Ndërlidhjet

Serbët (s')duhet të dalin në zgjedhje


Foto arkivi
Foto arkivi
Çështja e pjesëmarrjes ose jo të serbëve në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të cilat janë paralajmëruar të mbahen më 12 dhjetor të këtij viti, ka ngjallur kundërshtime ndërmjet përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar Serb në veri të Kosovës dhe politikanëve nga pjesa qendrore e vendit.

Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb, kundërshton pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, të paktën të atyre që jetojnë në pjesën veriore, duke thënë se dalja në to do të ishte në kundërshtim me interesat e vetë serbëve.
Serbët nuk guxojnë të dalin në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, sepse në këtë mënyrë do ta legjitimonin pavarësinë e shtetit të vetëshpallur...

“Serbët nuk guxojnë të dalin në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, sepse në këtë mënyrë do ta legjitimonin pavarësinë e shtetit të vetëshpallur dhe institucioneve të tij. Me këtë, serbët do të pozicionoheshin kundër interesave dhe ndjenjave të tyre për të mbetur në sistemin kushtetues të Serbisë”.

“Përndryshe, qytetarët kanë të drejtë të vendosin sipas vullnetit të tyre se a do të marrin pjesë ose jo. Por, vendimet e tilla mund të rezultojnë me pasoja shumë të mëdha”,
thotë Ivanoviq.

Rangjell Nojkiq, politikan serb nga Kosova qendrore dhe përfaqësues i Lëvizjes Serbe të Ripërtëritjes, thotë se porositë e përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar Serb, se serbët “nuk guxojnë të dalin në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit”, nuk do të honepsen nga serbët e Kosovës që jetojnë jashtë veriut të vendit.

"Kjo porosi, të cilën e ka dërguar Këshilli Kombëtar Serb, u është dedikuar serbëve që jetojnë në veriun e Kosovës. Kështu që , ajo nuk ka ndonjë domethënie për serbët që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër. Kjo qartësisht flet se Këshilli Kombëtar Serb nuk gëzon ndonjë besim te serbët që jetojnë në anën e poshtme të Ibrit”.
Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme dhe vendimtare për bashkësinë serbe, duke pasur parasysh se jemi në prag të bisedimeve.

“Qëndrimi im dhe i subjektit tim politik është që në këto zgjedhje duhet të dilet dhe ne gjithsesi do të dalim. Konsiderojmë se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme dhe vendimtare për bashkësinë serbe, duke pasur parasysh se jemi në prag të bisedimeve (Kosovë-Serbi) dhe të zgjidhjeve të rëndësishme të çështjeve jetësore”, thotë Nojkiq.

Ai beson se serbët nuk do t’i dëgjojnë thirrjet për bojkot dhe se do të dalin masovikisht në zgjedhje. Nojkiq bën apel që një gjë e tillë të ndodhë edhe në veriun e Kosovës, ndonëse pozicioni i tij gjeografik është i ndryshëm me pjesën tjetër ku jetojnë serbët.

Kjo, sipas tij, e bën më të ndjeshëm veriun ndaj ndikimit të politikanëve që kundërshtojnë zgjedhjet.

“Normalisht se ata ndikojnë, sidomos kur kihet parasysh se ata janë pjesë e asaj popullate dhe gjithashtu gëzojnë privilegje. Prandaj, nuk ka shumë ndryshime në mes të qëndrimeve të njerëzve të thjeshtë dhe politikanëve, gjegjësisht ndikimit të politikanëve te njerëzit”, shprehet Nojkiq.

Disa qytetarë serbë të veriut të Mitrovicës thonë se nuk kanë arsye për të dalë në zgjedhjet, që i organizojnë institucionet e Kosovës. Ivan Llempiq nuk beson në efikasitetin e institucioneve kosovare.

“Unë nuk e di se a ka farë legjitimiteti Qeveria e Kosovës që këtu të ndërmarrë masat e saj. Thënë shkurt, jemi dëshmitarë se janë të paaftë që ta vënë në funksion gjyqësinë, arsimin dhe shëndetësinë - tri shtyllat esenciale të pushtetit. Mendoj se është e pamundur që të funksionalizohet ky pushtet dhe bazuar në këtë, serbët nuk do t’i përkrahin zgjedhjet”,
thotë Llempiq.

Jellena Cvetanoviq thotë se komuniteti serb nuk duhet të dalë në zgjedhje, por nuk pajtohet me zotin Ivanoviq, sipas të cilit, serbët nuk guxojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

“Nuk pajtohem me atë se nuk guxojmë. Qeveria e Serbisë ende nuk ka dhënë ndonjë përgjigje zyrtare lidhur me daljen dhe pjesëmarrjen eventuale të serbëve në zgjedhje. Duhet ta presim momentin se çfarë do të thotë Qeveria lidhur me këtë çështje”, shprehet ajo.
Nëse qeveritarët në Beograd do të mbajnë qëndrim neutral, atëherë do të tregojnë se ata nuk kanë politikë të veten.

Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb, pret që Beogradi zyrtar të mos iu rekomandojë serbëve të Kosovës të dalin në zgjedhje e as të mbajnë qëndrim neutral lidhur me këtë çështje.

Nëse qeveritarët në Beograd do të mbajnë qëndrim neutral, atëherë do të tregojnë se ata nuk kanë politikë të veten, se nuk i mbrojnë interesat shtetërore dhe kombëtare, porse përfaqësojnë një politikë të imponuar të Brukselit dhe Uashingtonit”, konkludon Ivanoviq.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shpallur zgjedhjet e parakohshme më 12 dhjetor të këtij viti. Ky veprim ka ardhur pas votimit të mocionit të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG