Ndërlidhjet

Hyseni: GJND të rikonfirmojë pavarësinë


Skënder Hyseni
Skënder Hyseni

Institucionet e Kosovës presin që mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i paralajmëruar të shpallet më 22 korrik, të jetë në favor të Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni tha se pret që GJND-ja të rikonfirmojë të drejtën e Kosovës për liri e pavarësi, ndërkaq deklarimi në favor të Serbisë, sipas Hysenit, do të ishte kundër lirisë së një populli.


Kosova pret nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mendim pozitiv dhe në favor të pavarësisë së saj.

Ndërsa kanë marrë edhe konfirmimin zyrtar nga Haga se verdikti i GJND-së do të shpallet më 22 korrik në ora 15:00, zyrtarët e lartë kosovar thanë se presin mendim pozitiv dhe efekte që do të reflektohen në shtimin e njohjeve të shtetit të Kosovës.

Gjatë një konference për media, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, i ngarkuari kryesor për përfaqësimin politik të Kosovës në procesin e Hagës, tha se institucionet e Kosovës besojnë në drejtësinë ndërkombëtare dhe presin që mendimi të jetë në favor të argumenteve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Nëse mbështetemi në argumentet e fuqishme që janë parashtruar para kësaj Gjykate, qoftë gjatë fazës me shkrim të këtij procesi, qoftë gjatë fazës gojore, atëherë mund të parashohim me shumë optimizëm që mendimi i Gjykatës do të jetë i favorshëm për Kosovën, përkatësisht GJND-ja do të rikonfirmojë të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur e sovran”, tha Hyseni.

Ministri Skënder Hyseni theksoi se ai nuk sheh asnjë mundësi që GJND-ja të japë mendim në favor të Serbisë. Një mendim në favor të Serbisë, sipas Hysenit, do të ishte kundër lirisë së një populli.

“Nuk shoh asnjë mundësi që ky mendim të jetë në favor të Serbisë, sepse nuk shoh se si do të mund të deklarohej një Gjykatë Ndërkombëtare e Drejtësisë kundër lirisë së një populli”.

“Deklarimi në favor të Serbisë do të ishte esencialisht deklarim kundër lirisë së një populli. Këtë e them pa asnjë hezitim
”, theksoi Hyseni.

Shefi i diplomacisë kosovare nuk e përjashtoi mundësinë që Beogradi të iniciojë procese të reja kundër shtetësisë së Kosovës edhe në Kombet e Bashkuara, por, siç tha ai, Prishtina bashkë me miqtë e saj ndërkombëtarë është e përgatitur që t’u kundërpërgjigjet në forma diplomatike ofensivave serbe kundër pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq lidhur me bisedimet Prishtinë – Beograd pas verdiktit të GJND-së, Hyseni tha se Kosova është e gatshme për bisedime mbi parimin e shteteve të barabarta fqinje, por bazuar në qëndrimet serbe karshi shtetit të Kosovës, ai tha se nuk beson se këto bisedime do të nisin brenda ndonjë afati të shkurtë kohor.

Gjatë ditës, edhe presidenti, Fatmir Sejdiu kishte thënë se nuk dëshiron të prejudikojë vendimin e GJND-së, por ishte shprehur i bindur se Kosova është paraqitur me argumente të bazuara fuqishëm për funksionimin e shtetit kosovar.

Fatmir Sejdiu

Sejdiu kishte shprehur besimin se GJND-ja nuk do të dalë kundër vullnetit të qytetarëve për liri dhe shtet të pavarur që është shprehur edhe me deklaratën e pavarësisë të 17 Shkurtit të vitit 2008.

“Pra, një realitet që nuk kthehet asnjëherë në vullnetin që dikush mund të ketë një vullnet të anti-natyrshëm për të cenuar lirinë e dikujt. Ne do zhvillohemi dhe do të jetë një ecje e suksesshme - shans i barabartë për të gjithë qytetarët”,
kishte thënë Sejdiu.


Mendimin e GJND-së e ka kërkuar Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me nismën e Serbisë.

Gjatë debatit që është zhvilluar në këtë temë, nga data 1 deri më 11 dhjetor, 2009, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, përfaqësuesit e 14 shteteve kanë mbështetur legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa 12 të tjerë kanë pasur qëndrim tjetër.
XS
SM
MD
LG