Ndërlidhjet

Bisedimet shpejtojnë rrugën drejt BE-së


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Rezoluta e fundit për Kosovën, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, i sjell përfitime si Kosovës, ashtu edhe Serbisë, u tha sot gjatë një debati të zhvilluar në Çagllavicë, me temën “A është rezoluta e Serbisë dhe BE-së sfidë për Kosovën?”.

Në debat morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ata të Zyrës Civile Ndërkombëtare si dhe përfaqësues të komunitetit serb, që marrin pjesë në institucionet e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se rezoluta prodhon efekte pozitive për të dyja shtetet fqinje, andaj, sipas tij, tash është koha që Kosova dhe Serbia të nisin dialogun si dy shtete sovrane. Por, që bisedimet e ardhshme të mos dështojnë, Krasniqi tha se ato duhet të përgatiten mirë.

Jakup Krasniqi
“Klasa politike në Kosovë, në asnjë moment, nuk ka qenë kundër bisedimeve me politikën që është udhëhequr në Beograd. E sa do të zgjasin bisedimet, unë nuk jam profet, por dëshiroj që bisedimet të përgatiten”.

“Natyrisht, do të ishte shumë më mirë që BE-ja ta kishte edhe një mbështetës në këto bisedime, sepse në perëndim ne kuptojmë edhe SHBA-të, edhe BE-në, dhe konsiderojmë se edhe rezultati i bisedimeve do të ishte më i shpejtë, më i prekshëm dhe në interes të të gjithëve”,
tha Krasniqi.

Ndërkaq, zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Endi Mekgafi, tha se rezoluta paraqet një mundësi reale për vendet e rajonit, e jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë. Siç tha ai, kjo rezolutë hap rrugën drejt integrimit të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.
...promovimi i bashkëpunimit dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve duhet të jenë qëllimi kryesor.

Kurse, dialogu midis Kosovës dhe Serisë, siç tha Mekgafi, duhet përqendruar në çështjet për të cilat dëshirojnë të flasin të dyja palët.

“Nga perspektiva ndërkombëtare ne kemi një bazë të përbashkët për të gjithë, për të shikuar drejt së ardhmes dhe për t’u përqendruar në çështje praktike. Kjo rezolutë hap një fazë të re, në të cilën promovimi i bashkëpunimit dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve duhet të jenë qëllimi kryesor”, tha Mekgafi.

Sllobodan Petroviq
Edhe kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq, tha se kjo rezolutë i ka hapur tashmë dyert për fillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Vetë rezoluta ka për qëllim që Prishtina dhe Beogradi drejtpërdrejt të jenë pjesëmarrës në këto bisedime dhe përmes bisedimeve t’i ndihmojnë qytetarët e Kosovës, Serbisë dhe rajonit”, u shpreh Petroviq.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme është vlerësuar nga autoritetet e Prishtinës si legjitimim i mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe avancim i pozicionit të Kombeve të Bashkuara në raport me pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG