Ndërlidhjet

Kosova në krizë politike


Republika e Kosovës
Republika e Kosovës
Shumica e partive politike kërcënojnë me kontestim të rezultatit të zgjedhjeve, nëse nuk merren parasysh vërejtjet e tyre në lidhje me parregullsitë dhe manipulimet që ato thonë se i kanë evidentuar gjatë votime në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Sipas tyre, Kosova është zhytur tashmë në një krizë dhe se zgjidhja mund të kërkohet edhe në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.


Ende pa u shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, shumica e partive pjesëmarrëse thonë se vendi është zhytur tashmë në një krizë institucionale e politike.

Një gjendje e tillë, sipas tyre, është pasojë e organizimit të dobët të zgjedhjeve, parregullsive dhe manipulimeve, duke adresuar fajtorin për këtë situatë te Partia Demokratike e Kosovës.

Zyrtarë të PDK-së të mërkurën nuk janë prononcuar, ndërsa, lideri i saj, Hashim Thaçi, i ka thënë agjencisë Reuters se partia e tij mbetet e hapur për koalicion me secilën parti politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq, lidhur me pakënaqësitë e partive politike rreth procesit në tërësi, Thaçi është deklaruar se do të respektojë çdo vendim që vjen nga institucionet.

Në anën tjetër, Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe se pranimi i këtij fakti, sipas tij, do të nënkuptonte institucionalizimin e vjedhjes.

“Kosova, realisht, rrezikon të zhytet në krizë institucionale e politike, nëse legjitimohet vjedhja që ka ndodhur, e votës të qytetarëve dhe deformimi i votës së tyre. Ai është rreziku më i madh që i kanoset Kosovës, do të rrezikohet në periudhë afatgjatë, do të institucionalizohet vjedhja dhe do të institucionalizohet abuzimi me vullnetin e qytetarëve të Kosovës”,
thotë Gashi.

Grumbullimi i materialit të ndjeshëm në Qendrën e Numërimit të votave

LDK-ja, nënvizon Gashi është në pritje të vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa para se të marrë vendime tjera, duke mos e përjashtuar edhe kontestimin e rezultatit dhe gjithë procesit zgjedhor.

Një kontestim rezultatit të zgjedhjeve qysh tani e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje. Lideri i saj, Albin Kurti, thotë se manipulimet e parregullsitë janë aq të mëdha sa e kanë dëmtuar gjithë procesin dhe rezultati i tillë, për Vetëvendosjen, është i papranueshëm.

“Ne këto zgjedhje i konsiderojmë të papranueshme dhe rezultatin e tyre të kontestueshëm për shkak se rezultati i publikuar nga KQZ-ja i ngërthen përbrenda të gjitha këto manipulime e vjedhje të bëra deri më tash”,
thekson Kurti.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se vendi po shkon jo vetëm kah kriza, por kah humnera. Avni Arifi, anëtar i Kryesisë së AAK-së, thotë se zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin një rast i vjedhjes masive të votave.

“Kosova dhe populli i Kosovës nuk po shkojnë drejt një krize institucionale, por drejt një humnere. Kjo çka ka ndodhur, ku të vdekurit në mënyrë masive kanë votuar dhe ka fytyrë njeriu të dalë e të thotë mos paragjykoni, ka fytyrë të thotë bëjeni ankesën, e pastaj e shqyrtojmë, tregon për nivelin jashtëzakonisht të ulët politik që ekziston në Kosovë, për një tolerancë ndaj krimit, për një tolerancë ndaj së keqes”,
shprehet Arifi.

Zyrtari i AAK-së, Avni Arifi, thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte që Kosova të shkojë menjëherë në zgjedhje të reja.

Edhe Aleanca Kosova e Re, sipas rezultatit preliminar, ka siguruar ulëse në Kuvend. Nënkryetarja e saj Mimoza Kusari – Lila thotë se qëndrimet e partisë në lidhje me procesin merren pasi që Paneli për Ankesa do ta thotë fjalën e vet.

Ndërkaq, lidhur me koalicionin e ardhshëm, AKR-ja, nënvizon ajo, nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike, por ka kritere para se të pranojë të hyjë në qeverinë e ardhshme.

“Koalicioni për Kosovë të Re nuk ka vendosur vija të kuqe për partitë politike, por ka kritere të saj, të përcaktuara saktë, e që kanë të bëjnë me faktin e zbatimit të programit qeverisës që tashmë është prezantuar dhe kriteri i dytë, me të cilin parashihet që bartësit e funksioneve ekzekutive të jenë persona të përgjegjshëm, profesionalë dhe jo ndër hetime dhe për të cilët ekziston perceptimi publik se kanë keqpërdorur paranë publike”,
thotë Kusari-Lila.

Sidoqoftë, para se partitë politike të marrin vendime nëse do ta pranojnë apo jo rezultatin, ato janë në pritje të vendimeve të Panelit për Ankesa e Parashtresa, i cili pritet të japë përgjigje në lidhje me parregullsitë e paraqitura në këtë organ.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se votat e 63 vendvotimeve janë të vendosura në karantinë.

Pas Panelit për Ankesa, partitë politike e kanë edhe Gjykatën Supreme ku mund të paraqesin ankesat e tyre para se të vendosin nëse do të drejtohen apo jo për t’i marrë ulëset në Parlament apo do të insistojnë në zgjedhje të reja.

Lexoni edhe këto:

(Pa)kënaqësi me zgjedhjet
Dilema për mbarëvajtjen e votimeve

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG