Ndërlidhjet

2010, vit i skamjes


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Në Kosovë, rreth 180 mijë pensionistë, të cilët kanë mbi 65 vjet, marrin nga 45 euro në muaj, ndërsa ata që kanë paguar kontributet, marrin nga 85 euro. Këto shuma, thonë pensionistët, nuk mjaftojnë as për gjërat elementare.


Pensionistët kosovarë, edhe gjatë vitit që po lëmë pas, janë përballur me kushte të vështira socio-ekonomike. Madje, një pjesë e tyre jeton në varfëri ekstreme. Shuma prej 45, përkatësisht 85 eurosh në muaj, thuhet se nuk mjafton as për gjërat elementare të pensionistëve.

Hamit Haliti, nga Shoqata e Pensionistëve të Kosovës, i quan të mjerueshme kushtet e kësaj kategorie të shoqërisë.

“Problemet, të cilat i përcjellin pensionistët, janë të shumta, por kryesorja është skamja. Me 80 euro në muaj nuk jetohet. Do të thotë, baza kryesore ekonomiko-financiare është tejet e ulët dhe e padurueshme”.

“Unë kur kam dalë në pension, i kam marrë 1,200 marka, ndërsa sot i marr 80 euro. Ky nuk është pension”,
thotë Haliti.

Tahir Hoxha thotë se ndjehet i zhgënjyer.

“Para 18 vjetësh, kur kam dalë në pension, kam marrë 1,600 marka gjermane. Tash marr 85 euro në muaj. Skamja kurrë nuk ka ekzistuar kësisoj. Ne kemi bërë çmos për pagesën e kontributit, kemi qenë të sigurt se jetën në pleqëri do ta çojmë në kushte normale. Por, kjo jetë kurrfarë normalizimi nuk ka të pranishëm”, thotë Hoxha.

Edhe Hafije Berisha tregon për gjendjen e rëndë të pensionistëve.

“Dyzetepesë euro i marr... Vijnë faturat e ujit, rrymës... Nuk mund t’i paguaj, shumë vështirë, vetëm të vdes. Ushqimi - vetëm ndihma kush na jep”, thotë ajo.

Jeta e pensionistëve është bërë e vështirë, thotë edhe Musa Krasniqi, i cili para një viti ka fituar statusin e pensionistit.

Ai thekson nevojën e pensionistëve për përkujdesje të shtetit, meqë shuma që ata marrin, sipas tij, nuk e mbulon koston e kujdesit shëndetësor.

“Pensionet e vogla, barnat e shtrenjta... Tashmë jemi në atë fazën kur rritet nevoja për konsumim të ilaçeve, e me 80 euro çka bëjmë?”, pyetet ai.

Ramiz Heta ka nisur të shqetësohet për të ardhmen e tij, pasi nga viti i ardhshëm do të marrë statusin e pensionistit.

“As për dy ditë nuk mjafton shuma prej 80 eurosh... Qasja e ligjit mbi pensione duhet të aprovohet, në mënyrë që njerëzit ta kenë një mirëqenie sociale dhe shëndetësore”, thotë Heta.

Gjatë këtij viti ka pasur premtime se Kuvendi i Kosovës do të miratojë Ligjin për pensione, në bazë të të cilit të ardhurat pensionale do të rriteshin prej 10 deri në 25 për qind. Por, situata e krijuar pas rënies së qeverisë dhe zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit kanë shtyrë miratimin e ligjit për vitin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG