Ndërlidhjet

Betejat gjyqësore të Asanzhit


Themeluesi i WikiLeaks-it, Xhulian Asanzh.
Themeluesi i WikiLeaks-it, Xhulian Asanzh.
Xhulian Asanzh, themeluesi kontradiktor i faqes së internetit WikiLeaks, është liruar me kusht nga një burg i Londrës, por nën kushte të rrepta.

Gjykatësi Hovard Ridëll vendosi që Asanzh të paguajë kaucionin në shumën prej 315 mijë dollarësh dhe një garanci tjetër shtesë prej 63 mijë dollarësh.

Nën kushtet e lirimit me kusht, ai duhet të mbajë të varur një gjurmues elektronik, të jetojë në një adresë të regjistruar, të paraqitet në polici çdo mbrëmje dhe kufizime të tjera.

Një grup i mbështetësve shpërthyen në brohoritje jashtë gjykatës, kur dëgjuan lajmin për lirimin e tij.

Asanzhit i është refuzuar javën e kaluar lirimi me kusht, për shkak të frikës se mund të largohej nga vendi.

Duke e kthyer atë vendim, gjykatësi urdhëroi që pasaporta e Asanzhit të mbetet në polici. Njëri nga avokatët e Asanzhit, Mark Stivens, tha se klienti i tij do t’i respektojë kushtet e vështira të lirimit të tij me kusht.

“Çdo njeri i arsyeshëm, që ishte ulur në seancë, do ta kuptonte se kushtet e rënda që janë vendosur për lirinë e zotit Asanzh, janë një lloj i kushteve shumë të vështira për t’u pranuar dhe nuk ka asnjë drojë se ai nuk do t’i pranojë këto kushte”, tha Stivens.

Themeluesi i WikiLeaks-it, i cili shkaktoi një tronditje diplomatike ndërkombëtare pas publikimit të qindra-mijëra dokumenteve sekrete amerikane, që kanë të bëjnë me gjithçka - që nga lufta në Afganistan e deri te udhëheqëisa e Rusisë - është mbajtur për një javë në burgun Wandsworth të Londrës.

Australiani 39-vjeçar u është dorëzuar autoriteteve më 8 dhjetor, në lidhje me fletarrestimin ndërkombëtar të lëshuar në Suedi, ku kërkohet nën akuzat për krime seksuale. Ai i ka mohuar akuzat, ndërsa avokati i tij ka thënë se rasti është i motivuar “politikisht”.

Në momentin e arrestimit të Asanzhit...
Pavarësisht marrëveshjes së lirimit me kusht, Asanzh mbetet në burg, pasi që prokurorët suedezë apeluan vendimin dhe i bënë presion gjykatës për ekstradimin e tij në Suedi.

Stivens tha se gjykata do t’i dëgjojë argumentet e Suedisë në 48 orët e ardhshme. Stivens po ashtu deklaroi se lirimi i Asanzhit mund të shtyhet, derisa mbështetësit e tij, përfshirë edhe një numër të figurave të famshme dhe aktivistë, të paraqesin paratë e kaucionit në gjykatë.

“Dyqind mijë sterlina nuk mund të paguhen me çek, sepse për këtë duhen 7 ditë. Kështu që duhet të dalim dhe t’i gjejmë paratë në dorë dhe pastaj t’i paraqesim para gjykatës. Derisa gjykata t’i marrë 200 mijë sterlina, një njeri i pafajshëm rri në burg”, tha Stivens.

Gazeta australiane “The Sunshine Coast News” raportoi se nëna e Asanzhit ka fluturuar për në Londër, për ta parë të birin. Gazeta shkruan se duke folur në telefon me të ëmën, Asanzh ka thënë se bindjet e tij mbesin të palëkundura.

“U mbetem besnik idealeve që gjithnjë i kam shprehur. Këto rrethana nuk do t’i lëkundin ato”, citohet të ketë thënë Asanzh.

Një tjetër avokat i njohur i Asanzhit, Xhefri Robertson, tha se menaxheri i Klubit londinez “Gazetarët e Vijës së Frontit”, Vaugn Smith, i ka ofruar Asanzhit që të qëndrojë në pronën e tij në Anglinë jugore.

Smith tha se interesi i tij që të ndihmojë Asanzhin është i lidhur me besimin e tij për lirinë e shtypit.

“Kjo është më tepër sesa liri e shtypit. Ka të bëjë me internetin. Mendoj se, si gazetarë, ne duhet të jemi të brengosur rreth mundësisë që ndonjë ligj, për shembull, të kufizojë lirinë e veprimit tonë si gazetarë”.

“Mendoj se zoti Asanzh ka paraqitur një pasqyrë të madhe para gazetarëve dhe shumë gazetarë, me të cilët kam biseduar, janë shumë të shqetësuar nga reflektimi që shohin në industri, në tregti për shembull, e që është afrimi sa më shumë me pushtetin“,
tha Smith.

Departamenti amerikan i Drejtësisë po shqyrton një sërë akuzash kriminale që do të mund të bëheshin kundër rastit të WikiLeaks-it, por ka mohuar akuzat e avokatëve të Asanzhit se fletarrestimi suedez ishte lëshuar nën presionin amerikan.

Zyrtarë nga SHBA-të, Britania dhe shtete të tjera kanë akuzuar WikiLeaks-in se ka vënë në rrezik sigurinë e trupave dhe të zyrtarëve qeveritarë, sikurse edhe sigurinë kombëtare. (a.i.)
XS
SM
MD
LG