Ndërlidhjet

Finalizohen listat


Kuvendi i Kosovës (Foto arkivi)
Kuvendi i Kosovës (Foto arkivi)
Partitë politike kanë finalizuar listat e tyre me kandidatët që do të garojnë për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate, ka kumtuar se ka finalizuar listën, së cilës i prin kryetari i saj, Hashim Thaçi.

Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së, tha se kjo listë ka edhe figura të reja politike që vijnë si përforcime në këtë subjekt politik.

“Listës i prin kryeministri, njëherësh kryetrari i partisë. Natyrisht që ka pasur edhe rifreskime të listës me disa emra të rinj, profile të njohura për publikun e gjerë”, deklaroi Stavileci.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka finalizuar listën e saj, por pa Ukë Rugovën dhe mbështetësit e tij. Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, tha se oferta për Ukë Rugovën mbetet e hapur.

Ai kundërshtoi thirrjen e partive të tjera politike në filozofinë rugoviane. Sipas tij, vetëm LDK-ja mund të thirret në këtë filozofi.

“LDK-ja është formuar nga Ibrahim Rugova, nga presidenti historik. LDK-ja dhe figura e Ibrahim Rugovës janë të pashkëputshme - këto nuk shkojnë pa njëra-tjetrën”.

“Prandaj, ta duan Ibrahim Rugovën, presidentin e ndjerë, kanë të drejtë të gjithë qytetarët. Por, të identifikohet në një subjekt tjetër përveç LDK-së... këtë të drejtë e ka provuar edhe dikush tjetër, por nuk ka mundur ta bëjë”,
tha Beqiri.

Me përforcimet që i erdhën nga LDK-ja, përkatësisht krahu mbështetës i Ukë Rugovës, djalit të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, listën me kandidaturat e saj për deputetë e ka finalizuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, tha se Lista Rugova dhe ish-deputetët kosovarë që i janë bashkuar AAK-së, e bëjnë atë më të fuqishme krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

“Lista e AAK-së është e përbërë jo vetëm prej zyrtarëve të Aleancës, por edhe nga anëtarët e Listës Rugova, me të cilën jemi në partneritet, nga zyrtarë të tjerë të partive të ndryshme që kanë ardhur në AAK dhe ish-deputetë të pavarur të legjislaturës së kaluar”, theksoi
Ramadani.

Në procesin e ardhshëm zgjedhor do të ketë edhe subjekte të reja garuese. Për herë të parë në një proces zgjedhor merr pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Lideri i saj, Albin Kurti, tha se vota e 12 dhjetorit është votë për ndryshime në Kosovë.

“Më 12 dhjetor është dita kur të gjithë ata, të cilët kanë dëshirë për ndryshime, këtë dëshirë duhet ta shndërrojnë në votë. E para datës 12 dhjetor, kjo dëshirë duhet të shndërrohet në angazhim të përditshëm”,
tha Kurti.

Një subjekt i ri politik që garon në zgjedhje është edhe Fryma e Re. Po ashtu pritet që për zgjedhjet e 12 dhjetorit të shtohet edhe numri i partive pjesëmarrëse nga radhët e komunitetit serb.
XS
SM
MD
LG