Ndërlidhjet

Fundi apo vazhdimi i mbikëqyrjes?


Kosova po hyn suksesshëm nga faza e pavarësisë së mbikëqyrur, në atë të pavarësisë së plotë, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi. Ky konstatim i tij, është hedhur poshtë nga opozita, e cila vlerëson se Kosova, me gjithë përparimet e arritura, ende nuk e ka atë shkallë të zhvillimit që i garanton asaj kalimin në fazën e pavarësisë së plotë dhe të pambikëqyrur ndërkombëtare.


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar t’u propozojë qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare, sidomos Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Para kabinetit të tij qeveritar, Thaçi ka thënë se Kosova tashmë ka përmbushur 90 për qind të obligimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, dhe se tani, sipas tij, Kosova duhet të kalojë nga faza e mbikëqyrjes, në fazën e pavarësisë dhe shtetësisë së plotë.

Hashim Thaçi

“Angazhimet tona do të vazhdojnë të jenë plotësisht në përputhshmëri me standardet perëndimore, me vizionin tonë për t’u integruar sa më shpejt në NATO, BE dhe në OKB”.

“E, në veçanti, tani kur po përmbyllet suksesshëm procesi i pavarësisë së mbikëqyrur, sipas modelit të presidentit Ahtisari, pasi që tashmë e kemi zbatuar 90 për qind të këtij dokumenti. Po hapet kapitulli i ri, ai i mëvetësisë së plotë dhe i integrimit në strukturat euroatlantike”
, ka deklaruar Thaçi.


Ideja apo propozimi i kryeministrit të Kosovës, nga opozita është cilësuar si pjesë e politikës për konsum të brendshëm.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, ka thënë se kjo shkallë e zhvillimit të institucioneve të Kosovës, zhvillimi i saj ekonomik dhe shkalla e lartë e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk garantojnë përfundimin e tashëm të fazës së pavarësisë së mbikëqyrur.

“Pavarësisht suksesit që është bërë në procesin e decentralizimit dhe participimit të minoriteteve, ka shumë elemente tjera që janë në kundërshtim me kërkesën që bën kryeministri”.

Pavarësisht suksesit që është bërë në procesin e decentralizimit dhe participimit të minoriteteve, ka shumë elemente tjera që janë në kundërshtim me kërkesën që bën kryeministri.

“Posaçërisht këtu duhet përmendur qeverisjen e keqe dhe shkallën e lartë të korrupsionit që mbretëron në Qeveri, që e bën kërkesën e kryeministrit, jo vetëm të parealizueshme, por edhe të parespektueshme”, ka theksuar Arifi.

Duke elaboruar idenë e kryeministrit Thaçi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se propozimi është shumë serioz. Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë arritur kapacitete të mjaftueshme të funksionojnë si të pavarura dhe pa mbikëqyrje të vazhdueshme.

Pastaj, Pakoja e Ahtisarit, ka nënvizuar ai, është përmbushur gati në tërësi, kurse me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të pavarësisë së Kosovës, Kuçi ka thënë se edhe subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit të Kosovës ka fituar një pozicion të ri ndërkombëtar.

Mirëpo, Avni Arifi në anën tjetër, ka shprehur mendimin se duhet pritur edhe raportin e ardhshëm të progresit që do të publikohet në vjeshtë nga Komisioni Evropian, para se të konstatohen përparime të tilla nga ana e Qeverisë.

“Do të shohim edhe vlerësimin e ndërkombëtarëve në raportin e progresit, ku do të shihet qartë se sa është e arritshme dhe e mundshme një kërkesë e tillë. Por, ne shpesh kemi parë nga kryeministri që të bëjë kërkesa, të cilat faktikisht nuk mund t’i mbështesë në bazën e argumenteve”
, është shprehur Arifi.

Bazuar në Planin e Ahtisarit, pavarësia e mbikëqyrur parashihej për një fazë dyvjeçare, por me mundësi vazhdimi, varësisht përparimeve që do të arrijë shteti i Kosovës.

Mbikëqyrja e zhvillimit të shtetit të Kosovës kalon përmes Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, përderisa këtu funksionon edhe misioni i BE-së për sundim të ligjit, i cili në disa raste ka kompetenca ekzekutive mbi institucionet vendase.

Bashkimi Evropian tashmë ia ka vazhduar mandatin edhe për dy vjet misionit të EULEX-it, pa i ndryshuar karakterin këtij misioni.

Sidoqoftë, mbetet të shihet reagimi i Uashingtonit dhe Brukselit pas propozimit zyrtar që kryeministri Thaçi ka paralajmëruar se do të bëjë në lidhje me fundin e fazës mbikëqyrëse të pavarësisë.

Lexoni edhe këtë: Pavarësia e (pa)mbikëqyrur
XS
SM
MD
LG