Ndërlidhjet

Mustafa i gatshëm për kreun e LDK-së


Isa Mustafa
Isa Mustafa
Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, nuk e përjashtoi mundësinë e kandidimit për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kandidimin eventual për kreun e LDK-së, Mustafa e ndërlidhi me përkrahjen dhe marrëveshjen mes strukturave partiake.

Ai u bëri thirrje të gjithë mbështetësve të tij dhe atyre që, ditëve të fundit, shkruajnë grafite në pjesë të ndryshme të qytetit dhe i bëjnë thirrje kryetarit aktual të LDK-së, Fatmir Sejdiut, që të largohet për t’i lëshuar drejtimin e partisë Isa Mustafës, që të presin procesin demokratik zgjedhor në parti.

“Unë e kam thënë qartë se çështja e kandidimit në Lidhjen Demokratike është çështje e marrëveshjeve të brendshme, e një konsensusi të brendshëm. Unë do ta përkrah kryetarin e tanishëm të LDK-së, i cili e ka mandatin legjitim, zotin Sejdiu, në qoftë se e përkrah anëtarësia dhe degët e LDK-së”.

“Në qoftë se anëtarësia kërkon zgjedhje tjetër, unë jam i gatshëm të ballafaqohem me të”,
tha Mustafa.

Ndërsa Mustafa u bëri thirrje të gjithë përkrahësve të tij që të mos dalin në rrugë, dhjetëra mbështetës të tij nga Lagjja Kodra e Trimave, që fillimisht ishin paralajmëruar edhe si pjesë e fansave të Prishtinës, të njohur si “Plisat”, u tubuan para selisë së LDK-së, ku kërkuan dorëheqjen e Sejdiut.

Ky grup të rinjsh brohoriti në vazhdimësi në mbështetje të Isa Mustafës dhe Ukë Rugovës. Kurse, në grafitet e shkruara kishte dhe porosi që kërkonin kthimin e Nexhat Dacit: “Pa Dacin nuk ka LDK”.

Grafitet dhe brohoritjet kryesisht ishin: “Sejdiu shko, shpëto LDK-në”..., Isa kryetar, shpëto LDK-në”..., “Rugova, Rugova”...

Manifestimet në rrugë, për Isa Mustafën nënkuptojnë edhe një lloj presioni, kështu që ai kërkoi që procesi i zgjedhjeve në LDK të vazhdojë sipas statutit të partisë.

“Konsideroj se ne nuk kemi nevojë që këto punë t’i bëjmë përmes grafiteve, përmes parullave, të cilat po shkruhen në qytet, ose përmes thirrjeve që të bëhen protesta para zyrave të LDK-së, për arsye se ato nuk na ndihmojnë që në mënyrë demokratike t’i kryejmë proceset”.

“Ato janë një formë e presionit - ndoshta veprim joqëllimkeq nga ata që i bëjnë, sepse njerëzit mendojnë që në forma të ndryshme duhet ta përkrahin LDK-në”,
theksoi Mustafa.

Aktualisht, kandidaturat e tyre për të parin e partisë i kanë bërë publike Bujar Bukoshi dhe Fatmir Sejdiu. I mbështetur nga Ukë Rugova, i biri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, Bukoshi është në formim të një liste emrash që do të drejtonin LDK-në mbi konceptin e politikës rugoviste. Kurse, Fatmir Sejdiu është kandiduar për kreun e partisë nga dega e LDK-së në Fushë Kosovë.

Ndërsa mediat dhe analistët i kanë cilësuar këto zhvillime si rrezik për fraksione dhe ndarje të reja në LDK, anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Ismet Beqiri, u shpreh i bindur se në LDK, kësaj radhe nuk do të ketë përçarje dhe ndarje.

“Tentimi i kujtdo qoftë që të krijojë hendeqe mes nesh, po ju tregojmë se nuk do të arrijë. Kjo është shumë e qartë. LDK-ja i ka organet, i ka procedurat dhe vullneti i tyre do të shprehet aty ku është vendi”, tha Beqiri.

Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet subjekti i vetëm politik që duhet t’i nënshtrohet procesit të brendshëm zgjedhor para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë.

Me daljen nga koalicioni qeverisës, LDK-ja synon që të hyjë në garë me PDK-në e Hashim Thaçit për partinë numër një në Kosovë, pozitë këtë që e ka humbur që nga vdekja e liderit dhe kryetarit të saj të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Lexoni edhe këtë: Beteja në LDK
XS
SM
MD
LG