Ndërlidhjet

Si të parandalohen vetëvrasjet?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Numri i vetëvrasjeve në Kosovë, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ka shënuar rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por, megjithatë, është rritur numri i personave që kanë tentuar të bëjnë vetëvrasje.

Sipas statistikave zyrtare të policisë, në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar në Kosovë janë shënuar 38 vetëvrasje dhe 156 tentim-vetëvrasje.

Mosha e atyre që kanë bërë vetëvrasje është prej 21 deri në 30 vjeç, ndërkaq pjesëtaret e gjinisë mashkullore kanë kryer disa herë më shumë akt, sesa femrat, por e kundërta e kësaj paraqitet te rastet e tentim-vetëvrasjeve.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, tregon statistikat zyrtare për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

“Mund të konfirmoj se nga periudha kohore janari 2010 deri më 30 qershor 2010, në territorin e Republikës së Kosovës janë regjistruar 32 vetëvrasje dhe 182 vetëvrasje në tentativë”, thotë Kelani

Pavarësisht kësaj, në Ditën Ndërkombëtare për Parandalimin e Vetëvrasjeve, ekspertë të shëndetit mendor thonë se kjo dukuri në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese.

Sami Uka, nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë se vetëvrasjet duhet të trajtohen më me seriozitet nga autoritetet kompetente, në mënyrë që të gjenden forma për parandalimin e tyre.
Vetëvrasjet kanë marrë përmasa shqetësuese krahasuar me nivelet e mëhershme të vetëvrasjeve në Kosovë...

“Vetëvrasjet kanë marrë përmasa shqetësuese, jo krahasuar me nivelet e vetëvrasjeve në shtetet tjera të Evropës, por shumë shqetësuese krahasuar me nivelet e mëhershme të vetëvrasjeve në Kosovë”.

“Ne kemi qenë të njohur në të gjithë botën, jo vetëm si Kosovë, por edhe si shqiptarë se kemi nivelin më të ulët të vetëvrasjeve, në të kaluarën. Ndërkaq, tani, po i afrohemi trendit evropian”,
deklaron Uka.

Por, Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, thotë se përpjekjet për parandalimin e kësaj dukurie nuk mungojnë, edhe pse, sipas tij, kontributi duhet të jepet nga të gjitha segmentet e shoqërisë.
Ministria e Shëndetësisë vlerëson se mënyra më e mirë për parandalimin e vetëvrasjeve është promovimi i shëndetit mendor...

“Ministria e Shëndetësisë vlerëson se mënyra më e mirë për parandalimin e vetëvrasjeve është promovimi i shëndetit mendor, gjegjësisht avancimi i funksioneve të qendrave të shëndetit mendor në Kosovë, duke qenë se disa prej faktorëve që sjellin deri te vetëvrasjet, janë të lidhur me natyrën psikike”.

“Në këtë aspekt, Ministria e Shëndetësisë ka funksionalizuar disa qendra të shëndetit mendor, si në Skenderaj, Drenas, Podujevë, Gjakovë etj. Avancimi i shëndetit mendor dhe parandalimi i vetëvrasjeve janë sfida që dalin edhe nga raporti i progresit për Kosovën, për fushën e shëndetësisë“,
thekson Hoti.

Ekspertë të shëndetit mendor thonë se faktorët që kanë ndikuar në rritjen e numrit të vetëvrasjeve, janë: kushtet e vështira socio-ekonomike dhe traumat e luftës, pasi, sipas tyre, numri i vetëvrasjeve në Kosovë ka qenë simbolik deri në përfundimin e luftës.

Ndërsa, prej vitit 2000 deri në vitin 2008, sipas statistikave të policisë, vetëvrasje në Kosovë kanë bërë 526 persona.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm brenda ditës në gjithë botën vetëvrasje bëjnë 3000 persona, kurse gjatë një viti numri i vetëvrasjeve arrin në 1 milion.
XS
SM
MD
LG