Ndërlidhjet

LDK shpall zgjedhjet partiake


Lidhja Demokratike e Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës të shtunën ka vendosur që kjo parti politike t’i nënshtrohet procesit të brendshëm zgjedhor gjatë vjeshtës së këtij viti. Në mbledhjen e së shtunës, disa nga zyrtarët e LDK-së kanë kërkuar që të rishqyrtohet pozicioni i kësaj partie në koalicionin aktual qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës.


Lidhja Demokratike e Kosovës është përcaktuar për vazhdimin e reformave dhe shpalljen e zgjedhjeve të brendshme partiake, duke shtyrë sërish shqyrtimin e pozicionit të saj në Qeverinë aktuale.

Vendimet janë marrë në mbledhjen e së shtunës të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Nënkryetari i parë i saj, Eqrem Kryeziu, ka thënë se partia ka vendosur që zgjedhjet në LDK, të mbahen gjatë vjeshtës së këtij viti.

Ndërkaq, lidhur me kërkesat e disa zyrtarëve të saj, si Isa Mustafa dhe Fatmir Rexhepi, për rishqyrtimin e pozicionit të LDK-së në Qeveri me Partinë Demokratike të Kosovës, Kryeziu ka thënë se kjo çështje është më shumë individuale, sesa qëndrim i partisë.

Në vend të rishqyrtimit të qëndrimit të LDK-së në Qeveri, Kryeziu ka thënë se në Këshillin e Përgjithshëm është diskutuar për procesin zgjedhor të partisë.

“Kemi marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme, të rregullta në LDK dhe ato zgjedhje do të mbahen nga 10 shtatori deri më 30 nëntor të këtij viti. Është marrë vendim që të formohen dhe katër grupe punuese, të cilat kanë qenë të parapara me pakon e reformave të partisë”
, ka deklaruar Kryeziu.

Ndërkohë, anëtari tjetër i Këshillit të Përgjithshëm, Fatmir Rexhepi, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po i afrohet vijës së kuqe, e cila, sipas tij, nënkupton që LDK-ja gjatë qershorit duhet të thërrasë sërish Këshillin e Përgjithshëm për të marrë vendim për të dalë nga Qeveria aktuale.

“Kosova ka nevojë për LDK-në, Kosova ka nevojë për një qeverisje shumë më të mirë, por unë mendoj që duhet të kemi një strategji dhe t’i shohim arsyet përse i duhet shtetit të Kosovës të jetë LDK-ja. Dhe, kur duhet të ndodhë ky moment, kur është ajo zona e kuqe kur LDK-ja dhe as vendi ndoshta s’kanë më interes të jenë pjesë e kësaj qeverisjeje”,
është shprehur Rexhepi.

Rishqyrtimi i pozicionit të LDK-së në koalicionin aktual, qe mbështetur fillimisht edhe nga anëtarja e Kryesisë, Nekibe Kelmendi. Por, ajo ka thënë se, megjithatë, e mbështeste vendimin e shumicës.

“Unë kam shprehur një opinion timin dhe ai ka qenë mendim imi personal. Mirëpo, kur një Këshill i Përgjithshëm nuk e sheh të arsyeshme që të diskutojë një temë të tillë, atëherë unë nuk dua të jem ‘dele e zezë’ në këtë Këshill dhe duhet të pajtohem me shumicën”,
ka theksuar Kelmendi.

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë mbledhjes të së shtunës ka shqyrtuar edhe rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit lokale.

Pikërisht këto rezultate dhe qeverisja aktuale me PDK-në, ishin marrë si shembull nga mbështetësit e prishjes së koalicionit, se kjo parti duhet të rishqyrtojë pozicionin dhe të marrë vendim që ta kthejë forcën dhe ndikimin që mendohet se mund ta ketë në politikën kosovare.
XS
SM
MD
LG