Ndërlidhjet

Ndikimi minimal


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Janë bërë më shumë se dy vjet që kur është mbajtur Konferenca e donatorëve, nga e cila Kosova fitoi 1.2 miliard euro. Por, deri më tani është shpenzuar vetëm gjysma e këtyre mjeteve për sektorë të ndryshëm në Kosovë, thonë zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje. Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, thonë se nuk po vërehen në mënyrë të mjaftueshme efektet e këtyre shpenzimeve.


Në Kosovë janë shpenzuar mbi 50 për qind e mjeteve të donacioneve të fituara në Konferencën e Donatorëve, thonë zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje.

Edon Cana, kryeshef i Agjencisë për Koordinim të Donacioneve, Zhvillim dhe Integrime Evropiane, thotë se mjetet nga Konferenca e donatorëve, sidomos të donatorëve të mëdhenj, tashmë janë duke u zbatuar për projekte të ndryshme në tërë territorin e Kosovës.

“Mund të them se janë më tepër se 50 për qind, apo në mënyrë më konkrete, mbi 500 milionë euro. Vetëm Komisioni Evropian gjatë dy viteve të fundit i ka derdhur në Kosovë mbi 380 milionë euro, pastaj kemi Gjermaninë që brenda dy vitesh i ka derdhur mbi 100 milionë euro. Pra, vetëm donatorët e mëdhenj përmbajnë një shumë për mbi 500 milionë euro”.

“Ajo që është me rëndësi, është se numri i donatorëve që ka dhënë premtime në lidhje me të hollat në Konferencën e donatorëve është i njëjtë dhe të hollat korrespondojnë me shumën që është pritur deri më tani të vijë në Kosovë
”, thotë Cana.

Konferenca e Donatorëve është mbajtur në korrik të vitit 2008, në Bruksel, vetëm pesë muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shuma e përgjithshme e mjeteve të fituara në këtë konferencë ishte 1.2 miliard euro. Vetëm Komisioni Evropian ka dhënë 500 milionë euro, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës - 400 milionë dollarë.

Konferenca e donatorëve, nga e cila Kosova fitoi 1.2 miliard euro.

Edon Cana, ndërkaq, tregon se të hollat e harxhuara deri më tani janë shpenzuar në bazë të nevojave që ka pasur Kosova. Megjithatë, ai shpjegon se janë në fazën e parë të projektit për ngritjen e kapaciteteve të ujësjellësit rajonal “Prishtina” projekt ky që, sipas tij, do ta zgjidhë problemin e furnizimit me ujë për 30 vitet e ardhshme.

“Mund të themi në të gjithë sektorët; nuk ka pasur ndonjë derdhje në sektor specifik, por në të gjithë sektorët ku ka pasur nevojë. Pra, brenda sektorëve janë caktuar prioritetet, të cilat janë në përputhje me prioritetet e Qeverisë. Në këtë drejtim, është koordinuar me donatorët, në mënyrë që të kemi një efikastitet më të lartë në zbatimin e prioriteteve të përcaktuara nga Qeveria
”, thekson Cana.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike thonë se efektet e shpenzimeve të këtyre mjeteve po vërehen shumë pak.

Kushtrim Puka, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thotë se deri më tani nuk janë vërejtur efekte në zhvillimin ekonomik të vendit, të cilat, sipas tij, do të ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

Ndryshe, udhëheqës të institutit GAP, kanë qenë pjesë e ekipit përgatitor për projekt-propozimet që janë paraqitur në Konferencën e Donatorëve nga institucionet vendore.

“Edhe nëse tashmë janë shpenzuar 50për qind e këtyre mjeteve, efektet e pritura po vërehen shumë pak dhe atë në disa aspekte të caktuara. Kryesisht, kemi parë disa efekte të vogla pozitive, në aspektin e ngritjes së kapaciteteve institucionale, të cilat nuk mjaftojnë. Ende nuk kemi parë efekte të dukshme pozitive në zhvillimin ekonomik të vendit, që do të rrisnin standardin e jetesës së qytetarëve të Kosovës”.

“Përkundrazi, gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar rritje të papunësisë, e cila tani arrin deri në 45 për qind dhe rritje të varfërisë së skajshme, e cila arrin deri në 15 për qind”
, shprehet Puka.

Shfrytëzimi donacioneve të fituara në këtë konferencë monitorohet nga vetë donatorët.
XS
SM
MD
LG