Ndërlidhjet

Mesha e Shenjtë në Katedralen “Nëna Terezë”


Portreti i Nënë Terezës
Portreti i Nënë Terezës

Në Katedralen “Nëna Terezë”, në Prishtinë, u mbajt mesha e parë, e cila u drejtua nga i dërguari i Papës, arqipeshkvi i Tivarit, Zef Gashi. Të pranishëm në këtë meshë ishin edhe personalitete të shumta të jetës publike, përfshirë edhe imamin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, dhe kryetarin i Kuvendit, Jakup Krasniqi.


Në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë, u mbajt mesha e parë, inauguruese, për nder të 100-vjetorit të lindjes së humanistes dhe nobelistes Nënë Tereza.

Pas një fjale rasti të ipeshkvit Dodë Gjergji, filloi Mesha Shenjtë, të cilën e drejtoi i dërguari i Papës, arqipeshkvi i Tivarit, Zef Gashi.

Të pranishëm në këtë meshë inauguruese ishin dhe imami i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, si dhe figura politike, ndër ta edhe kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi.

Me këtë rast, i dërguari i Papës, arqipeshkvi i Tivarit, Zef Gashi, tha se e gëzonte pjesëmarrja e personaliteteve të ndryshme në meshën e parë në Katedralen “Nëna Terezë”.

Gashi citoi fjalët e Papës për Nënë Terezën, duke e quajtur atë si nënë bamirëse e botës.
Të dashur, nuk mund të mos e përshëndes një person shumë të përvuajtur që gjendet mes nesh, është Nënë Tereza e Kalkutës – atdheu i saj është këtu.


“Të dashur, nuk mund të mos e përshëndes një person shumë të përvuajtur që gjendet mes nesh, është Nënë Tereza e Kalkutës – atdheu i saj është këtu. Ishte një murgeshë e përvuajtur, kjo shërbëtore e fëmijëve, e më të varfërve, e cila e bartte në gjithë botën emrin e atdheut tuaj - ishin fjalët e Papës”, tha ipeshkvi Gashi, duke cituar Papën.

Ndërkohë, imami i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, tha se ndërtimi i Katedrales në qendër të Prishtinës tregon se ky popull është i orientuar kah toleranca fetare, paqja dhe dinjiteti.

Tërnava bëri thirrje që edhe besimtarët e fesë islame të kenë një xhami afër Katedrales, duke marrë si shembull politikën e presidentit Barak Obama.
...t’i gëzojmë besimtarët myslimanë shqiptarë me ndërtimin e xhamisë përballë kësaj katedrale, të cilën po e inaugurojmë sot..

“Ta ndjekim politikën vizionare të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, i cili është i përkushtuar në ndërtimin e xhamisë në Nju-Jork dhe t’i gëzojmë besimtarët myslimanë shqiptarë me ndërtimin e xhamisë përballë kësaj katedrale, të cilën po e inaugurojmë sot”, u shpreh imami Tërnava.

Në emër të spektrit politik dhe institucional, të pranishmëve në këtë meshë u është drejtuar me një fjalim edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Jakup Krasniqi

“Kjo Katedrale, që qëndron madhështore në zemër të kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, është simbol i fesë katolike, i bashkëjetesës, i humanizimit dhe i tolerancës fetare që e karakterizon kombin tonë që nga lindja e tij”.


“Ky tempull i besimit do të shërbejë si shtëpi e paqes dhe e dashurisë për njëri-tjetrin, si shtëpi e tolerancës ndaj diversitetit, e përkujdesjes për të pambrojturin dhe të vobektin, e paqes dhe e respektit ndaj jetës - reflektim i veprës së Nënë Terezës”, theksoi Krasniqi.

Derisa po zhvillohej mesha e parë në Katedralen Nënë Tereza, një organizatë me emrin “Rinia Jonë” kishte ekspozuar disa fotografi në qendër të Prishtinës, ku pasqyrohej falja e besimtarëve islam dhe kushtet e tyre.

Driton Sylejmani nga organizata “Rinia Jonë” tha se nuk e kundërshtojnë ndërtimin e katedraleve, por kërkojnë që edhe besimtarëve islamë t’u krijohen kushte normale për falje.
Qëllimi ynë nuk është që të krijojmë konflikte ndërfetare, mirëpo të shihet se besimtarët myslimanë nuk kanë hapësirë ku të falen.


“Besimtarët islamë, të cilët janë në numër mbi 90 për qind, falen në shi, në borë, në kushte të këqija atmosferike dhe nuk kanë vend ku t’i kryejnë obligimet e tyre fetare. Qëllimi ynë nuk është që të krijojmë konflikte ndërfetare, mirëpo të shihet se besimtarët myslimanë nuk kanë hapësirë ku të falen”, u shpreh Sylejmani.

Ndryshe, punimet në Katedralen “Nëna Terezë” do të vazhdojnë. Mesha e parë e mbajtur të dielën, ishte pjesë e një programi që shënon 100-vjetorin e lindjes së humanistes së madhe.

Kjo katedrale është ndërtuar me kërkesë të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
XS
SM
MD
LG