Ndërlidhjet

Thirrje serbëve për dalje në zgjedhje


Veriu i Mitrovicës...
Veriu i Mitrovicës...
Në një konferencë për media, në Çagllavicë, Sonja Biserko, përfaqësuese e Komitetit të Helsinkit të Beogradit, si dhe Judita Popoviq, nënkryetare e Parlamentit të Serbisë, u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës që të dalin në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Gjithashtu, zyrtarë të autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare në Kosovë kanë reaguar ndaj deklaratave të qeveritarëve serbë, të cilët kanë thënë se serbët nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhje.


Serbët e Kosovës duhet të dalin në zgjedhjet parlamentare, të cilat organizohen nga institucionet kosovare më 12 dhjetorë, në mënyrë që të dalin nga margjinat dhe të krijojnë mundësi për të vendosur për veten, është porosia, e cila iu dërgua serbëve të Kosovës nga konferenca, të premten, në Qendrën e Mediave në Çagllavicë, ku morën pjesë përfaqësues të Komitetit të Helsinkit në Beograd, si dhe të Parlamentit të Serbisë.

Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Beograd, ka thënë se serbët e Kosovës gjatë dekadës së fundit kanë qenë peng i politikës së pasigurt, e cila e ka mbajtur pezull orientimin e tyre. Sipas saj, një gjë e tillë duhet të përfundojë dhe se serbët duhet të dalin në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Jo vetëm për 10 vendet e garantuara, por me një dalje më të madhe në zgjedhje, mund të marrë edhe 10 ulëse tjera në Kuvendin e Kosovës.


“Detyrë themelore e të gjithë neve që vëzhgojmë dhe marrim pjesë në zhvillimet në Kosovë, është që ta trimërojmë bashkësinë serbe që në mënyrë serioze të marrë pjesë në këto zgjedhje. Në këtë mënyrë, ta definojnë të ardhmen e saj, duke marrë pjesë në Kuvend dhe në institucionet tjera të Kosovës. Jo vetëm për 10 vendet e garantuara, por me një dalje më të madhe në zgjedhje, mund të marrin edhe 10 ulëse tjera në Kuvendin e Kosovës”
, ka thënë Biserko.

Biserko, gjithashtu, ka theksuar se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje, do t’i definonte ata si subjekt që do të mund të ndihmojë jo vetëm konsolidimin e Kosovës, por edhe në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, ditë më parë, ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq, kishte deklaruar se Qeveria e Serbisë ka qenë e njëzëshme në qëndrimin e saj, që serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

Biserko ka thënë se deklaratat e Jeremiqit janë vetëm formë e interpretimit, që ai ia ka bërë qëndrimit të ekzekutivit serb, i cili ka theksuar se në Kosovë nuk janë krijuar kushtet për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Sipas Biserkos, ka pasur interpretime të ndryshme të qëndrimit të Qeverisë serbe.

“Qeveria jonë nuk ka qenë precize sa i përket thirrjes për pjesëmarrje në zgjedhje. Por, duke u bazuar në faktin se si po sillet Qeveria serbe, por edhe disa media që janë të afërta me të, mund të thuhet që porosia është që serbët duhet të vendosin vetë lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje. Megjithatë, unë do të thosha që mesazhi më shumë është në favor të daljes në zgjedhje, sesa kundër”,
ka theksuar Biserko.

Gjithashtu, në Çagllavicë, thirrje serbëve të Kosovës për të dalë në zgjedhje, u ka bërë edhe nënkryetarja e Parlamentit të Serbisë, Judita Popoviq, nga Partia Liberal-Demokrate e Serbisë.
...porosia jonë është e qartë - serbët e Kosovës do të duhej të dilnin në zgjedhjet e ardhshme.



“Serbia është shtet, i cili ende i konsideron serbët e Kosovës si shtetas të saj. Por, një gjë e tillë nuk i jep të drejtë Serbisë që të manipulojë me njerëzit në Kosovë. Nuk u jep të drejtë që atyre njerëzve t’ua pamundësojë integrimin në shoqërinë kosovare. Do të thotë, porosia jonë është e qartë - serbët e Kosovës do të duhej të dilnin në zgjedhjet e ardhshme”
, ka potencuar Popoviq.



Politika e vjetër e Serbisë

Në anën tjetër, deklarata e ministrit të jashtëm serb Jeremiq, se ekzekutivi serb ka qenë i njëzëshëm në qëndrimin e tij, që serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare, që organizohen nga institucionet kosovare, ka hasur në reagimet e autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare në Prishtinë.

Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se deklaratat e tilla janë për keqardhje dhe se ato paraqesin vazhdimësinë e politikës së vjetër të Serbisë ndaj Kosovës. Por, Krasniqi ka shprehur besimin se deklaratat e tilla nuk do të duhej të paraqisnin pengesë për serbët e Kosovës që të dalin në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

“Besojmë se qëndrimi i Serbisë për mosdalje në zgjedhje, ka qenë edhe më i ashpër në vitin 2009, por nuk ka rezultuar me sukses, meqenëse kishim një numër rekord të pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës, në zgjedhjet e fundit për institucionet lokale”.


“Ndoshta në veriun e Mitrovicës, ku strukturat paralele, të ndihmuara nga qarqet kriminale dhe të mbështetura nga Beogradi, do të ndikojnë drejtpërdrejt, përmes presionit dhe tmerrit, që të mos dalin në votime. Por, besojmë se në përgjithësi numri i pjesëmarrësve do të jetë shumë më i madh”,
ka thënë Krasniqi.

Zëdhënësi Krasniqi, gjithashtu ka vlerësuar se vetë paraqitja e 6 partive politike dhe dy nismave qytetare serbe për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, tregon se situata ka ndryshuar dhe se është në favor të mundësisë së daljes së serbëve në votime.
Ata e kanë kuptuar se Beogradi zyrtar, realisht, nuk brengoset për ta...


“Këtu ka ndryshuar situata dhe ka ndryshuar qasja, sa u përket vetë serbëve të Kosovës. Ata e kanë kuptuar se Beogradi zyrtar, realisht, nuk brengoset për ta, por ata duhet të marrin vetë përgjegjësinë për jetën e tyre dhe të marrin pjesë në jetën institucionale të Kosovës, për të ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes dhe jetës se tyre”,
ka theksuar Krasniqi.

Ndryshe, thirrjen për mospjesëmarrje e serbëve në zgjedhjet e Kosovës, zyrtarët e Qeverisë së Beogradit e kanë arsyetuar me, siç kanë thënë, mospërmbushjen e kushteve për një pjesëmarrje të tillë.

Në anën tjetër, Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë u ka bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë që t’i krijojnë kushtet për pjesëmarrje në zgjedhje për të gjithë qytetarët e vendit, duke përfshirë edhe banorët serbë që jetojnë në veri të Kosovës.

Zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi, ka theksuar se është e rëndësishme që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, t’i bëjë publike aranzhimet për procesin e votimit në veri të vendit, duke saktësuar mënyrën e votimit dhe vendvotimet ku qytetarët serbë do të mund ta hedhin votën për të preferuarit e tyre.
Zyra Civile Ndërkombëtare është e bindur se do të ketë kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e dhjetorit për të gjithë njerëzit në Kosovë


“Mendoj se institucionet e Kosovës, në veçanti Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po punojnë fuqishëm. Zyra Civile Ndërkombëtare është e bindur se do të ketë kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e dhjetorit për të gjithë njerëzit në Kosovë. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar ka vizituar KQZ-në javën e kaluar dhe përgatitjet janë duke u zhvilluar plotësisht”,
ka deklaruar Mekgafi për Radion Evropa e Lirë.

Mekgafi ka shtuar se u takon qytetarëve që në mënyrë individuale të vendosin nëse do të dalin në zgjedhje më 12 dhjetor. Ai ka thënë se përmes votës së tyre, qytetarët, përfshirë edhe ata të komunitetit serb, më së miri do të mund t’i realizojnë interesat e tyre.

Mekgafi ka shprehur mendimin se serbët e Kosovës përmes proceseve të ndryshme, si ai i decentralizimit, kanë vënë re se është në interesin e tyre të bashkëpunojnë me autoritetet shtetërore të Kosovës.

“Mendoj se një gjë që e kemi parë në vitet e kaluara, lidhur me disa procese të tjera, si për shembull ai i decentralizimit, është se shumica e pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme në Kosovë dhe jo vetëm të atij serb, janë pajtuar se rëndësia e angazhimit për interesat e tyre, sidomos në qeverisjen lokale, është një prioritet i lartë për ta. Ky është një trend që po vazhdon. Bashkëpunimi dhe krijimi i lidhjeve me Prishtinën po bëhet më i rëndësishëm për njerëzit, në të gjithë vendin”,
ka përfunduar Mekgafi.
XS
SM
MD
LG