Ndërlidhjet

Pro bisedimeve (teknike), por prioritet njohjet


Prishtinë
Prishtinë
Bisedimet praktike mes Kosovës e Serbisë i riaktualizoi Bashkimi Evropian në takimin e djeshëm të ministrave të jashtëm, ndërsa vetë nuk arriti unifikim të qëdrimeve mbi pavarësinë e Kosovës.

Prishtina zyrtare është shprehur pro bisedimeve, por vetëm për çështje praktike dhe në nivel të dy shteteve sovrane.

Hajredin Kuçi
Madje, me forcimin e pozicionit të saj pas mendimit të GJND-së, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk përjashtoi mundësinë edhe të kushtëzimit të bisedimeve.

“Si çdo shtet sovran dhe i pavarur do të sillemi edhe ne - besoj edhe të tjerët do të sillen përballë nesh”, tha Kuçi.

Analisti politik, Agron Bajrami, nuk mendon se është koha e duhur për të zhvilluar bisedime, në kohën kur Serbia, edhe përmes Kuvendit të saj, nxori një rezolutë, ku përsërit qëndrimin se nuk do ta njohë kurrë Kosovën.

“Në mungesë të konsensusit apo unitetit të vet përballë Kosovës, BE-së dhe përballë GJND-së, BE tani mundohet që topin, apo pateten e nxehtë, t’ua hedhë palëve - pra Prishtinës dhe Beogradit".

"Ende pa e pasur të qartë se për çka duhet të bisedohet, BE-ja ofrohet si ndërmjetësues dhe u bën thirrje të dyja palëve që të afrohen rreth asaj tavoline. Unë mendoj se është iluzore të pritet ndonjë bisedim konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë në kohën kur veriu është ende problem”.

“Beogradi edhe më tutje vazhdon me politikën e vet dhe duket se do të tentojë të jetë edhe më agresiv në kundërshtimin e pavarësisë, përmes një rezolute që ata duan ta paarqesin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”,
tha Bajrami.

Ky konstatim përforcohet nga sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq. Për Ivanoviqin, mendimi i GJND-së, sipas të cilit pavarësia nuk ka shkelur të drjetën ndërkombëtare, është një ëndërr, duke bërë thirrje që ky ‘iluzion të lihet anash’ dhe të flitet për bisedimet për statusin.

Oliver Ivanoviq
“Nuk do të ndryshojë qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës, sepse Serbinë e obligon edhe e drejta ndërkombëtare, edhe kushtetuta e saj, që e definojnë këtë territor si pjesë përbërëse të Serbisë. Në interes të shqiptarëve të Kosovës është politika e stabilitetit, e cila nuk mund të arrihet nëse Serbia nuk është e kënaqur".

"Serbia nuk është e kënaqur me këtë zgjidhje dhe kjo do të jetë shkas i jostabilitetti të vazhdueshëm politik. Unë apeloj te të gjithë për pjekuri politike dhe shqyrtim strategjik, që t'i lënë mënjanë këto ëndrra romantike për pavarësinë dhe që të ulen edhe njëherë, të gjejnë zgjidhje, e cila do të jetë e pranueshme për Serbinë dhe shqiptarët e Kosovës”,
deklaroi Ivanoviq.

Agron Bajrami vlerësoi se, si Bashkimi Evropian, ashtu edhe Serbia, lëshuan momentin ideal për të ndryshuar qasjen ndaj Kosovës. Kështu që, sipas tij, Kosova, hë për hë, nuk duhet të merret as me BE-në e as me Beogradin, të paktën deri në muajin shtator, por të forcojë shtetësinë dhe të sigurojë njohje të reja.
Të mos ia lëmë rastit apo vullnetit individual të shteteve që të vendosin se kur do të na njohin, por të punojmë që ato të na njohin sa më parë.

“Ajo që mund të bëjmë është që muajin gusht ta shfrytëzojmë për t'i gjeneruar ato njohje, që janë paralajmëruar se do të vijnë. Të mos ia lëmë rastit apo vullnetit individual të shteteve që të vendosin se kur do të na njohin, por të punojmë që ato të na njohin sa më parë".

"Për mua do të ishte shumë më e vlefshme që në këto dy-tri ditët e para pas GJND-së, të kishim pasur 2-3 njohje, në vend se të presim se çka do të thotë BE-ja dhe çka do të thotë Serbia”,
u shpreh Bajrami.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi është optimist se politika në Serbi do të ndryshojë pas mendimit të GJND-së. Ai nuk shprehet nëse duhet pritur që Serbia ta njohë Kosovën para se kjo e fundit të hyjë në bisedime me këtë shtet.

Por, ai e përjashton çdo mundësi të bisedimeve për statusin.

“Çështja e njohjes është e drejtë sovrane e secilit shtet veç e veç. Mendoj se mendimi i GJND-së e ka kthjelluar. Ne e kuptojmë reagimin emocional të Serbisë, por dua të besoj se mendimi i GJND-së ka kthjelluar mendjet e qytetarëve serbë në Serbi, e besoj edhe të politikës serbe".

"Kërkohet kohë për reagim më pozitiv, por beosj se tanimë çdo gjë është e qartë, edhe në kuptimin politik, por edhe në atë juridik”,
tha Kuçi.

BE-ja është ofruar t'i ndërmjetësojë këto bisedime, por analistët në Prishtinë thonë se Kosova duhet të kërkojë që ndërmjetëse të jenë edhe SHBA-të.
XS
SM
MD
LG