Ndërlidhjet

Korrupsioni ul investimet e huaja


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare vlerësojnë se prania e lartë e korrupsionit në Kosovë, ka ndikuar në rënien e investimeve të huaja. Ata thonë se nevojitet një luftë më e fuqishme kundër kësaj dukurie dhe përmirësim në fushën e sundimit të ligjit.


Niveli i lartë i korrupsionit në institucionet kosovare dhe në administratën publike, ka ndikuar që të ulet dukshëm interesimi i investitorëve të huaj, që kapitalin e tyre ta sjellin në Kosovë, thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Klubi për Politikë të Jashtme ka bërë një hulumtim lidhur me ndikimin e këtij fenomeni në tërheqjen e investitorëve potencialë.

Ylli Hoxha, nga ky klub, shpjegon se në bazë të raportit, prania e lartë e korrupsionit i shqetëson dhe i frikëson investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë.

“Me mospunën tonë, me lejimin e zhvillimit të korrupsionit kemi ndikuar që t’i dëbojmë edhe pak ata investitorë të mëdhenj, të cilët kanë shprehur interesim për të investuar në Kosovë”,
shprehet Hoxha.

Artan Nimani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se korrupsioni është fenomen që përcjell çdo vend në tranzicion, prandaj nuk ka mundur të anashkalohet as Kosova.

Megjithatë, ai thekson se kjo çështje po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, e konkretisht tek investitorët ndërkombëtarë.

“Prandaj, duhet të them si konkluzion, që jo krijimi i korrupsionit, ose gjendja e reale e korrupsionit, po vetëm krijimi i perceptimit për një vend të korruptuar ndalon qind për qind investuesit. Askush nuk ka para t’i humbë, veçanërisht në këtë kohë të krizave ekonomike”,
thekson Nimani.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë vitit 2009, investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rënie prej 30për qind.

Ndërsa, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, Kosova konsiderohet ende si një vend i pasigurt për investitorët.

Por, profesori Nimani konsideron se autoritetet kompetente tashmë i kanë shpallur luftë korrupsionit dhe, sipas tij, kjo do të ndikojë edhe në përmirësimin e imazhit të Kosovës, karshi investitorëve të huaj.

“Por, kohëve të fundit unë jam shumë i kënaqur dhe shumë optimist se kanë filluar të lëvizin ngjarjet shumë pozitivisht. Ka filluar që të flitet, ka filluar që të diskutohet, por ka filluar edhe që të punohet në këtë drejtim. Është një hap i mirë që ka filluar të avancohet në procesin e luftimit të kësaj dukurie”
, shprehet Nimani.

Për të krijuar një ambient të sigurt për investitorët e huaj, Ylli Hoxha, nga Klubi për Politikë të Jashtme, vlerëson se duhet të bëhen përpjekje në fushën e sundimit të ligjit, fushë kjo, që sipas tij, garanton zvogëlimin e fenomenit të korrupsionit.

“Kosova nuk është vend i pasur me naftë, Kosova nuk është vend i pasur me diamant. Kosova ka vetëm një rrugëdalje; që të konsolidojë funksionalitetin e shtetit të vet dhe të mundohet që në këtë botë në zhvillim të kap trendet zhvillimore dhe të integrohet në një ekonomi të re”.

“Parakusht elementar për t’iu futur kësaj beteje është që të ketë sundim të ligjit, që niveli i korrupsionit të bjerë”
, vlerëson Hoxha.

Investimet e huaja në Kosovë gjatë kësaj dekade, e konkretisht, pas shpalljes së pavarësisë, janë konsideruar si një ndër mundësitë e vetme për zhvillim ekonomik.

Mirëpo, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thuhet se në tri vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme.

Lexoni edhe këto: Investitorët e huaj po ikin nga Kosova
Kosova e (pa)sigurt për investime
Kush po i largon investitorët nga Kosova?
XS
SM
MD
LG