Ndërlidhjet

Rompei mbështet fuqishëm EULEX-in


Presidenti i BE-së, Herman von Rompei, takohet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Prishtinë, 06 korrik 2010.
Presidenti i BE-së, Herman von Rompei, takohet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Prishtinë, 06 korrik 2010.

“Sundimi i ligjit është një nga vlerat e përcaktuara të Bashkimit Evropian dhe një nga prioritetet tona më të rëndësishme këtu në Kosovë”, ka thënë të martën në Prishtinë, presidenti i Bashkimit Evropian, Herman von Rompei. Pas takimeve që ka zhvilluar me udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe ata të misionit të BE-së, presidenti Rompei ka thënë se aktivitetet e misionit të EULEX-it pasqyrojnë angazhimin e fuqishëm të BE-së në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.



Sundimi i ligjit paraqet një vlerë evropiane dhe si i tillë do të jetë edhe një nga prioritetet e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë të martën në Prishtinë, presidenti i Bashkimit Evropian, Herman van Rompei.

Në kuadër të raundit diplomatik në rajon, presidenti i BE-së, ka qëndruar në Prishtinë, ku ka zhvilluar një takim të përbashkët me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi. Po ashtu, ai ka vizituar edhe misionin e BE-së për sundim të ligjit, EULEX, ku është pritur nga zëvendësshefi i këtij misioni, Roj Riv.

Pas këtij takimi, Herman van Rompei ka thënë se aktivitetet e misionit të BE-së janë kruciale për zhvillimin dhe mbështetjen e aspiratave evropiane të Kosovës.

“Sundimi i ligjit është një nga vlerat e përcaktuara të Bashkimit Evropian dhe një nga prioritetet tona më të rëndësishme këtu në Kosovë. Misioni i EULEX-it ka arritur rezultate të mira”.

“Aktivitetet e këtij misioni pasqyrojnë angazhimin e fuqishëm të BE-së në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”
, ka thënë presidenti i Bashkimit Evropian.


Në deklaratën e tij që e ka lexuar para gazetarëve, presidenti Herman von Rompei e ka siguruar misionin e BE-së për sundim të ligjit, se ka një mbështetje unike nga Brukseli.

“Të 27 vendet anëtare të BE-së e mbështesin plotësisht punën e EULEX-it”,
ka deklaruar presidenti i Bashkimit Evropian. Ai ka vlerësuar se EULEX-i po bën një punë të vlefshme dhe shumë të rëndësishme që nganjëherë përcillet edhe me vështirësi.

Por, kjo punë e EULEX-it, sipas presidentit të BE-së, do ta ketë në vazhdimësi mbështetjen e Brukselit.

Pas takimeve me presidentin Herman Van Rompay, udhëheqësit kosovarë nuk janë prononcuar. Para se të vinte në Prishtinë, ai kishte vizituar edhe Lubjanën, Beogradin e Zagrebin.

Gjatë kësaj vizite, Rompei ka adresuar mesazhe të qarta për perspektivën evropiane të Ballkanit, por duke tërhequr vëmendjen se bashkëpunimi rajonal dhe ndërfqinjësor paraqet një nga elementet kryesore për vendet që aspirojnë integrimet.
XS
SM
MD
LG