Ndërlidhjet

Analistët: Krizë institucionale…(?)


Qendra e numërimit të rezultateve në Prishtinë.
Qendra e numërimit të rezultateve në Prishtinë.
Kontestimi i rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 12 dhjetorit nga shumica e partive politike, është fenomen që nuk ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara dhe një gjë e tillë shpërfaq një varg problemesh, vlerësojnë analistët e çështjeve politike.

Analisti Ismajl Hasani, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se ky kontestim buron nga shkaktarë të ndryshëm, të cilët, sipas tij, kanë iniciuar dyshime për rregullsinë e procesit zgjedhor.

“Kontestimi, gati se i njëzëshëm i partive politike, mbase në nivel të tillë është rezultat i vonesave të pajustifikueshme për shpalljen e rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të prodhuara me situata të të ashtuquajturave ‘exit poll’-e , që po ashtu kanë shërbyer për përgatitjen psikologjike të opinionit - qoftë për humbësit potencialë, qoftë për fituesit potencialë”.

“Po ashtu, ka të bëjë edhe me nxitimin e kreut të Partisë Demokratike të Kosovës për shpalljen e rezultateve, para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t'i jepte rezultatet preliminare”,
thekson Hasani.

Sipas tij, tashmë është krijuar një situatë me nuancë konfliktuoze, për të cilën, shton Hasani, hilen e kanë bërë të gjitha partitë politike. Në këtë situatë, shton ai, partitë politike duhet të jenë më të matura.

Por, analisti Ardian Arifaj, nga Klubi për Politikë të Jashtme, thotë se kontestimi i procesit zgjedhor dhe rezultateve preliminare nga shumica e partive politike, duhet shikuar nga këndi pozitiv.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Sipas tij, kjo reflekton një pjekuri politike, për të kuptuar rëndësinë e një procesi elektoral normal dhe të drejtë.

“(Partitë politike) janë të gatshme të angazhohen që në Kosovë të instalohet një traditë e paqes, zgjedhjeve të lira , të drejta dhe ‘fer’. Por, kjo mund të tregojë edhe atë që deri më 2010, asnjëherë nuk kemi pasur parregullsi gjatë zgjedhjeve në Kosovë".

"Pra, në 2010-ën ka pasur më shumë, sesa kurdoherë që ka pasur zgjedhje në Kosovë. Kjo ka shkaktuar më shumë mllef, më shumë zemërim te subjektet politike”
, shprehet Arifaj.

Të dy këta analistë vlerësojnë se situata e krijuar mund të përshkallëzohet drejt një krize institucionale. Analisti Hasani thotë se për një gjë të tillë ekzistojnë të gjitha gjasat.

“Të gjitha gjasat janë për mundësinë e krizës parlamentare. Në qoftë se duam të jemi realë, kriza parlamentare mbase është e pashmangshme, nëse nuk lëviz diçka në drejtim të ndërgjegjësimit të të gjitha subjekteve politike, qoftë atyre që e kanë shpallur veten fitues paraprakisht, qoftë atyre që me çdo kusht pretendojnë për kontestime".

"Në instancën e fundit, nuk është e mundur që e gjithë Kosova të kontestohet ose të stigmatizohen zona të ndryshme të Kosovës”
, thotë Hasani.

Ardian Arifaj thotë se varet nga rezultatet përfundimtare që do të publikohen, nëse do të ketë krizë institucionale ose jo.

“Varet prej numrave. Nuk i kemi numrat dhe është vështirë të thuhet tash. Por, mundet. Ka potencial".

"Nëse të gjitha partitë tjera e kundërshtojnë procesin dhe e kundërshtojnë rezultatin, pra edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe Vetëvendosja, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, bile edhe Aleanca Kosova e Re, atëherë normalisht se mund të flitet për krizë institucionale në vend - një ngërç politik, një ngecje politike, e cila detyrimisht duhet të çojë në zgjedhje të reja”
, shprehet Arifaj.

Analistët thonë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duhet urgjentisht dhe me ndërgjegje të plotë profesionale e morale ta thotë fjalën e tij, e cila do t’i hiqte dilemat dhe do t’i sqaronte incidentet, të cilat kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve.

Lexoni edhe këtë: (Pa)kënaqësi me zgjedhjet
XS
SM
MD
LG