Ndërlidhjet

NYT: Fundi i diplomacisë siç e njohim?


WikiLeaks
WikiLeaks
"New York Times"

Shkruan: Volfgang Ishinger, ish-diplomat gjerman



Në vitin 1996, pas përfundimit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe bisedimeve paqësore për Bosnjën, Ministria e Jashtme gjermane pati ndjesinë se nuk i ishte dhënë roli i duhur diplomacisë gjermane, bazuar në dokumentet e publikuara për këtë proces.

Dokumentet ishin redaktuar me kujdes para botimit. Përcaktimet për sjelljet e udhëheqësve boshnjakë apo serbë ishin hequr, si dhe ankesat e herëpashershme për mospajtimet brenda vetë ndërkombëtarëve.

Në këtë kuptim, procesi i paqes në Bosnjë u paraqit ashtu siç synohej, por asnjëra nga palët nuk ishte e palumtur. Misoni ishte kryer.

Por, pse është e ndryshme ajo që po ndodh me cunamin WikiLeaks?

Rrjedhja e sekreteve diplomatike është diçka e vjetër, duke nisur nga koha kur pëllumbat përdoreshin si postierë. Rrjedhjet e informacioneve mund të jenë të padëmshme, të dëmshme, apo të tilla që mund të çojnë dhe drejt luftës.

Në çdo rast, një gjë është e sigurt. Çdo rrjedhje informacioni ka shkaktuar dëmtimin apo shkatërrimin e besimit, që është dhe gjëja më e çmuar në raportet diplomatike.

Publikimi i dokumenteve sekrete të diplomacisë amerikane nga WikiLeaks-i rrezikon gjithë diplomacinë. Shumica e rrjedhjeve të informacionit ndodhin në demokraci.

Do të ishte vërtet befasi nëse herën tjetër do të kishim dokumente të klasifikuara të diplomacisë kineze apo iraniane.

Regjimet autokratike janë shumë më rrallë viktimë e nxjerrjes së informacionit.

Në këtë kuptim, shoqëritë e hapura janë në një lloj disavantazhi krahasuar me regjimet e mbyllura.

Natyrisht, ka nga ata që shtrojnë pyetjen se çfarë ndodh me qeverisjen transparente dhe lirinë e informacionit. Nxjerrja e informacioneve në rast të keqqeverisjes mund të ketë një lloj legjitimiteti në shoqëritë moderne.

Por, e drejta për të ditur duhet të marrë parasysh dhe parimin e besimit mes qeverive.

Personalisht nuk do të nënshkruaja një numër dokumentesh lidhur me luftën në Irak si ambasador i Gjermanisë në Uashington, nëse nuk do të besoja në premtimin se do të ishin sekrete.

Mes të tjerash, unë dhe ekipi im kemi raportuar në detaje edhe për luftën për ndikim mes Pauellit dhe Ramsfelldit.

Pas rrjedhjes së tipit trafikim informacionesh nga WikiLeaks-i, ndërtimi i raporteve ndërkombëtare do të jetë më i vështirë. Burimet do të shteren dhe ambasadorët do të jenë të detyruar të dëgjojnë vetëm çfarë bashkëbiseduesit vendorë duan të lexojnë nëpër gazeta.

Do të ketë edhe më keq. Shkalla e informacionit që do të shkëmbehet mes qeverive, do të zvogëlohet ndjeshëm. Ambasadat do të mund ta shohin veten të përjashtuara nga një mori informacionesh, nga droja se mund të vidhet përmes përdorimit të teknologjisë.

Për të gjitha këto arsye, e gjithë kjo që po ndodh me WikiLeaks-in nuk është thjesht çështje e sedrës së lënduar të disa politikanëve. Çështja është më serioze: bëhet fjalë për luftën dhe paqen, e madje mund të jenë në pyetje jeta a vdekja. (i.b.)
XS
SM
MD
LG