Ndërlidhjet

Kujtimi i Srebrenicës – detyrë e shenjtë


Potoçari
Potoçari
Dhjetëra mijëra vetë ndoqën ceremonitë përkujtimore të zhvilluara në Srebrenicë, me rastin e 15-vjetorit të masakrës.

Në korrik të vitit 1995, trupat paraushtarake serbe ekzekutuan më shumë se 8000 djem e burra boshnjakë. Masakra ndodhi derisa luftës në Bosnjë e Hercegovinë po i afrohej fundi.

Masakra është cilësuar si gjenocid nga Gjyata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, madje si krimi më i rëndë në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Ceremonia e zhvilluar sot përfshinte dhe varrimin e 775 kufomave të masakrës së Srebrenciës, të gjetura së fundi. Aktualisht, në Potoçari prehen 3749 viktima.

Presidenti serb, Boris Tadiq, ai kroat, Ivo Josipoviç, kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, dhe shefi i diplomacisë franceze, Bernard Kushner, ishin të pranishëm në ceremonitë e 15-vjetorit.

Ambasadori amerikan në Bosnjë, Çarls Inglish, ishte në mesin e folësve.

“Kemi një detyrë të shenjtë për t’i kujtuar tmerret që ndodhën këtu dhe për të parandaluar që krime të tilla të ndodhin sërish. Kemi detyrime ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. Në të njëjtën kohë kemi përgjegjësi para gjeneratave të ardhshme në të gjithë globin, që të refuzojmë të jemi vëzhgues përballë së keqes, kudo dhe kurdo që të ndodhë. Duhet të jemi të përgatitur të mbrojmë dinjitetin njerëzor”, tha Inglish.

Ministri i Jashtëm i Francës u ka dërguar mesazh familjeve të viktimave, ku thotë se “Srebrenica duhet të mbetet e gdhendur në kujtesën kolektive të Evropës që po ndërtojmë”.

Në mesin e viktimave të Srebrenicës të varrosura gjatë ditës ishte dhe një kroat, i pari jomysliman nga masakra e Srebrenicës që është varrosur në Potoçari.

Korrespondentja e Radios Evropa e Lirë, Maja Nikoliq, e cila ka qenë në Srebrenicë, thotë se një numër i madh i kufomave të viktimave janë të paplota.

“Hatixha Mehmetoviq ka varrosur burrin dhe dy djemtë. Një nga djemtë është varrosur pa kokë, derisa djalit tjetër të ndjerë i mungojnë duart, këmbët dhe pjesë të tjera të trupit. Ka qindra raste si këto. Edhe nënat e tjera po varrosin vetëm mbetje nga më të dashurit e tyre. Një numër i madh i grave të pranishme kanë humbur deri në 80 anëtarë të familjeve”,
thotë gazetarja Nikoliq.

Në atë që është quajtur Marshimi i Paqes, rreth 5000 njerëz kanë udhëtuar për tre ditë në mes të pyjeve, përmes shtigjeve të ndjekura nga djemtë dhe burrat e Srebrenicës, në përpjekje për t’iu shmangur forcave serbe.

Rreth 8000 djem e burra boshnjakë u vranë sistematikisht brenda disa ditëve, kur Srebrenica ra në duart e trupave serbe, të drejtuara nga Ratko Mlladiq.

Ata u morën nga forcat serbe, të cilat vunë nën kontroll zonën, që ishte cilësuar si “zonë e sigurt” nën mbrojtjen e trupave të OKB-së.

Deri tani, ekspertët kanë identifikuar 6500 kufoma apo mbetje mortore, por ende trupat e shumë viktimave të tjera presin të identifikohen.

Shumë nga boshnjakët fajësojnë trupat paqeruajtëse holandeze, që vepronin në kuadër të Kombeve të Bashkuara, që dështuan të mbronin Srebrenicën.

Ndërsa, Ratko Mlladiq, i akuzuari kryesor për masakrën është ende në arrati. Një tjetër nga përgjegjësit e masakrës, Radovan Karaxhiq, u arrestua në Beograd në vitin 2008 dhe tani përballet me drejtësinë ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Kombet e Bashkuara kanë pranuar fajësinë, derisa studimi i Institutit për Dokumentacionin e Luftës në Holandë ka fajësuar hapur kontingjentin holandez për dështimin.

Qeveria holandeze e ka pranuar “përgjegjësinë politike” për dështimin e trupave të saj në Srebrenicë dhe që nga ajo kohë ka destinuar dhjetëra milionë dollarë fonde për Bosnjën. (i.b.)

Shoes To Remember Srebrenica
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:04 0:00

XS
SM
MD
LG