Ndërlidhjet

Forcimi i strukturave paralele


Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Përfaqësuesit e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës thonë se nuk i shqetëson fakti që organet, të cilat i drejtojnë, konsiderohen ilegale dhe të papranueshme nga institucionet e Kosovës dhe ato të pranisë ndërkombëtare.

Duke mos i njohur institucionet e shtetit të Kosovës, këta përfaqësues thonë se gradualisht edhe ajo pjesë e pranisë ndërkombëtare që nuk i njeh institucionet e pushtetit paralel të Serbisë në Kosovë, do t’i pranojë ato, pasi që, sipas tyre, ata janë përfaqësuesit legjitimë të serbëve.

Marko Jakshiq
Marko Jakshiq, nënkryetar i Asamblesë së Komunave Serbe të Kosovës, organ ky i cilësuar si ilegal nga Prishtina zyrtare, thotë se nuk është e gjithë bashkësia ndërkombëtare kundër strukturave të pushtetit të Serbisë në Kosovë.

“Kjo nuk është bashkësia ndërkombëtare. Aty janë vetëm vendet perëndimore. Bashkësia ndërkombëtare përbën një numër më të madh shtetesh, si Rusia, Kina e India, të cilat nuk e pranojnë shtetin e Kosovës”, thotë Jakshiq.

Ndërkohë, edhe sekretari në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, beson se udhëheqësit e strukturave të pushtetit paralel, një ditë do të merren seriozisht nga ndërkombëtarët, duke i njohur ata si përfaqësuesit legjitimë të serbëve.

Oliver Ivanoviq
“Është krejtësisht e parëndësishme ajo që përfaqësuesit ndërkombëtarë e përsërisin, se nuk do të na njohin, ngase ata nuk do të kenë bashkëbisedues të tjerë”,
thotë Ivanoviq.

Duke besuar se udhëheqësit e strukturave paralele janë të zgjedhurit e serbëve, Ivanoviq pret që edhe bashkësia ndërkombëtare t’i trajtojë ata si liderë të vërtetë të këtij komuniteti, duke i injoruar serbët që marrin pjesë në institucionet e shtetit të Kosovës.

Zgjedhjet e fundit lokale serbe në Mitrovicë, të mbajtura më 30 maj të këtij viti, sollën si rezultat formimin e komunës serbe të Mitrovicës, e cila nuk njihet nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës.

Kryetarja e zgjedhur nga ky proces, i cilësuar si ilegal, Ksenija Bozhoviq, pret që në rend të parë të bashkëpunojë me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, në kuadër të misionit të UNMIK-ut.

Sidoqoftë, Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës tashmë po punojnë që në Mitrovicë dhe komunat veriore, bazuar në Planin e Ahtisarit dhe procesin e decentralizimit, të organizojnë zgjedhje të lira, duke synuar kështu vendosjen e ligjshmërisë atje, në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Me zgjedhjet e fundit komunale, institucionet e Kosovës kanë margjinalizuar në një masë të caktuar strukturat e pushtetit të Serbisë në pjesën qendrore dhe lindore, duke ngritur institucione legale nëpër komunat, ku serbët përbëjnë shumicën.

Por, veriu mbetet ende një hapësirë ku këto struktura funksionojnë tërësisht jashtë kontrollit të autoriteteve të Kosovës dhe pranisë ndërkombëtare, andaj zgjedhjet atje dhe shuarja e strukturave paralele shihen si më sfiduese.
XS
SM
MD
LG