Ndërlidhjet

Politika dhe lufta kundër korrupsionit


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, që merren me luftën kundër korrupsionit, thonë se ndikimi i politikës në sistemin e drejtësisë, bën që të mos ketë rezultate të dukshme në luftimin e këtij fenomeni. Qëndrime të ngjashme kanë edhe disa qytetarë.

Korrupsioni duhet të luftohet nga ata që e kanë bërë, e ata që e kanë bërë janë në dorëheqje. Pastaj gjykata - tash e katër vjet në gjykatë, një lëndë është e pazgjidhur”, thotë Hilmi Emini.

Ndërsa, Flora Ahmeti shprehet:

Nëse e di për dikë që është i korruptuar, do ta raportoja, por e di që nuk do të bëhej asgjë në atë drejtim dhe nuk humb kohë për të dhënë deklarata në polici ose diku tjetër... Politika ndikon që të mos luftohet korrupsioni”.

Edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile hedhin fajin te politika. Sikur ajo të mos ndërhynte në sistemin e drejtësisë, shumë raste korruptive do të zgjidheshin, shpreh bindjen Avni Zogiani, drejtues i Organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”.

“Deri sot kemi pasur një ndërhyrje flagrante të krerëve të institucioneve në punën e gjyqësorit. Kjo është parë sidomos në rastet, ku në fokus të hetimeve ishin ministra, nivele të larta të qeverisjes. Ndërhyrjet kanë ardhur prej dy taborëve - prej politikanëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Në këto kushte është shumë vështirë të veprojë gjyqësori”, shprehet Zogiani.

Ramadan Ilazi, nga Organizata “Fol”, apelon te sistemi i drejtësisë që të kryejë punën e vet ashtu si duhet, përkundër gjendjes së krijuar politike.

“Ka mungesë të vullnetit politik. Përshtypja ime është se edhe gjyqësori bën kalkulime politike në vendimet e veta… Pavarësisht se jemi futur në një situatë të vështirë si vend, gjyqësori duhet të demonstrojë pjekuri”, deklaron Ilazi.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë, javën e kaluar, ka liruar ish-guvernatorin e Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi, nga paraburgimi, i cili akuzohej për korrupsion. Atij i është caktuar një numër i masave kufizuese si alternativë e paraburgimit.

Rexhepi ka paguar shumën prej 20,000 eurosh për lirimin e tij me kusht.

Avni Zogiani thotë se për një gjë të tillë ekzistojnë procedurat ligjore, ndonëse, sipas tij, ajo nuk do të duhej të ndodhte në “rastet e rënda”.

Në mesin e kritikave, Zogiani, megjithatë, përmend një të arritur në luftën kundër korrupsionit.

“Ka dy vjet që flitet për raste shumë të mëdha - me dhjetëra miliona euro, ndërkohë që rasti i vetëm i kryer janë një palë syze dhe rregullimi i dhëmbëve të ish-kryeparlamentarit Daci”, thotë ai.

Ndërsa prokurorët vendorë dhe ata të EULEX-it kanë deklaruar se duhet kohë për rezultatet e hetimeve të rasteve korruptive, përfaqësues të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit theksojnë nevojën e reformimit të duhur të sistemit të drejtësisë.

“Mungojnë reformat në sistemin politik dhe në sistemin gjyqësor – (përndryshe) ato do të ishin përgjigjja”, thotë Burim Sadiku nga kjo agjenci.

Nevoja për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, jo rrallëherë është theksuar në raporte të ndryshme ndërkombëtare.

Lexoni edhe këto:
TI: Korrupsioni, Kosova e fundit në rajon
Shqetësime për korrupsionin
XS
SM
MD
LG