Ndërlidhjet

Mrekullitë dhe dështimet e 12 dhjetorit


Nga zgjedhjet e 12 dhjetorit...
Nga zgjedhjet e 12 dhjetorit...
Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, tha sot se më 12 dhjetor ndodhi mrekullia, pasi që, sipas tij, Kosova organizoi zgjedhje të lira dhe demokratike, me standarde të pranuara ndërkombëtare. Ndërsa, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përsëriti se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja në vjeshtën e vitit të ardhshëm, pasi që procesi i fundit zgjedhor, siç tha ai, ishte i manipuluar.


Debati në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit në Kosovë vazhdon me deklarata e vlerësime të ndryshme nga ana e liderëve të partive politike.

Përderisa lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, vazhdon ta cilësojë procesin zgjedhor të 12 dhjetorit si një mrekulli dhe në harmoni me standardet demokratike, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe përfaqësues të tjerë politikë e cilësojnë këtë proces si të manipuluar dhe jo të rregullt.

Në një paraqitje të tij të fundit para mediave për këtë vit, kryeministri në largim, Hashim Thaçi, tha se më 12 dhjetor ndodhi mrekullia në Kosovë, pasi që, sipas tij, procesi zgjedhor përfundoi me sukses të plotë.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin një mrekulli. Ishte një provim që u kalua shkëlqyeshëm nga spektri politik dhe qytetarët. Kanë qenë zgjedhjet më mirë të organizuara ndonjëherë në historinë politike të Kosovës - zgjedhje këto të lira e demokratike, të përshëndetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian”, deklaroi Thaçi.

Qeveria e Kosovës
Thaçi tha se menjëherë pas rivotimeve të pjesshme të 9 janarit, ai si kryetar i partisë fituese do të formojë qeverinë e re, e cila do të udhëhiqet, siç tha Thaçi, nga qendra e djathtë politike. Kurse presidenti i ardhshëm, sipas tij, do të jetë një fytyrë e re për shtetin e ri të Kosovës.

Një ditë më herët, procesi zgjedhor i 12 dhjetorit ishte cilësuar si i lënduar nga presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, i cili vjen po ashtu nga PDK-ja.

Në anën tjetër, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, tha se zgjedhjet e fundit nuk kanë prodhuar rezultat të besueshëm, pasi që ai rezultat, sipas tij, ishte i manipuluar.

Si të tilla, ai nuk i sheh legjitime këto zgjedhje dhe parasheh që në vjeshtën e vitit 2011 të organizohet edhe një proces i ri zgjedhor, i përgatitur më mirë.

“Ne konsiderojmë se këto zgjedhje nuk sigurojnë stabilitet të organeve dhe qëndrueshmëri të qeverisjes për periudhën e ardhshme. Jemi të mendimit se duhet të gjendet një zgjidhje e përkohshme, e cila siguron jetë institucionale në Kosovë”, tha Mustafa.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ndaloi aq shumë te zgjedhjet, por vlerësoi se viti 2010 nuk ka zgjidhur asnjërin nga problemet më të mëdha, me të cilat është ballafaquar Kosova në vitet e fundit.

“Të gjitha problemet kapitale të vitit 2009 janë bartur edhe në vitin 2010 - në këtë vit madje janë intensifikuar. Varfëria e papunësia janë rritur, strukturat paralele të Serbisë janë toleruar edhe këtë vit, shteti i Kosovës nuk i ka kontrolluar kufijtë as në vitin 2010 dhe Mitrovica vazhdon të mbetet e ndarë”, tha Kurti.

Ndërsa lidershipi dhe përfaqësues të subjekteve politike, këto ditë, i kanë prezantuar pikëpamjet dhe rekapitullimet e tyre në lidhje me sukseset dhe sfidat gjatë vitit 2010, ata në vazhdimësi kanë folur edhe për sfidat që e presin Kosovën në ndërtimin e institucioneve të reja gjatë fillimit të 2011-ës.

Lexoni edhe këtë:
Tri opsione për qeverinë
XS
SM
MD
LG