Ndërlidhjet

Shqipëri: Korrupsioni dominon arenën e luftës politike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Mazhoranca dhe opozita janë përfshirë prej më shumë se një muaji nga një valë akuzash të ndërsjella për korrupsion. Çdo ditë, zëdhënës apo deputetë të dy partive të mëdha publikojnë dokumente që dëshmojnë, sipas tyre, implikime në afera korruptive.

Për deputetin demokrat, Aldo Bumçi, situata është produkt i zgjedhjeve të pritshme lokale. Sipas tij, opozita ka zgjedhur si pjesë të fushatës baltosjen me çdo kusht të mazhorancës.

“Nuk është një fushatë anti-korrupsion. Kjo është një fushatë baltosjeje. Zoti Rama ka një strategji që të japë idenë e Shqipërisë në krizë. Ky ka qenë refreni i tij – Shqipëria në krizë ekonomike, në krizë institucionale... Tani, për shkak edhe të një stine parazgjedhore, është fushata anti-korrupsion që është një fushatë baltosjeje”.

“Këtu mund të marr vetëm një shembull: me ditë të tëra, me javë, Partia Socialiste ka folur për të ashtuquajturin korrupsion tek ekspozita Shqipëria Sot. Në fakt – çfarë ka ndodhur? Kthimi i pronës pronarit, të cilit komunistët i konfiskuan pronën”,
thotë Bumçi.

Por, deputeti socialist, Eduard Shalsi, thotë se opozita po bën detyrën, duke faktuar, sipas tij, me dokumente korrupsionin qeveritar.

“Akuzat e Partisë Socialiste janë të gjitha të mbështetura mbi fakte. Ndërkohë, pala tjetër, deri më sot, vetëm ka fyer. Më lejoni të rikujtoj vetëm një denoncim timin personal lidhur me ekspozitën Shqipëria Sot. Çfarë po ndodh në Shqipëri? Ka shumë pronarë që pretendojnë të marrin pronat e tyre dhe prej vitesh zvarriten”.

“Ndërkohë që sapo shfaqen sekserët e oborrit, si me shkop magjik kthehet prona. Madje, shitet dhe një pjesë e truallit shtetëror. Dhe, ajo që ne kemi denoncuar për ekspozitën Shqipëria Sot, ndodh kudo në Shqipëri”,
thotë Shalsi.

Akuzat kanë angazhuar prokurorinë e përgjithshme në hetimin e disa çështjeve për korrupsion, për të cilat partitë kanë ofruar publikisht dokumente.

Zoti Bumçi thotë se mazhoranca mbështet institucionin e akuzës për të zbardhur të vërtetën mbi gjithçka që është deklaruar.

“Prokuroria ka nisur të hetojë mbi deklaratat e akuzat që janë bërë dhe ky është lajmi më i mirë. Ne mbështesim hetimet në të gjitha akuzat, sepse është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund një fushate baltosjeje”, shprehet Bumçi.

Nga ana tjetër, opozita duket skeptike në produktin e hetimit, pasi që, siç thotë zoti Shalsi, do të jetë vështirë që prokuroria të shmangë presionin politik.

“Do të donim që për të gjitha denoncimet që Partia Socialiste ka bërë gjatë kësaj periudhe, prokuroria dhe organet gjyqësore të vepronin në mënyrë të paanshme dhe të shpejtë. Është shumë e rëndësishme që në këtë valë akuzash tejet të rënda, të ketë një organ të drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë, që t’u tregojë shqiptarëve se nga cila anë anon e drejta”, deklaron Shalsi.

Në këtë situatë, mazhoranca dhe së fundmi presidenti i Republikës, Bamir Topi, kanë bërë thirrje për heqjen me ligj të imunitetit të deputetëve dhe të zyrtarëve të lartë, si formë e shprehjes së vullnetit për të luftuar korrupsionin.

Opozita është kundër miratimit të këtij ligji. Deputeti Shalsi thotë se korrupsioni luftohet me vullnet politik.

“Unë nuk besoj se është thjesht çështje imuniteti. Besoj se është vullneti i klasës politike për të lejuar organet e drejtësisë dhe prokurorinë të bëjnë punën e tyre”.

“Sa herë që organet e drejtësisë kanë hulumtuar çështje madhore, aq herë edhe trysnia e politikës mbi to ka qenë e jashtëzakonshme. Ajo nga e cila duhet të shpëtojë ky sistem drejtësie, është largimi i trysnisë së pushtetit mbi të”,
thotë Shalsi.

Deputeti demokrat, Bumçi, shpreh habi për këtë stepje, sipas tij, të pajustifikuar të opozitës për miratimin e këtij ligji.

Kjo nxjerr zbuluar hipokrizinë e Partisë Socialiste. Flasim për fushatë anti-korrupsion dhe gjëja e parë që duhet të bëhet, është të hiqet mburoja... Pse nuk e bëjnë? Një opozitë, e cila nuk jep mbështetje për të hequr imunitetin ndaj korrupsionit, tregon që nuk ka kartë morale”, thekson Bumçi.

Në fakt, analistët e kanë paralajmëruar më herët këtë stinë të nxehtë politike, me fillimin e sesionit të ri parlamentar – si produkt i pashmangshëm i mosmarrëveshjeve për zgjedhjet e 28 qershorit, 2009, por edhe si pjesë të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të vitit 2011.
XS
SM
MD
LG