Ndërlidhjet

TI: Partitë politike dhe gjyqësori më të korruptuarit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Korrupsioni është rritur në tre vjetët e fundit, thonë gjashtë nga 10 të anketuar në mbarë botën dhe një në 4 prej tyre pohon se ka paguar mito vitin e kaluar.

Këto janë gjetjet e raportit të publikuar sot nga Transparency International, “Barometri Global i Korrupsionit 2010”.

Pikëpamjet mbi trendin e korrupsionit janë më negative në Evropë dhe Amerikën veriore, ku 73 për qind, respektivisht 67 për qind të njerëzve të anketuar besojnë se korrupsioni ka shënuar rritje në tre vjetët e fundit.

Hulumtimet janë bërë përmes anketimeve dhe në to janë përshirë 86 vende nga mbarë bota, përfshirë edhe Kosovën.

Vitin e kaluar, raporti e kishte radhitur Kosovën në grupin e tretë të vendeve të ndikuara nga korrupsioni, duke fituar notën 3.4. Nota 5 tregon nivelin më ekstrem të korrupsionit.

Këtë vit, sektori më i korruptuar raportohet të jetë ai i partive politike, me notën 4.2 nga 3.8 sa ka qenë vitin e kaluar, duke u pasuar nga sektori i gjyqësorit, me notën 4.1 nga 4 sa ka qenë e raportuar.

Në të dy këta sektorë, ka rritje të nivelit të korupsionit dhe këtu nuk përjashtohet as parlamenti, nota e të cilit gjithashtu është rritur nga 3.4 në 3.9.

Në sektorin e biznesit privat, korrupsioni ka shënuar rënie nga 3.7 në 3.3. Shkalla e korrupsionit nuk ka pësuar ndryshime në media, ku vazhdon të vlerësohet me notën 2.3, njësoj si vitin e kaluar.

Në kategorinë e përqindjes së njerëzve që paguajnë mito në një nga 9 shërbime të ndryshme, Kosova arrin 16 përqindëshin.

Në vlerësimet e qytetarëve për veprimet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, 61 për qind mendojnë se këto veprime janë joefektive, 32 për qind besojnë se janë efektive, kurse 7 për qind kanë mendime asnjanëse. (a.v.)


A po thellohet korrupsioni në Kosovë?

Raportit i fundit i organizatës Transparency International, që është publikuar sot, tregon për rritje të korrupsionit në Kosovë.

Sektori më i korruptuar thuhet të jetë ai i partive politike, që ka marrë notën 4.2, për dallim nga viti i kaluar kur ishte vlerësuar me 3.8. Atë e pason sektori i gjyqësorit, me notën 4.1. Raporti nuk përjashton as parlamentin, nota e të cilit është rritur nga 3.4 në 3.9.

(Foto ilustruese)
Nota 5 tregon nivelin më të lartë të korrupsionit, ndërsa hulumtimet janë bërë përmes anketimeve dhe në to janë përshirë 86 vende nga mbarë bota.

Zyrtarët e Agjencisë Kosovare Anti-Korrupsion, në ditën ndërkombëtare kundër kësaj dukurie, thonë se asnjë nga institucionet e Kosovës nuk i ka shpëtuar përfshirjes në vepra korruptive.

Jetullah Aliu, nga kjo agjenci, thotë se mosfunksionimi i duhur i mekanizmave anti-korrupsion bën që niveli i korrupsionit të jetë i përhapur nga institucionet e nivelit lokal deri tek ato të nivelit qendror.

“Korrupsioni ekziston në Kosovë. Mendoj se është në një nivel shqetësues. Me rastin e kësaj dite, unë bëj apel që të gjithë mekanizmat që kanë për detyrë ta luftojnë këtë dukuri, t’i bashkohen Agjencisë Kundër Korrupsionit”, thotë Aliu.

Edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile shprehin shqetësimet e tyre për nivelin e korrupsionit në vend. Ata u bëjnë thirrje autoriteteve gjegjëse për një betejë më të madhe dhe për një kulturë, siç thuhet, më të mirë të menaxhimit të parasë publike.

Sipas Merita Mustafës, nga Instituti Demokratik i Kosovës, Dita Ndërkombëtare kundër korrupsionit e gjen vendin edhe më të zhytur në këtë dukuri. Për më tepër, thekson Mustafa, institucionet kosovare nuk janë ende të përgatitura për ta luftuar atë.

“Dita Ndërkombëtare kundër korrupsionit, Kosovën e gjen të papërgatitur. Mund të themi se në krahasim me vitin 2009, nuk ka ndonjë progres që mund të theksohet. Ende kemi një gjyqësor të dobët dhe shumë herë identifikohet prej shumë raporteve si sektor i korruptuar. Kemi edhe legjislacionin anti-korrupsion, i cili ka nevojë të ndryshohet”.

“Do të thotë, ende nuk jemi të përgatitur që ta luftojmë korrupsionin. Mungon vullneti politik për ta luftuar atë”,
shprehet Mustafa.

Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, premtimet për “zero tolerancë ndaj korrupsionit” i vlerëson si deklarative, pasi që, siç thuhet, nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

Drejtuesi i saj, Avni Zogiani, thotë se ka përkeqësim të mëtutjeshëm të parametrave të korrupsionit.

“Institucionet e Kosovës praktikisht vetëm vazhdojnë të hedhin fajin te njëra-tjetra”, thotë ai.

Një numër i konsideruar i lëndëve të pazgjidhura, që kanë të bëjnë me korrupsionin, vazhdojnë të mbesin të tilla në gjykata dhe prokurori. Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se politika është ajo, e cila ndikon te gjyqësori.

Por, Drita Hajdari, prokurore në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, thotë se nuk ka ndikime politike në prokurori.

“Unë me të vërtetë nuk kam vërejtur ende ndonjë ndikim. Askush nuk ka ndikuar, nuk kam pasur ankesa as nga kolegët se ka pasur ndonjë ndikim”, thotë Hajdari.

Drejtuesit e organizatave joqeveritare që merren me luftën kundër korrupsionit pohojnë se Dita Ndërkombëtare kundër korrupsionit duhet të shfrytëzohet nga të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë për ta bërë më të ndërgjegjshme shoqërinë dhe politikën kosovare, se pa ndërmarrjen e masave konkrete për luftimin e kësaj dukurie, retorika për integrime në Bashkësinë Evropiane do të jetë thjesht një retorikë që ka për qëllim marrjen e votave, por jo zhvillimin e vendit.

Lexoni edhe këto:
Politika dhe lufta kundër korrupsionit
Preteni: Korrupsioni luftohet me hapa konkretë

XS
SM
MD
LG