Ndërlidhjet

Strategjia pas GJND-së


Obelisku i Pavarësisë në Prishtinë
Obelisku i Pavarësisë në Prishtinë

Qeveria e Kosovës thotë se ka një strategji në planin diplomatik, të cilën do ta zbatojë pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Strategjia do të shërbejë për ballafaqim diplomatik me Serbinë.


Kosova do ta ketë strategjinë e saj të veprimit në planin diplomatik për periudhën pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, konfirmojnë zyrtarët qeveritarë në Prishtinë.

Edhe pse nuk jepen shumë detaje nga kjo strategji, thuhet se ajo do të vihet në shërbim të një dinamike më të përshpejtuar të njohjeve të shtetit të Kosovës, si dhe përballjen e Kosovës me diplomacinë e Serbisë, e cila besohet se do të jetë edhe më agresive pas GJND-së.

Albana Beqiri, zëdhënëse dhe këshilltare e ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, thotë se Kosova është e përgatitur për periudhën pas GJND-së dhe konfirmon se diplomacia kosovare do ta ketë edhe strategjinë e saj për atë periudhë.

”Kosova e ka një strategji dhe i gjithë ky aktivitet ka në spikamë të vetin, veçmas koordinimin me partnerët kryesorë tanë, sa u përket veprimeve të menjëhershme pas shpalljes së mendimit këshillëdhënës të GJND-së”.

“Kosova është e përgatitur për periudhën pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”
, konfirmon Beqiri.

Ndërkohë, opozita dhe analistët thonë se Qeveria është vonuar me këtë strategji, por, sipas tyre, do të ishte në favor të diplomacisë kosovare nëse ajo megjithatë do të zbatohej pas mendimit këshillëdhënës të GND-së.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se hapi i parë që Kosova duhet të bëjë pas GJND-së, është t’u dërgojë sërish të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, kërkesat për njohje të shtetit më të ri.

“Është shumë e rëndësishme që Kosova, në momentin e parë të deklarimit të mendimit të GJND-së, të fillojë që edhe zyrtarisht ta kërkojë njohjen”.

“Shumë shtete presin kërkesën, një notë verbale në kërkim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, edhe nëse ato e kanë marrë një notë të tillë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Dhe, kjo ndoshta do të kishte qenë një pjesë e atij plani të veprimit, i cili duhet të jetë kompatibil me nevojat që i kërkon riaktualizimi i çështjes së njohjes”,
thekson Gashi.

Ndërkaq, analisti Ilir Deda thotë se pavarësisht se cili do të jetë mendimi këshillëdhënës i GJND-së në lidhje me pavarësinë, pritet një ofensivë diplomatike e Serbisë kundër njohjeve të reja.

Strategjia e Kosovës, sipas tij, po vjen tejet vonë, megjithatë thotë se e sheh si pozitive, nëse aty do të përfshihej edhe angazhimi i shumë personaliteteve ndërkombëtare që të lobojnë për njohje të reja.

“Realisht, ne jemi vonë, sepse ekziston një rrjet shumë i gjerë edhe jashtë, apo brenda Kosovës, i personaliteteve që do të mund të kishin dhe kanë respekt të madh ndërkombëtar, e të cilët nuk po shfrytëzohen për momentin nga ana jonë”.

“Kjo duhet të ndodhë, duke marrë parasysh se deri më tani asgjë nuk kemi parë nga lobimi i Serbisë, çka do të shohim pas 22 korrikut”,
vlerëson Deda.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, përveç deklaratave me shkrim të deponuara nga Kosova dhe Serbia, si dhe vendeve që janë deklaruar në favor apo disfavor të shtetit të Kosovës, tashmë i ka dëgjuar edhe deklaratat gojore dhe ballafaqimet mes palëve.

Mendimi këshillëdhënës i kësaj gjykate është thënë se mund të pritet diku në pjesën e dytë të korrikut.

Ndonëse mendimi i GJND-së rreth asaj se ishte apo jo shpallja dhe njohja e Kosovës në harmoni me të Drejtën Ndërkombëtare, është i karakterit këshillëdhënës, vlerësimet politike janë se ky mendim do të ndikojë në çështjen e njohjes së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizma dhe mekanizma ndërkombëtar.

Po ashtu, pas GJND-së është paralajmëruar edhe fillimi i një procesi dialogimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo për njohjet reciproke, por për normalizimin e raporteve mes dyja shteteve fqinje.

Lexoni edhe këto: GJND-ja ka ndikuar te njohjet

Koordinimi pas GJND-së
XS
SM
MD
LG