Ndërlidhjet

Serbët të ndarë rreth zgjedhjeve


Foto arkivi
Foto arkivi
Politikanët serbë të Kosovës shprehin ndasi të theksuara lidhur me pjesëmarrjen eventuale të komunitetit serb në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Rada Trajkoviq, politikane nga Graçanica, e quan të domosdoshme këtë pjesëmarrje. Sipas saj, ajo do të ishte në favor të serbëve të Kosovës në vigjilje të proceseve, të cilat e presin Prishtinën dhe Beogradin.
...asnjëherë sikur tash, nuk ka qenë më e nevojshme që serbët të dalin në zgjedhje.

“Unë mendoj se asnjëherë sikur tash, nuk ka qenë më e nevojshme që serbët të dalin në zgjedhje. Ata duhet të dalin sa më shumë dhe populli t’u japë legalitetin dhe legjitimitetin njerëzve që do të kandidohen. Kjo duhet të ndodhë, thjesht për të fituar përfaqësuesit relevantë serbë, të cilët do të jenë faktorë në dialogun, i cili pritet të ndodhë në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.

“Duhet të zgjedhim serbë të përgjegjshëm dhe jo të tillë që Prishtina ose udhëheqësia institucionale shqiptare do t’i llogariste si ‘kolonë të pestë’, apo të tillë që do të pranonin që procesi asimilues të bëhet realitet”,
thotë Trajkoviq.

Sipas saj, nuk duhet të zgjidhen as përfaqësues të serbëve, të cilët do të ishin tërësisht lojalë ndaj Beogradit.

Por, Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës dhe përfaqësues i Partisë Demokratike të Serbisë, thotë se dalja ose jo e serbëve në zgjedhjet parlamentare të Kosovës nuk do të ndikojë në atmosferën e fillimit të pritshëm të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Sipas tij, pavarësisht nga ky fakt, Beogradi zyrtar do të dëgjojë këshillat e Brukselit dhe Uashingtonit. Ai e kundërshton favorizimin e idesë së daljes së serbëve në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.
Me daljen në zgjedhje, serbët do ta verifikonin formimin edhe të një shteti shqiptar në Ballkan dhe kjo nuk është në frymën e interesave nacionale dhe shtetërore serbe...

“Me daljen në zgjedhje, serbët do ta verifikonin formimin edhe të një shteti shqiptar në Ballkan dhe kjo nuk është në frymën e interesave nacionale dhe shtetërore serbe. Për këtë arsye, ne jemi tërësisht kundër paraqitjes së serbëve në këto zgjedhje, në tërë territorin e Kosovës”.

“Por, a do të marrin pjesë serbët ose jo, kjo do të varet shumë nga ajo se çfarë do të thotë Beogradi zyrtar dhe Qeveria serbe”,
vlerëson Jakshiq.

Në anën tjetër, për zonjën Trajkoviq, kundërshtimet e politikanëve serbë të veriut, të cilët janë pjesë e Partisë Demokratike Serbe dhe Partisë Radikale Serbe, kanë qenë të pritshme.

Megjithëkëtë, sipas saj, ka parti të tjera, të cilat ende nuk e kanë definuar qëndrimin e tyre. Siç thotë Trajkoviq, një pjesë e madhe e popullatës serbe në veri dëshiron stabilitet në hapësirën e Kosovës dhe një definim të ardhmërisë.

Trajkoviq pret që Beogradi zyrtar të mbajë qëndrim konstruktiv lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet që organizon Kosova.

“Unë mendoj se pas aprovimit të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme, Beogradi nuk ka arsye të jetë faktor destruktiv lidhur me daljen e serbëve në zgjedhje”.

“Përkundrazi, për mua do të ishte tërësisht normale, e pritshme, si dhe jocinike, nëse Beogradi do t’i përkrahte serbët që të dalin në zgjedhje”,
thotë Trajkoviq.

Ndërkaq, Marko Jakshiq kritikon Beogradin zyrtar për, siç thotë, dyfytyrësi, lidhur me qëndrimin e tij në të kaluarën ndaj pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhjet e organizuara nga institucionet kosovare.

Ai thotë se qëndrimi i Beogradit zyrtar do të jetë i ngjashëm edhe në të ardhmen.

“A do të veprojë Beogradi ngjashëm edhe për zgjedhjet parlamentare të 13 shkurtit, mbetet të shihet. Por, unë personalisht mendoj se do të jetë ngjashëm”.

“Sipas këtij parimi, pjesa më e madhe e serbëve do të dalin në zgjedhje, e, para së gjithash, serbët në anën jugore të lumit Ibër. Por, sa u përket serbëve që jetojnë në veri të Ibrit, besoj se nuk do të përgjigjen, ashtu siç ka ndodhur edhe me zgjedhjet lokale”,
deklaron Jakshiq.

Lexoni edhe këtë:
Rrezikohet pjesëmarrja në zgjedhje?!
XS
SM
MD
LG