Ndërlidhjet

Dy vjet, pak për zbatimin e Kushtetutës


Prishtinë, 9 prill 2008 - Miratimi i Kushtetutës së Kosovës
Prishtinë, 9 prill 2008 - Miratimi i Kushtetutës së Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë të kënaqur me shkallën e zbatimit të Kushtetutës. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se shtrirja e kushtetutshmërisë në veri, kërkon koordinim me ndërkombëtarët.



Kosovës nuk i kanë mjaftuar dy vjet që ta zbatojë në tërësi dhe në gjithë territorin Kushtetutën e saj, thonë përfaqësuesit kosovarë.

Ngjashëm me deklaratat e para një viti, edhe në përvjetorin e dytë të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, deputetët e veçojnë pjesën veriore, ku nuk ka zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Ndonëse probleme në zbatimin e aktit më të lartë juridik potencohen edhe në vise apo fusha tjera të funksionimit të shtetit. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se dy vjet të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, nuk ishin të mjaftueshme për zbatimin e saj në tërësi.

“Problem mbetet shtrirja e sundimit të Kushtetutës në gjithë hapësirën e Kosovës dhe ju e dini se në këtë rrafsh ka pengesa”.

“I gjithë procesi i pavarësisë, edhe Kushtetuta, është arritur në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe konsideroj që edhe zbatueshmëria e saj kërkon një koordinim dhe kam besim se kjo do të ndodhë, ndonëse kërkohet ende punë dhe mundësi të reja”,
thotë Krasniqi.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, njëherësh anëtar i Kryesisë së Kuvendit, Nexhat Daci, thotë se Kushtetuta nuk po respektohet dhe zbatohet dhe Kosova po harron se e ka në fuqi aktin më të lartë juridik.

Sipas Dacit, institucionet nuk kanë bërë as përpjekjen më të vogël për moscenimin e sovranitetit në pajtim me Kushtetutën.

“Në asnjë pikë të territorit të Kosovës nuk është respektuar sovraniteti që është kusht elementar i funksionimit të një shteti, askund nuk është debatuar dhe nuk është dokumentuar që integriteti territorial është ruajtur konform kushtetutës”
, thekson Daci.

Anëtari tjetër i Kryesisë së Kuvendit dhe nënkryetar i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, konsideron se moszbatimi i Kushtetutës nuk është diçka që ndodh vetëm në veri, apo në vise të banuara me popullatë serbe, pasi që, sipas tij, moszbatimi i aktit juridik ndodh edhe në shumë fusha e segmente tjera të funksionimit të shtetit të Kosovës.

“Mund të thuhet që edhe në momente tjera ka pasur neglizhencë të institucioneve që të zbatohet plotësisht Kushtetuta. Natyrisht, Kushtetuta pretendon që në funksionimin e plotë të saj, të ketë funksionalizim të plotë të institucioneve të vendit, funksionim të shtetit ligjor, të ketë shkallë të ulët të korrupsionit, të ketë zhvillim ekonomik dhe të gjitha këto janë ngecje që mund të ndërlidhen edhe me moszbatimin e plotë të Kushtetutës”,
shprehet Gashi.

Kushtetuta e Kosovës është një akt që nuk përfillet nga një pjesë e madhe e përfaqësuesve dhe popullatës serbe. Por, Rada Trajkoviq nga Këshilli Nacional Serb thotë se kjo Kushtetutë paraqet një akt më të avancuar që u afrohet standardeve evropiane.

“Është realitet që tash ka një liri më të madhe të lëvizjes, fqinjët shqiptarë më nuk e shohim si problem që të jetojnë në fqinjësi me serbët, njerëzit janë demilitarizuar dhe të gjitha këto janë përparim”
, thotë Trajkoviq.

Por, sipas Trajkoviqit, me pjesëmarrje në institucione serbët do të mund të ndikonin që disa dispozita të Kushtetutës të zbatoheshin edhe në terren, pasi që beson se ato ende janë vetëm në letër.

Për dallim nga dita e hyrjes në fuqi dhe përvjetori i parë, Kuvendi i Kosovës dhe institucionet tjera, kësaj radhe nuk e kanë shënuar këtë ditë.

Lexoni edhe këto: Prishtina sot fuqizon Kushtetutën
Një vit Kushtetutë

Kushtetuta mbetet e papranueshme për serbët
XS
SM
MD
LG