Ndërlidhjet

Bosnjë: Kandidatët e moderuar në presidencë


Bakir Izetbegoviq
Bakir Izetbegoviq
Kandidati i moderuar mysliman duket sikur i është afruar presidencën kolektive të Bosnjës pas fitores në zgjedhjet e djeshme.

Rezultatet treguan se Bakir Izetbegoviq, djali i ish-liderit të Bosnjës, Alija Izetbegoviq, ka fituar rreth 34 % të votave, duke mundur presidentin aktual, Haris Silajxhiq.

Duke folur pas shpalljes së rezultateve, Izetbegoviq u zotua të bashkëpunojë me grupet tjera etnike për të inkurajuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai tha se politika që do të udhëhiqet në presidencën kolektive, nuk do të dallohet nga politika e Partisë së Aksionit Demokratik në 20 vjetët e fundit.

“Ne po shkojmë sipas mendimit tim drejt stabilizimit të situatës në Bosnjë, për të sjellë një të ardhme më të mirë për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, e cila nënkupton paqe dhe kushte më të mira për zhvillimin e vendit”,
tha Izetbegoviq.

Rezultatet preliminare po ashtu treguan se anëtari kroat i presidencës, nga Partia Socialdemokrate, Zhelko Komshiq, i cili favorizon Bosnjën shumetnike, është rizgjedhur anëtar i presidencës.

“Ne e dimë se me çfarë kemi të bëjmë dhe çfarë pune na pret. Ne e dimë se si është situata në vend dhe e dimë se çfarë lufte e vështirë na pret. Ne nuk do t’ju zhgënjejmë, të jini të sigurt për këtë”, u tha Komshiç mbështetësve të tij në Sarajevë.

Anëtari serb, Nebojsha Radmanoviq, i cili mbështet ndarjen e entitetit serb, gjithashtu prin në vota.

Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se dalja në votime ishte rreth 56 %, më e larta prej vitit 2002.

Presidenti Haris Silajxhiq tha se është i kënaqur me përqindjen e daljes së qytetarëve në votime, duke vlerësuar se Bosnja ndodhet në rrugën e demokratizimit të plotë.

Silajxhiq i uroi fitoren Izetbegoviqit, duke theksuar se tash është shumë me rëndësi që në Bosnjë të vazhdohet me projektet e filluara të investimeve. (v.p.)


Lexoni edhe këtë:
Nacionalizëm i lartë, shpresa të ulëta
XS
SM
MD
LG