Ndërlidhjet

Mbi 200 milionë euro borxhe


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Administratës Tatimore të Kosovës bizneset i kanë borxh mbi 200 milionë euro. Borxhlinjtë më të mëdhenj, sipas drejtuesit të ATK-së, Behxhet Haliti, janë kryesisht ndërmarrjet publike dhe bizneset që veprojnë në enklavat serbe.

“Borxhet në fillim të vitit kanë qenë 236 milionë, prej tyre borxh tatimor kryesor janë rreth 40 për qind, ndërsa pjesa tjetër janë ndëshkime dhe interesa”.

“Në kuadër të atij 260 milionëshit, rreth 30 milionë janë borxhe për kontribute pensionale. Borxhlinjtë më të mëdhenj kryesisht janë ndërmarrjet publike”,
thotë Haliti.

Në Ligjin për Administratën Tatimore thuhet se në qoftë se një person, i cili është i detyruar të paguajë një lloj tatimi, sipas legjislacionit të zbatueshëm në Kosovë, nuk paguan ose refuzon të paguajë shumën brenda 10 ditëve pas dorëzimit të vlerësimit, mbi të gjitha pasuritë që i përkasin atij personi, do të vendoset një barrë pagese në një shumë të barabartë me tatimin e papaguar, plus interesin, pagesën ndëshkimore dhe shpenzimet e mbledhjes.

Njohës të çështjeve ekonomike pohojnë se është rritur numri i personave që në mënyrë vullnetare i kryejnë obligimet e tyre, por ka edhe biznese që me vështirësi i përmbushin detyrimet e tyre.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë në Kosovë nevojitet krijimi i një kulture të mirëfilltë fiskale.

“Tatimet në Kosovë, në një masë shumë të madhe janë duke u paguar vullnetarisht, por ende mbetet për t'u vetëdijesuar qytetari kosovar që obligimet ndaj shtetit duhet të kryhen për atë që ka kryer veprimtarinë e vet dhe është ngarkuar me ndonjë taksë. Por, edhe ATK-ja duhet të ketë kujdes që t'i ngarkojë bizneset me taksa reale dhe mos të shkojë me paragjykime”,
thekson Shahini.

Ndërkohë, udhëheqës të Administratës Tatimore, thonë se për periudhën janar-korrik kanë realizuar 61 për qind të planit të përgjithshëm vjetor të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës.

Administrata Tatimore e Kosovës, për shtatë muajit e parë të këtij viti, ka realizuar 131 milionë euro, apo 61 për qind të planit të përgjithshëm vjetor të përcaktuar nga Qeveria.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Behxhet Haliti, thotë se të hyrat tatimore për periudhën janar-korrik, janë më të mëdha për 14.82 milionë euro, ose shprehur në përqindje 12.8 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Gjatë muajit korrik, Administrata Tatimore ka mbledhur rreth 29 milionë euro, apo shprehur në përqindje rreth 12 për qind, më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa, në total, deri në fund të korrikut, kemi grumbulluar 131 milionë”.

“Paralelisht me këtë, ne kemi grumbulluar plus 45 milionë euro, që gjithsej arrijnë në 176 milionë euro. Dyzetepesë milionë euro janë mbledhur në emër të kontributeve pensionale. Kjo neve na siguron se jemi në rrugë të mirë drejt përmbushjes së objektivave, që janë parashtruar nga Qeveria”,
shpjegon Haliti.

Rritja e grumbullimit të të hyrave tatimore, sipas tij, ka ndodhur për shkak se qytetarët dhe bizneset në Kosovë tashmë janë vetëdijesuar për kryerjen e detyrimeve tatimore që kanë ndaj shtetit. Megjithatë, ai shfaq shqetësimin për borxhet edhe më tej të papaguara të ndërmarrjeve dhe bizneseve ndaj ATK-së.

XS
SM
MD
LG