Ndërlidhjet

AAK insiston: Ka bisedime të fshehta


Ndonëse sërish nuk ofron detaje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon ta akuzojë Qeverinë se po bisedon fshehtë me Qeverinë e Serbisë. Pas cilësimit të këtyre deklaratave si qesharake nga ana e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në emër të Qeverisë së Serbisë, edhe zyrtari i saj, Oliver Ivanoviq, deklaron se nuk ka dhe nuk do të ketë bisedime të fshehta.


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon ta akuzojë Qeverinë se po zhvillon bisedime të fshehta me Serbinë.

Ndonëse sërish nuk zbulon detaje dhe fakte që flasin për zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, që, sipas AAK-së, po bisedojnë me Serbinë, kjo parti insiston se në mesin e temave që po bisedohen, janë edhe blerja e energjisë nga Serbia, bizneset private apo edhe çështjet që ndërlidhen me veriun.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ngjashëm me deklaratat e mëparshme, edhe pse nuk jep detaje, thotë se bisedimet e fshehta po zhvillohen.

Ardian Gjini

“Do të vijë koha kur publiku do të informohet për çdo detaj. Asnjëherë s'kanë mundur të mbahen fshehtë këto gjëra përgjithmonë”.

“Kryeministri, në vend se të bëjë kualifikime, mendojmë se ai duhet t’i shohë paksa më serioze këto çështje dhe jo si qesharake, si bisedimet për blerjen e energjisë nga Serbia dhe mos harroni se ka shumë takime tjera që zhvillohen dhe publiku nuk është i informuar se për çka flitet aty”
, shprehet Gjini.

Kryeministri Hashim Thaçi i ka cilësuar si qesharake deklaratat e zyrtarëve të AAK-së, duke mos dashur t’i komentojë më gjatë.

Ndërsa AAK-ja ka përmendur ndër tjera edhe veriun e Kosovës si pjesë të bisedimeve të fshehta, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se për problemet në këtë pjesë të vendit, Kosova bisedon vetëm me praninë ndërkombëtare dhe serbët lokalë, por jo edhe me Serbinë.

Hajredin Kuçi


“Nuk kemi nevojë që të bëjmë një kompromis në raport me Serbinë. Tërësia territoriale, pavarësia, organizimi i brendshëm dhe karakteri unik i sistemeve në Kosovë, janë çështje të brendshme të Kosovës”.

“Në këtë drejtim, ne bashkëpunojmë me popullatën lokale atje, misionet ndërkombëtare që janë në Kosovë dhe Serbia nuk ka asnjë rol në këtë drejtim”
, sqaron Kuçi.


Forma e bisedimeve të fshehta, kundërshtohet edhe nga sekretari në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq.
Oliver Ivanoviq


“Nuk ka kurrfarë bisedimesh të fshehta. Ose do të jenë publike, ose nuk do të ketë fare bisedime. Edhe po të ketë bisedime të tilla, ato një ditë duhet të bëhen publike”.

“Çdo tendencë që dikush fshehtas të bisedojë për gjëra të ndryshme që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës, do të ishte gabim i madh
”, nënvizon Ivanoviq, duke inkurajuar të dyja qeveritë që, nëse duan të bisedojnë, duhet të kenë guximin që kjo të ndodhë publikisht.


Sipas AAK-së, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe ata të Qeverisë së Serbisë kanë zhvilluar muajt dhe ditët e fundit disa takime të fshehta. Por, megjithatë kjo parti politike deri më tani nuk ka dhënë ende ndonjë fakt se ku dhe nga kush janë zhvilluar këto bisedime të fshehta.

Ndryshe, bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga Qeveria në Prishtinë vazhdimisht janë cilësuar si një prej përkushtimeve të diplomacisë kosovare në të ardhmen, por këto bisedime, sipas Qeverisë, kurdo që do të zhvillohen, nuk do të dallojnë nga kontaktet që Kosova zhvillon si shtet edhe me vendet tjera fqinje.
XS
SM
MD
LG