Ndërlidhjet

Besimi ndaj procesit zgjedhor


Posterë nga fushata parazgjedhore në Prishtinë
Posterë nga fushata parazgjedhore në Prishtinë
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, shprehu besimin e tij se procesi i zgjedhjeve të 12 dhjetorit po përgatitet mirë. Gjatë një vizite që Dell i bëri koalicionit “Demokracia në Veprim”, ai tha, po ashtu, se do të dëshironte që pas zgjedhjeve të shihte qeverinë më të mirë të mundshme, por definimi i saj, nënvizoi Dell, i përket popullit të Kosovës dhe jo ndërkombëtarëve.

Kosova duhet të ketë besim në procesin zgjedhor, nëpër të cilin po kalon, porositi ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Pas një vizite që ai i bëri koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, e cila merret me monitorimin e procesit zgjedhor, Dell tha se po sheh nga afër përgatitje të mira, që, sipas tij, mund t’i sigurojnë votuesit kosovar një proces të rregullt zgjedhor.

“ 'Demokracia në Veprim' e ka dyfishuar numrin e vëzhguesve. Po ashtu, ata kanë rritur edhe numrin e ekipeve lëvizëse dhe po bëjnë trajnime të nevojshme. Jemi të bindur se po përgatiten vëzhgues të raundit botëror”
, tha Kristofer Dell.

Gjithashtu, nënvizoi Dell, do të ketë edhe qindra vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët do t’i monitorojnë zgjedhjet.
...kosovarët duhet të mësojnë t’i besojnë njëri-tjetrit, ngase do të vijë koha që ata vetë duhet t’i vëzhgojnë zgjedhjet dhe jo ndërkombëtarët.

“Por, kosovarët duhet të mësojnë t’i besojnë njëri-tjetrit, ngase do të vijë koha që ata vetë duhet t’i vëzhgojnë zgjedhjet dhe jo ndërkombëtarët”,
theksoi Dell.

Më pas, ambasadori Dell i është përgjigjur edhe interesimit të gazetarëve në lidhje me deklaratat e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë, Piter Feith, i cili tha se do të dëshironte që pas zgjedhjeve në Kosovë të shihte një qeveri me duar të pastra.

“Ne, natyrisht që duam ta shohim Qeverinë më të mirë të mundshme, por definimi i saj i përket popullit të Kosovës dhe jo neve që vijmë nga jashtë. Nuk i kam dëgjuar komentet e Piter Feith, por natyrisht që ne punojmë për të njëjtin qëllim”,
u shpreh Kristofer Dell.

Ndërkaq, Ismet Kryeziu nga “Demokracia në Veprim”, bëri të ditur se gjatë ditëve të para të fushatës janë evidentuar dy - tri incidente më serioze, të cilat sipas tij, megjithatë nuk besohet të jenë të motivuara politikisht.

“Në bazë të burimeve që i kemi, ende jozyrtare, këto incidente nuk kanë qenë të nxitura nga motivet politike. Megjithatë përmes një deklarate, u kemi bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shprehen të dinjitetshëm me pjesëmarrjen e tyre në këtë proces, gjithashtu edhe partive politike që t’u ofrojnë këtyre qytetarëve që të kenë një garë korrekte dhe të distancohen në raste të caktuara, edhe atëherë kur nuk janë të përfshira”
, tha Kryeziu.

Ambasadori Dell dhe drejtues të “Demokracisë në Veprim” u pajtuan që kësaj radhe duhet mësuar nga përvoja dhe lëshimet e zgjedhjeve të kaluara, në mënyrë që të ketë përparime në shkallën e demokracisë dhe respektimit të votës së lirë.
XS
SM
MD
LG