Ndërlidhjet

Serbët ndihen "të tradhtuar" nga Beogradi


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë
Përfaqësuesit politikë serbë nga Mitrovica veriore thonë se ndihen të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga autoritetet e Beogradit, pas miratimit të rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Këshilli Nacional Serb, që për Prishtinën zyrtare cilësohet si një organ paralel i pushtetit, ka vlerësuar sot se presidenti dhe Qeveria e Serbisë kanë tradhtuar jo vetëm serbët e Kosovës, por edhe aleatët e Serbisë.

Kryetari i Bordit Ekzekutiv të Këshillit Nacional Serb, Momir Kasalloviq, tha se Qeveria aktuale serbe pësoi një humbje poshtëruese në Nju Jork.
Kjo rezolutë që u miratua në Kombet e Bashkuara, paraqet një tradhti klasike nga Qeveria aktuale serbe...

“Kjo rezolutë që u miratua në Kombet e Bashkuara, paraqet një tradhti klasike nga Qeveria aktuale serbe”, tha Kasalloviq.

“Një humbje të tillë, një shtet sovran nuk duhet ta pranojë dhe atë nuk e ka pritur askush nga serbët e Kosovës”, tha ai.

Duke shprehur zhgënjimin me Qeverinë e Serbisë, Kasalloviq tha se serbët e veriut do t’i drejtohen Rusisë, me kërkesë që të hapë një përfaqësi diplomatike në veri të Mitrovicës.

“Do të ndërmarrim nismën dhe do të shkojmë te ambasadori i Federatës Ruse, nga i cili do të kërkojmë që në veri të Mitrovicës të hapet një konsullatë, e cila do të jetë degë e ambasadës ruse në Beograd”,
tha Kasalloviq, duke shpresuar se Rusia do t’i mbronte më me dinjitet të drejtat e komunitetit serb në Kosovë.

Zhgënjimin e vet me kompromiset e presidentit Boris Tadiq dhe të Bashkimit Evropian e shprehu edhe njëri nga liderët e serbëve të veriut, Milan Ivanoviq.
Kjo rezolutë do të thotë humbje e re për politikën e regjimit aktual serb në lidhje me Kosovën...

“Kjo rezolutë do të thotë humbje e re për politikën e regjimit aktual serb në lidhje me Kosovën dhe paraqet një vazhdimësi të humbjeve këto dy vjetët e fundit”, tha Ivanoviq.

Kompromiset e Qeverisë serbe lidhur me këtë rezolutë, sipas tij, do të vështirësojnë edhe më shumë pozitën e serbëve të Kosovës.

Mitrovicë
Zhgënjimin e tyre nuk e fshehin as qytetarët e komunitetit serb nga Mitrovica.

“Ndihem i përulur, i turpëruar dhe njëherësh edhe i zhgënjyer me Qeverinë e Serbisë, e cila lejoi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera të Kuintit t’ia diktojnë politikën e saj të jashtme, duke ia kthyer shpinën Rusisë dhe aleatëve të tjerë të serbëve”, thotë qytetari Radivoje Negojeviq.

Ndërkohë, ka edhe të atillë që besojnë se rezoluta nuk do të ndikojë me asgjë në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Kjo nuk do të ndryshojë asgjë në jetën e serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, të cilën unë edhe më tutje nuk do ta shoh si shtet të pavarur, por si një vend ku gjendja ekonomike e sociale është shumë e rëndë, kurse çdo vit shtohet numri i të papunëve”, thotë qytetarja Tatjana Vujisiq.

Të zhgënjyer me politikën e autoriteteve qeveritare në Beograd, serbët e veriut thonë se shpresat e tyre tani i ndërlidhin tek opozita në Serbi, duke pritur që ajo të bëjë trysni mbi Qeverinë aktuale, që të ndryshohet politika e Serbisë në raport me shtetin e Kosovës, të cilin strukturat në veri refuzojnë kategorikisht që ta pranojnë.
XS
SM
MD
LG