Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Kosovë, më 13 shkurt


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shpallur 13 shkurtin datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ai ka thënë se 30 deri në 45 ditë para zgjedhjeve do të marrë vendim edhe për shpërndarjen e Kuvendit aktual, me çka do të fillojë edhe fushata zgjedhore.


Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, të premten ka shpallur 13 shkurtin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Krasniqi ka thënë se vendimin e ka marrë duke u mbështetur në autorizimet e tij kushtetuese dhe bisedimet e zhvilluara me partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Vetëm një orë më herët, pas një takimi me partitë politike, Krasniqi pati deklaruar para gazetarëve se data do të shpallet në fillim të javës së ardhshme, por më pas ai ndërroi mendje dhe ftoi një konferencë urgjente për gazetarë, kur edhe e kumtoi datën e zgjedhjeve të ardhshme.

“Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 13 shkurt 2011. Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, në përputhje me këtë vendim dhe me ligjin në fuqi”
, ka thënë Krasniqi.

Shumë nga partitë politike, sipas Krasniqit, kishin kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 20 shkurt, por ai ka thënë se nuk do të ishte shumë e këndshme që Kosova ta festonte përvjetorin e tretë të pavarësisë në një atmosferë zgjedhore.

“E kemi analizuar edhe mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve më 20 shkurt, por për shkak se më 17 Shkurt kemi përvjetorin e tretë të pavarësisë dhe që ky përvjetor të mos shënohet në atmosferën e zgjedhjeve, më është dukur më e arsyeshme që të jetë 13 dhe jo 20 shkurti”,
ka theksuar Krasniqi.

Vendimi i Krasniqit ka hasur edhe në pakënaqësi te spektri opozitar. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ende nuk e ka shqyrtuar në organet e partisë vendimin e Krasniqit, por zyrtari i saj, Avni Arifi, ka thënë se ai personalisht mendon që nxitimi i Krasniqit dhe Partisë Demokratike të Kosovës, që zgjedhjet të mbahen në dimër, bëhet për të manipuluar me votat e ardhshme.

“Ky vendim reflekton karakterin e vërtetë të PDK-së dhe krerëve të saj. Nuk është bërë për hir të qytetarëve të Kosovës dhe kushtetutshmërisë, por është bërë që të shfrytëzohet mungesa e Ramush Haradinajt, i cili me shpresë të tyre, ai nuk do të kthehet nga Haga”.

“Dhe, e dyta është se në ato ditë të acarit mundësitë e mbushjes së kutive, pra vjedhjes së votave, janë shumë më të mëdha, aq më parë kur një numër (qytetarësh) nuk del në zgjedhje dhe në vend të tyre votojnë pjesëtarët e SHIK-ut për PDK-në
”, është shprehur Arifi.

Fillimisht, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ishte që zgjedhjet të mbahen më 6 mars. Më pas pranoi 27 shkurtin, kurse të premten, siç ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, kjo parti ishte pajtuar për datën 20 dhe jo 13 shkurt.

“Data 6 mars ka qenë orientimisht, por duke i shikuar edhe vështirësitë teknike dhe të tjerat procedurale, ne jemi që kjo të bëhet brenda afatit ligjor, jo më herët se 4 muaj dhe jo më vonë se 6 muaj, që për mendimin tonë ka qenë data 27, por që tash varianti i fundit i pranueshëm për LDK-në është data 20 shkurt dhe mendojmë që asnjë arsye nuk ka që të mbahen më herët”
, ka thënë Beqiri.

Sidoqoftë, autorizimet kushtetuese i mundësojnë Jakup Krasniqit që si ushtrues detyre i presidentit t’i shpallë zgjedhjet në Kosovë, qofshin ato të rregullta, të parakohshme apo të jashtëzakonshme.

Krasniqi të premten ka shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme edhe në komunën e Rahovecit, të cilat do të mbahen më 21 nëntor.
XS
SM
MD
LG