Ndërlidhjet

Problemet e privatizimit të KEK-ut


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ekspertë për çështje të energjisë e kundërshtojnë privatizimin e furnizimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, për shkak të problemeve të mëdha, me të cilat ballafaqohet Korporata Energjetike e Kosovës. Sipas tyre, problemet aktuale të kësaj kompanie e zbehin imazhin e saj, karshi investitorëve potencialë.


Autoritetet vendore nuk kanë koncept dhe vizion të qartë për privatizimin e ndërmarrjes së distribuimit të energjisë elektrike, thonë ekspertë për çështje energjetike.

Problemet në Korporatën Energjetike të Kosovës, të cilat janë të pranishme qe 11 vjet me radhë, sipas tyre, do ta zbehin imazhin e kësaj kompanie para investitorëve potencialë.

Eksperti Ethem Çeku thotë se nuk është kundër konceptit të ndërhyrjes së kapitalit privat në fushën e energjisë elektrike dhe mbështet idenë që distribucioni dhe furnizimi të privatizohen, por para se të arrihet te ky proces, thotë ai, është dashur të bëhen analiza dhe studime më të thukëta nga autoritetet kompetente.

Çeku thekson se problemet e shumta, me të cilat ballafaqohet aktualisht Korporata Energjetike e Kosovës, do të ndikojnë negativisht tek investitorët e huaj.

Ethem Çeku

“Nga të gjitha informacionet që posedojmë, qoftë nga zyra e rregullatorit, inkasimi nuk ka pësuar ndonjë ngritje esenciale. Madje, në disa sektorë kemi edhe rënie, si në atë të industrisë dhe të disa sektorë të tjerë, për shkak se ka rënë edhe struktura e punës në ata sektorë".

"Pastaj, kemi edhe problemin tjetër se distribucionin nuk e kontrollon KEK-u, në hapësira të caktuara në enklava”,
thotë Çeku.


Myzejene Selmanaj, kryetare e Komisionit Parlamentar për ekonomi dhe energjetikë në Kuvendin e Kosovës, e kundërshton procesin e privatizimit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji.

Edhe sipas Selmanajt, problem në këtë proces paraqet borxhi i madh i konsumatorëve ndaj kësaj korporate.

Ajo, ndërkaq shpreh shqetësimin se privatizimi i kësaj ndërmarrjeje në kohën kur shumë vende të Evropës ballafaqohen me krizë financiare, nuk do të sjellë efekte pozitive në Kosovë.
Në këtë kohë krize ekonomike kush do ta blejë distribucionin dhe furnizimin me një shumë marramendëse të borxheve...


“Nuk e dimë në këtë kohë krize ekonomike kush do ta blejë distribucionin dhe furnizimin me një shumë marramendëse të borxheve. Dhe, nëse vjen investitori i ri dhe ai investitor investon këtu dhe e merr këtë korporatë në privatizim, ai do të përballet njëjtë siç po përballet KEK-u, me po këta konsumatorë”.

“Edhe në rast se vjen investitori i huaj, ne nuk mund t’i ndërrojmë qytetarët, sepse janë këta qytetarë, të cilët jetojnë në Kosovë me këto paga dhe me këtë standard jetësor të ulët çfarë e kanë”,
shprehet Selmanaj.

Në anën tjetër, Viktor Buzhala, zëdhënës në Korporatën Energjetike të Kosovës, tregon se borxhi i konsumatorëve ndaj kësaj kompanie sillet rreth 420 milionë euro, ndërsa humbjet komerciale arrijnë në 28 për qind.
Shuma e përafërt që konsumatorët i kanë borxh KEK-ut, është rreth 420 milionë
euro...


“Shuma e përafërt që konsumatorët i kanë borxh KEK-ut, është rreth 420 milionë euro. Bindshëm prijnë konsumatorët e amvisërisë me nivelin e borxheve – me rreth 70 deri 80 për qind të borxheve”, thotë Buzhala.


Për zgjidhjen e këtij problemi, Ethem Çeku, i cili njëherësh ka qenë ministër i Energjisë dhe Minierave, thotë se duhet të gjendet mënyra që një pjesë e borxhit të fshihet.

“Ideja jonë ka qenë që për borxhet nga viti 1999 deri në vitin 2002, kur KEK-u ka qenë në një gjendje jo të rregullt, kur shtëpitë tona kanë qenë të djegura, shumë vendbanime të shkatërruara, faturimi në atë kohë ka qenë në mënyrë të përafërt - ajo fazë duhet të përmbyllet".

“Në qoftë se në të gjitha këto nuk i bëjmë hapat e duhur që të arrijmë dhe të kemi sukses, atëherë do të kemi ndoshta një privatizim, por jo një privatizim, i cili i sjell profit gjenerimit të ri të energjisë elektrike apo edhe vetë shtetit të Kosovës”
, vlerëson Çeku,

Sidoqoftë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell, dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në forumin publik për privatizimin e distribucionit të energjisë elektrike, kanë shprehur nevojën e domosdoshme për privatizimin e dy njësive të KEK-ut.

Sipas tyre, vetëm privatizimi i furnizimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me rrymë, do të ndikojë në uljen e korrupsionit në ndërmarrjet publike dhe njëherëësh do të ndikojë drejtpërdrejt në rritje ekonomike.
XS
SM
MD
LG