Ndërlidhjet

Samiti i mesazheve pro-euroatlantike


Presidenti Fatmir Sejdiu do të jetë mikpritës i presidentëve nga Maqedonia, Shqipëria e Mali i Zi në samitin e tretë rajonal, që kësaj radhe do të mbahet më 26 dhe 27 qershor në Prizren. Nga Presidenca e Kosovës konfirmohet pjesëmarrja e të ftuarve. Kurse, si përfundim, pritet që presidentët e vendeve fqinje të riafirmojnë bashkëpunimin dhe konfirmojnë zotimet e tyre rreth perspektivës evropiane të rajonit.


Presidentët e vendeve të rajonit pritet të mblidhen në samitin e tretë me radhë që do të mbahet në Prizren, për të konfirmuar edhe njëherë perspektivën euroatlantike të rajonit dhe bashkëpunimin ndërfqinjësor.

Samiti i Prizrenit është thirrur nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe pritet të mbahet më 26 dhe 27 qershor. Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se konfirmimet për pjesëmarrje tashmë kanë ardhur nga tre presidentët e ftuar, ai i Shqipërisë Bamir Topi, i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Prizreni, qyteti ku do të mbahet samiti i tretë rajonal më 26 e 27 qershor


“Takimi do të zgjasë dy ditë. Do të ketë takime secili me secilin, pra presidentët do të kenë takime bilaterale, bashkë me ekipet e tyre politike, si dhe do të ketë një takim të përbashkët të të katër presidentëve, pas të cilit menjëherë do të ketë një konferencë me gazetarë”,
thotë Beqiri.

Dita e dytë e samitit, sipas Beqirit, do të jetë më e relaksuar dhe do t’u shërbejë presidentëve të vendeve pjesëmarrëse për një shëtitje në Prizren.


Ky samit, i treti me radhë, mbahet në formatin e dy samiteve të mëhershme, atij në Vlorë dhe Ohër. Kurse, në të ardhmen, Beqiri thotë se besohet që aty mund të përfshihen edhe presidentët e vendeve tjera të Ballkanit.

“Presidentët, edhe me këtë rast dëshirojnë të përçojnë mesazhet e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe perspektivës së qartë euroatlantike”.

“Natyrisht, presidentët janë shumë të interesuar që në të ardhmen të thellohet dhe zgjerohet ky samit në të mirë të bashkëpunimit të të gjitha vendeve në rajon”,
thekson Beqiri.

Analisti politik, Ramush Tahiri, e sheh si pozitiv vetë faktin që presidenti i Kosovës ka ftuar presidentët e vendeve fqinje. Tash për tash, Tahiri thotë se nuk sheh mundësi që samiti të mbledhë në vete edhe presidentët e Serbisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kroacisë.

Por, ai shpreh besimin se shtetet si Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, mund të dalin si grup vendesh që kanë interesa të përbashkëta dhe më pas të mblidhen edhe në ndonjë samit me përfshirje më të gjerë.

“Mendoj se është bërë mirë që është thirrur ndërmjet këtyre katër shteteve dhe duke i relaksuar raportet ndërmjet këtyre shteteve që kanë shumë pikëtakime dhe interesa të përbashkëta”.

“Më vonë të thirren edhe Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia - pak a shumë i gjithë Ballkani perëndimor që ka mbetur në njëfarë forme ende i painkuadruar në Bashkimin Evropian”,
vlerëson Tahiri.

Analisti Tahiri konsideron se para se të shkohet në thirrjen e ndonjë samiti, ku do të ftoheshin të gjitha shtetet e Ballkanit, Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin disa çështje ndërmjet vete, duke pasur parasysh faktin që Serbia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.

Deri atëherë, Tahiri vlerëson se Kosova duhet të vazhdojë të mbetet në këtë grupim shtetesh.

“Kosova si një shtet i ri, ende nuk është pranuar në rend të parë nga Serbia dhe duke pasur parasysh ndërtimin e Bosnjës e Hercegovinës dhe vetos që ka Republika Sërpska, andaj për këto arsye tash në interes të Kosovës janë marrëdhëniet bilaterale dhe marrëdhëniet tjera me vendet që e pranojnë këtë realitet, dhe me vendet që ka interes, e në rend të parë kemi shumë interesa me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë”
, shprehet Tahiri.

Bazuar në agjendën zyrtare, samiti i Prizrenit nuk pritet të rezultojë me ndonjë deklaratë të përbashkët politike të presidentëve nga rajoni.

Por, secili nga ta do të mund t’i paraqesë pikëpamjet në lidhje me të ardhmen e rajonit, sidomos nga perspektiva e integrimeve dhe ajo e bashkëpunimit ndër-fqinjësor.
XS
SM
MD
LG