëse është e gatshme edhe strategjia për riintegrimin e të kthyerve, meqë nga vetë zyrtarë evropianë, edhe Kosova edhe BE-ja janë kritikuar se po i kthejnë refugjatët pa ua plotësuar kushtet elementare për jetesë.

“A ka Qeveria ndonjë plan për integrimin e tyre? Nëse jo, atëherë ata do të bëhen kriminelë potencialë nëse janë papunë...”
, është shprehur Hundozi.

Rexhepi ka thënë se ekziston një strategji e tillë, ndërkohë ka sqaruar se shumica e atyre që do të kthehen (vetëm nga Gjermania parashihen 14 mijë e 900 persona), janë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas apo RAE.

Por, Rexhepi ka hedhur dyshimin se të gjithë ata mund të jenë kosovarë. Kështu që, të dhënat e tyre së pari do të verifikohen, para se të jepet drita jeshile për kthim.

Në anën tjetër, ministri Rexhepi ka pranuar se prodhimi i pasaportave biometrike do të shtyhet dhe nuk do të bëhet as në shtator, siç qe paralajmëruar më parë, por duhet pritur të paktën edhe 6 - 9 muaj.

“Ne mendojmë se deri nga fundi i këtij viti mund të dalim simbolikisht me pasaportë biometrike dhe, në të njëjtën kohë, edhe ta përmbushim regjistrin civil, për të mos pasur pastaj pengesa teknike”
, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se janë në zhvillim e sipër procedurat tenderuese për pasaportat biometrike.

Rexhepi ka sqaruar se Shqipëria, e cila ka arritur t'i prodhojë këto pasaporta vetëm për 6 muaj, do t’i ndihmojë Kosovës me mjete teknike dhe njerëzore për të arritur të njëjtin afat të prodhimit të tyre.

Tashmë tri vendet fqinje të Kosovës - Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, kanë përfituar nga liberalizimi i vizave. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Shqipërinë dhe Bosnjën këtë vit.

Kosova, për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet anëtare, ende as që ka nisur dialogun zyrtar për këtë çështje me BE-në.

Por, Rexhepi ka thënë të ketë marrë garanci nga Brukseli, se Kosova nuk do të lihet anash.

“Kemi garanci nga zoti Fuele, se edhe shtetet që nuk na kanë njohur, sa i përket liberalizimit të vizave nuk do të na paraqesin probleme. Neve na shikojnë nën llupë, që është normale, por ne me kapacitetet që kemi dhe me përkushtimin tonë, jemi optimistë se deri në vitin 2011 do t’i përmbushim kriteret dhe mund eventualisht të jemi në procesin e liberalizimit të vizave, pra mos të mbesim ne të vetmit”,
është shprehur Rexhepi.

Një nga kushtet që duhet plotësuar për liberalizim vizash, rrjedhimisht dhe për integrim në BE, është menaxhimi i integruar i kufijve. Aktualisht, Policia e Kosovës kontrollon si e pavarur vetëm kufirin me Shqipërinë, por jo edhe atë me tri shtetet tjera fqinje, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Ndërsa, për dy të parat pritet që së shpejti të marrë kompetencat për menaxhimin si e vetme, kontrollimi i kufirit me Serbinë, për shkak të problemeve politike, do t’i mbetet KFOR-it për t'u menaxhuar edhe për një kohë.
XS
SM
MD
LG