Ndërlidhjet

Analistët: Opozita në Shqipëri - e paparashikueshme


Pamje nga protestat e Partisë Socialiste në Tiranë, më 30 prill, 2010.
Pamje nga protestat e Partisë Socialiste në Tiranë, më 30 prill, 2010.

Parlamenti Evropian, pas deklaratës së dy krerëve të grupeve më të mëdha parlamentare të tij, të djathtë e të majtë, duket se u dorëzua përpara mungesës së një zgjidhjeje nga vetë klasa politike në Shqipëri.

Së fundmi, ky institucion ndërkombëtar bëri përgjegjëse si mazhorancën, ashtu edhe opozitën, duke u bërë thirrje palëve që të angazhohen për zgjidhje. Njëkohësisht, kërkoi nga opozita që të qëndrojë në Kuvend e së bashku me mazhorancën t’i bëjnë reformat.

Ja si e sheh analisti Andi Bejtja këtë fazë të zhvillimeve politike në Shqipëri:

“Pavarësisht se u tërhoq komuniteti ndërkombëtar në njëfarë mënyre, nuk mendoj se është një krizë që prek institucionet. Po ta përmendim edhe letrën e dërguar nga dy krerët e grupeve parlamentare të BE-së, u duk qartë që i bën thirrje prapë opozitës që të vazhdojë të qëndrojë në Parlament dhe opozita vazhdon të qëndrojë”.

“Nëse do të kishte zgjidhje, zgjidhja do të ishte brenda kornizës kushtetuese dhe mendoj që mazhoranca dhe Berisha personalisht e di që asnjë faktor ndërkombëtar nuk mund t’i kërkojë atij që të shkelë Kushtetutën”,
thotë Bejtja.

Analisti Lutfi Dervishi thotë se zgjidhja është aq e vështirë sa ishte vështirë të kuptohej strategjia e opozitës dhe ajo se çfarë kërkon ajo në këto momente. Ndaj, për Dervishin mund të jetë mazhoranca ajo që të hapë një dritë jeshile për ngërçin politik.

“Në një analizë të llogarive politike, nuk arrihet të kuptohet se çfarë kërkon më tepër Partia Socialiste dhe lidershipi i saj, sepse nëse ne mund ta quajmë vendosje të disa objektivave që ka pasur, i ka arritur dhe i ka tjekaluar që në fundin e vitit të kaluar apo që në fillim të këtij viti. Si rezultat i aksionit politik të opozitës brenda disa muajsh, opozita arriti ‘të ndërkombëtarizojë’ problemin e zgjedhjeve”.

“Në njëfarë mënyre, e dëmtoi mazhorancën dhe qeverinë karshi ndërkombëtarëve. Në këtë kuptim, këto objektiva politike, Partia Socialiste i arriti prej kohësh dhe tani nënkuptohet se cila është objektiva e radhës. Në fakt, kam përshtypjen se nuk kemi çfarë të presim më shumë nga Partia Socialiste, në kuptimin se ka luajtur në ekstrem, ka përballuar një presion ndërkombëtar dhe ndoshta ka dhe një lodhje. Ndoshta kërkohet më tepër një rrugëzgjidhje apo një modus-vivendi nga ana e mazhorancës”,
thotë Dervishi.

Por, Partia Socialiste në deklarimet e saj më të fundit ka akuzuar mazhorancën se po thellon, sipas saj, krizën politike në vend, duke mos pranuar transparencën si një proces që kalon vetëm nga hapja e kutive të votimit.

Mbetet ende e paqartë nëse këtij qëndrimi, të majtët do t’i shtojnë sërish protestat në rrugë.

Ja si gjykon analsiti Dervishi për këtë opsion:

“Opozita është e paparashikueshme në veprimin e vet politik”.

Analisti Andi Bejtja thotë se rikthimi i opozitës te protestat do të ishte i palogjikshëm në këtë moment.

Personalisht, më duket e pamundur që pas futjes në Parlament dhe pas dështimit të grevës së urisë, që ishte masa më radikale, më duket e palogjikshme që opozita të dalë përsëri në rrugë. Por, e kam thënë shpeshherë se çdo parti shqiptare ka 200 mijë militantë minimumi dhe nuk është çudi që nëse nuk sforcohet, t’i nxjerrë përsëri njerëzit në rrugë, por nuk besoj se fiton më gjë”, thotë Bejtja.
XS
SM
MD
LG