Ndërlidhjet

Resurset potenciale për investitorët


Kosova ka pozitë gjeografike dhe resurse të mjaftueshme për të tërhequr investitorë të huaj, por një gjë e tillë nuk po promovohet nga autoritetet kompetente, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Eksperti i ekonomisë, Haki Shatri, vlerëson se Kosova është vend ekonomikisht i pazhvilluar dhe se zhvillimi i saj mbështetet në resurset e disponueshme.

Shatri përmend disa nga resurset që posedon vendi dhe që janë atraktive për investitorët potencialë.

“Fjalën e kam në rend të parë për faktorin njeri, një potencial, popullsi e re, e pashfrytëzuar as për së afërmi me mundësitë që ka. Resurset tjera që i vlerësojnë mjaft të rëndësishme, janë pasuritë nëntokësore - fjalën e kam për rezervat e linjitit në sferën e energjisë, pastaj pasuritë minerale”, shprehet Shatri.

Sipas tij, Kosova hyn në grupin e parë të vendeve të rajonit, për resurse të mjaftueshme dhe të pasura.

Shatri thotë se me një angazhim më të madh të autoriteteve kompetente, do të kishte investime të huaja dhe në këtë mënyrë, sipas tij, do të sigurohej prosperiteti ekonomik.

Edhe eksperti Milazim Abazi thotë se, me gjithë hapësirat e mjaftueshme për investime, barrierat e shumta në këtë sektor i kanë bërë investitorët të hezitojnë për të investuar në Kosovë.

Abazi thotë se Kosova ka potenciale që të mbijetojë me resurset e veta, porse Qeveria e Kosovës, sipas tij, nuk është e angazhuar shumë në këtë drejtim.

“Resursi kryesor është fuqia punëtore, ajo është mjaft e re, e shkolluar, mirëpo nuk ka ku ta tregojë veten. Ka mundësi të ndryshme të investimeve në lëmi të ndryshme, për shkak se Kosova mbi 90 për qind të produkteve ende i importon. Kështu që, kudo mund të gjendet mundësi për të investuar, sidomos në lëmin e ushqimit”, theskon Abazi.

Ai kritikon autoritetet kosovare se po krijojnë një ambient të paqëndrueshëm për investime dhe po pengojnë hyrjen e kompanive të mëdha në tregun kosovar.

“Autoritetet qendrore shumë herë po e pengojnë ardhjen e investimeve, duke vonuar marrjen e vendimeve. Jemi të gjithë dëshmitarë se sa jemi vonuar për marrjen e vendimeve për 'Kosovën e Re', derisa u bë aq e keqe ajo situatë, saqë investitorët e mirëfilltë filluan të tërhiqen”, shprehet Abazi.

Ekspertët e ekonomisë thonë se për të dalë nga kjo gjendje e rëndë ekonomike, në të cilën aktualisht është Kosova, duhet të shfrytëzohen potencialet e vendit, në mënyrë që të krijohet rritje ekonomike.

Lexoni edhe këto:
Shuarja e bizneseve dhe pasojat e tyre
Ndikimi i politikës tek investitorët e huaj
XS
SM
MD
LG